FMN heq “dorashkat”

29/05/2018 10:05 AM 0 komente

Ekonomia shqiptare rrezikohet seriozisht nga borxhi i fshehtë mbi 205 milionë euro dhe nga koncesionet PPP, të cilat mund ta çojnë borxhin publik në 80% të PBB më 2020, sipas vlerësimit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Rekomandohet rritje taksash

 

Pavarësisht mjedisit të favorshëm dhe perspektivës pozitive afatshkurtër, rreziqet dhe dobësitë që rrjedhin nga borxhi i lartë publik, kreditë me probleme në sektorin financiar, dobësitë në institucionet publike dhe sistemin gjyqësor, mund të minojnë perspektivat e rritjes së ekonomisë shqiptare, vlerësoi Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e parë post marrëveshje me Shqipërinë.

Mbi të gjitha, Fondi ka vënë në dukje se detyrimet e fshehura po rikthehen si një rrezik, duke evidentuar një shumë prej 205 milionë eurosh si detyrime të pashlyera publike ndaj sektorit privat deri në fund të vitit 2017, të cilat nuk janë llogaritur në shifrat zyrtare të borxhit. Por, institucioni prestigjioz, vë në dukje se hapja e negociatave për pranimin në BE mund të çelë një dritare të re mundësish për të ecur para me reformat, të cilat mund të rigjenerojnë rritjen ekonomike të vendit.

 

Rikthehen detyrimet e fshehura, arrijnë 205 mln euro

Në vitin 2017 janë krijuar 13.5 miliardë lekë (104 milionë euro) detyrime të reja të papaguara të shtetit ndaj bizneseve. Në total, përfshirë edhe detyrimet ekzistuese deri në fund të vitit 2016, shuma që shteti duhet të kthejë te palët e papaguara arrin në 26.7 miliardë lekë, apo rreth 205 milionë euro.
Shifrat janë bërë të ditura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky i fundit ka ngulur vazhdimisht këmbë që qeveria të ishte e kujdesshme dhe të mos krijonte detyrime të reja ndaj biznesit, gjë që në fakt nuk ka ndodhur, përkundrazi detyrimi u dyfishua në një vit.

Deri në fund të vitit 2016, 71% e totalit të detyrimeve e kishte qeveria lokale (borxhet e bashkive), me 9.4 miliardë lekë, nga 13.1 miliardë lekë që ishte totali i stokut të detyrimeve. Sipas shifrave të FMN-së, në 2017-n, detyrimet e bashkive u ulën me 184 milionë lekë, ndërsa ka qenë qeveria qendrore ajo që ka krijuar detyrimin më të madh. Detyrimi i qeverisë qendrore pothuajse është pesëfishuar, nga 3.7 miliardë lekë në 17.4 miliardë lekë.
Rritja e detyrimit të qeverisë qendrore ka ardhur si rrjedhojë e mosrimbursimit të TVSH-së, i cili është dhjetëfishuar nga 1.9 miliardë lekë në 11.7 miliardë lekë.

Në total, në fund të vitit 2017, nga 26.7 miliardë lekë që është detyrimi total që duhet shlyer, 65% i takon qeverisë qendrore, 35% asaj lokale. Vetëm rimbursimi i TVSH-së zë 35% të detyrimeve totale.

FMN thekson se adresimi i dobësive në kontrollet buxhetore dhe të angazhimeve për të paguar, sistemi i Thesarit dhe menaxhimi i parasë së gatshme janë vendimtare për të parandaluar krijimin e borxheve të reja dhe përshpejtimin e pastrimit të stokut aktual. Duke qenë se borxhi paraqet deficite fiskale të paregjistruara, është e rëndësishme që të forcohet regjistrimi i angazhimeve buxhetore dhe regjistrimi i faturave të papaguara. Në fund të vitit 2017, totali i borxheve të papaguara ishte 1.7% e PBB-së, nga të cilat pagesat e prapambetura të TVSH-së përbënin 0.7% të PBB-së. Rreth 80% e totalit të borxheve të TVSH-së lidhet me tre tatimpagues të mëdhenj, thekson FMN.

 

 

Borxhi mund të arrijë në 80% të PBB-së më 2020

FMN lajmëron se Shqipëria nuk ka mundur t’i mbajë angazhimet për uljen e borxhit publik. Sikur situata të mirëmenaxhohet dhe të gjithë treguesit makro të jenë në ekuilibër, borxhi i vendit nuk do të mund të bjerë nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) para vitit 2023.
Por Fondi parashikon në skenarët e stresit për borxhin se, goditjet makrofiskale mund të çojnë detyrimet publike në 80% të PBB-së deri në vitin 2020.

Sipas fondit, dobësitë kyçe pasqyrojnë (i) nevojat e larta të rifinancimit (20% e PBB-së në 2018), pasi rreth dy të pestat e borxhit të brendshëm të qeverisë qendrore ishin afatshkurtra në fund të vitit 2017; (ii) rritja e ekspozimit neto ndaj kursit të këmbimit, pasi përpjekjet për të zëvendësuar borxhin e brendshëm afatshkurtër me huamarrjen e jashtme afatgjatë shtojnë ekspozimin ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit; dhe (iii) një varësi nga bankat kombëtare, duke pasur parasysh mungesën e investitorëve jobankarë, përqendrimin e mbajtjes së borxhit në disa banka të mëdha vendase dhe ekspozimin e lartë të bankave ndaj obligacioneve qeveritare (25% e totalit të aktiveve), për shkak të mundësive të kufizuara të kreditimit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se edhe niveli 60% i borxhit është një rrezik i madh, për shkak të nevojave të larta për rifinancimin e tij. Borxhi në këtë nivel cenohet lehtë nga goditjet makroekonomike që vijnë nga rritja e ngadaltë, inflacioni i ulët, paqëndrueshmëria e normave të interesit dhe kushtet e tregtisë, vë në dukje FMN.

Përveç kësaj, mbështetja e madhe e borxhit të brendshëm në sektorin bankar (bankat zotërojnë 60% të borxhit të brendshëm publik në fund të vitit 2017) paraqet rrezik, duke pasur parasysh lidhjen sistemike midis bankave tregtare dhe detyrimeve sovrane. Rreziku i financimit është përkeqësuar nga përqendrimi i lartë i borxhit të brendshëm në disa banka vendase.

Borxhi publik, sipas parashikimeve të skenarit bazë, është i ndjeshëm ndaj një sërë rreziqesh që dalin nga profili të financimit. Edhe pse qeveria shqiptare ka nisur zgjatjen e afateve të maturimit rreziqet e rifinancimit mbeten të larta, pasi rreth dy të pestat e borxhit të qeverisë qendrore ishte afatshkurtër në fund të vitit 2017.
Rreziku i normës së interesit do të jetë më i lartë për shkak të normave të interesit në rritje. Megjithatë, mungesa e një tregu sekondar likuid dhe preferenca e bankave për të mbajtur borxhin deri në maturim, ulin disi rrezikun nga normat e interesit.

Një faktor tjetër lehtësues konsiderohet rritja e financimeve nga donatorët e jashtëm. Së fundmi, rreziku nga kursi i këmbimit do të rritet me zgjerimin e borxhit në valutë, por niveli i kënaqshëm i rezervave ndërkombëtare të Shqipërisë i zbeh këto rreziqe.
Skenarët alternativë të borxhit marrin në konsideratë rreziqet ndaj skenarit bazë, nëse rriten ndjeshëm normat e interesit dhe nëse rritja ekonomike dobësohet. Rreziqet kryesore lindin nga rritja ekonomike e ngadaltë, e kombinuar me një rritje të mprehtë të normave e interesit, lajmëron Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sipas skenarëve alternativë, deri në vitin 2023, borxhi publik do të ishte rreth 73% e PBB-së.
Megjithatë, FMN shprehet se skenari bazë mbetet realist. Ai përfaqëson një parashikim duke reflektuar ecurinë historike të borxhit dhe angazhimet e qeverisë.

 

PPP jashtë kontrollit, rrezik për buxhetin

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka përdorur në mënyrë aktive PPP-të për të lehtësuar investimet publike. Deri në mes të vitit 2017, ishin nënshkruar më shumë se 200 kontrata të PPP-së, me një investim total prej 36% të PBB-së. Një program i ri (Programi 1 miliard euro) që u prezantua në janar 2017, i përbërë nga nëntë projekte të reja PPP ka një kosto investimi të vlerësuar prej rreth 7% të PBB-së e si projekte të financuara nga qeveria deri në vitin 2031).

Fondi Monetar Ndërkombëtar konstaton se kuadri aktual i PPP-së është i dizajnuar dobët dhe i mungon analiza e riskut të projekteve të investimeve. Teksa janë ndërmarrë disa masa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator të PPP-ve, ato nuk janë plotësisht të integruara në procesin e investimeve publike, analizon më tej Fondi.
FMN ka gjetur se mungon totalisht analiza për identifikimin dhe alokimin e detyrimeve dhe rreziqeve që vijnë nga PPP. Për më tepër, vendimmarrja e fragmentuar dhe mungesa e kontrollit të plotë mbi kontratat PPP ndikon negativisht në cilësinë e analizës së riskut.

Ministria e Financave aktualisht thotë se legjislacioni përcakton jo më shumë se 5.5 % të të ardhurave fiskale të vitit të kaluar për koncesionet. Megjithatë, Fondi thotë se këto vlerësime nuk janë të besueshme.
Për të pasqyruar siç duhet pagesat fiskale, Ministria e Financave duhet të llogarisë rreziqet në vlerë gjatë gjithë jetëgjatësisë së projekteve. Sipas FMN, kjo kërkon identifikimin e shkaktarëve të rrezikut që mund të shkaktojnë kosto më të larta se llogaritë fillestare, teksa duhen hartuar edhe skenarët përkatës për të përballuar këto rreziqe.

Për të menaxhuar në mënyrë efektive kostot fiskale dhe rreziqet që vijnë nga PPP, Ministria e Financave duhet të ndërmarrë një vlerësim të plotë të rreziqeve të lidhura me PPP, ndikimin e tyre në kuadrin buxhetor afatmesëm dhe qëndrueshmërinë e borxhit. Përveç kësaj, futja e kontabilitetit aktual, mundësisht bazuar në IPSAS, do të lejojnë një kontabilizim më koherent të PPP-ve. Fondi këshillon se Ministria e Financave duhet të zhvillojë më tej zbulimin e rreziqeve fiskale që lidhen me PPP dhe t’i publikojë ato në Deklaratën e rreziqeve Fiskale, duke ofruar një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kontratave dhe duke përshkruar politikën e qeverisë për zbutjen e rreziqeve të lidhura.

Fondi vëren se, Shqipëria përballet me boshllëqe të konsiderueshme në infrastrukturë në krahasim me fqinjët. Megjithatë, para se të rriten investimet publike, duhet të adresohen mangësitë në menaxhimin e projekteve, duke përfshirë edhe pushtetin lokal. Të gjitha projektet, duke përfshirë PPP-të, duhet të kërkojnë prioritizimin me fonde të disponueshme brenda kuadrit buxhetor afatmesëm.

Vendimmarrja e copëzuar në PPP dhe shpenzimet e investimeve publike mbeten mangësi kyçe. FMN këshillon se nevojitet një forcim i mëtejshëm i buxhetimit, kontabilitetit dhe vlerësimit të rrezikut, duke marrë parasysh detyrimet e mëdha kontingjente që vijnë nga kontratat PPP. Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eliminohet, – sugjeron FMN.

 

 

Taksat që duhen rritur

Në kushtet kur borxhi publik nuk po frenohet sipas zotimeve që qeveria mori në fillim të mandatit të parë për ta çuar treguesin 60% para 2020, Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon rritje tjetër taksash në mënyrë që qeveria të jetë e aftë të përballojë shpenzimet primare dhe pagesat e borxhit.
Në raportin e parë post-marrëveshje, FMN rekomandon se konsolidimi fiskal duhet të mbështetet nga masat shtesë në të ardhurat tatimore.

FMN i sugjeron qeverisë që të rrisë akcizën dhe taksat tek nafta me ritmet e inflacionit. Kështu, nëse inflacioni mesatar i vitit 2018 është 2%, Fondi sugjeron që në këtë masë të rritet akciza, taksa e qarkullimit mbi naftën, dhe taksa e karbonit.

Gjithashtu Fondi i sugjeron qeverisë shqiptare që të zgjerojë bazën e TVSH-së tek ilaçet, shitjen e banesave të reja, arsim dhe sektorët e përjashtuar të turizmit. FMN këshillon që të rikthehet taksat në biznesin e vogël dhe pragu i përjashtimit mbi pagat e ulëta të ulet në nivelin e pagës minimale 24,000 lekë nga 30,000 lekë që është aktualisht. FMN sugjeron zgjerim të bazës së taksave mjedisore dhe reduktimin e informalitetit.

Misioni i FMN-së mirëpriti progresin në krijimin e një kadastre fiskale dhe hapat drejt taksimit të pronës bazuar në vlerë, por theksoi nevojën për përpjekje të mëtejshme për të siguruar zbatimin e duhur të ligjit. Për më tepër, Fondi thekson se, këto reforma nuk duhet të dëmtohen nga masat e reja që rrënojnë bazën tatimore.
FMN raporton se autoritetet shqiptare kanë theksuar angazhimin e tyre për të vazhduar me konsolidimin fiskal, por me një ritëm më të ngadalshëm se sa rekomandohet nga stafi.

Qeveria i ka raportuar FMN se po zbaton një plan monitorimi në ekzekutimin e buxhetit dhe grumbullimin e të ardhurave, si dhe është duke ndërmarrë masa kompensuese për të arritur objektivin e përgjithshëm të deficitit prej 2% të PBB-së në vitin 2018.
Por qeveria shqiptare nuk ka pranuar të rrisë taksa më shumë se ato që janë parashikuar më 2018. Qeveria shqiptare ka pranuar gjithashtu se mund të arrijë objektivin 60% të borxhit në raport me PBB-në.

 

 

Vlerësimi

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndonëse konstaton rritje ekonomike, është mjaft kritik dhe e vë theksin te niveli i lartë i borxhit, kreditë me probleme që vijojnë të mbeten ende të larta pavarësisht uljes, akumulimit të detyrimeve të reja të prapambetura, dobësive të institucioneve publike dhe sistemit gjyqësor dhe një mjedisi të vështirë për biznesin.

Raporti paralajmëron që, nëse nuk adresohen këto probleme, dhe nëse nuk zbatohen reformat strukturore, rritja mund të ngadalësohet. FMN e ka këshilluar qeverinë që të frenohet nga ulja e taksave dhe përjashtimet tatimore. Fondi e ka përsëritur thirrjen për më shumë kujdes në projektet e Partneritetit Publik Privat dhe ndikimin e tyre në buxhetin afatmesëm.

Pas përfundimit të marrëveshjes me FMN-në në mars të vitit të kaluar, Shqipëria është në monitorim të ngushtë për politikat e saj, pasi është një anëtare që ka një stok domethënës të huasë. Në bazë të programit të post-monitorimit, anëtarët ndërmarrin më shumë konsultime të shpeshta formale me Fondin sesa në rastin kur janë nën mbikëqyrje, me një vëmendje të veçantë në politikat makroekonomike dhe strukturore që mund të kenë ndikim në qëndrueshmërinë e jashtme.

Raporti thotë: Ekonomia shqiptare ka vazhduar të forcohet, me një rritje reale të PBB-së në 3.8% (në terma vjetorë) gjatë vitit 2017, duke reflektuar kërkesën e fortë vendase të nxitur nga një rigjallërim në ndërtim, rimëkëmbje në tregun e punës dhe kredive për ekonomitë familjare, si dhe projekteve të mëdha të lidhura me investimet e huaja. Ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është zvogëluar, ritmi i konsolidimit fiskal është ngadalësuar, ndërsa janë akumuluar detyrime të reja të papaguara. Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua në 6.9% të PBB-së, mbështetur nga eksporti i turizmit dhe shërbimeve të tjera, dhe niveli i rezervave valutore mbetet i kënaqshëm.

Inflacioni është i ulët dhe megjithëse rritja e kredisë është e dobët, bankat janë likuide dhe të qëndrueshme.
Pavarësisht mjedisit të favorshëm dhe perspektivës pozitive afatshkurtër, mbeten rreziqe dhe dobësi, që rrjedhin nga borxhi i lartë publik, huatë me probleme në sektorin financiar, dhe dobësitë në institucionet publike dhe në sistemin gjyqësor.

Një ngadalësim i reformave apo efekteve nga goditjet e jashtme mund të dëmtojë perspektivat e rritjes dhe besimin, duke ndikuar negativisht në dinamikën e borxhit dhe duke krijuar presione financiare për qeverinë. Nga ana e saj, hapja e negociatave të pranimit në BE mund të ofrojë një mundësi për të përparuar në zbatimin e axhendës së reformave, duke çuar në rritjen e investimeve dhe rritjen e PBB-së.

 

Bankat, të monitorohet me kujdes ndërrimi i pronësisë

Fondi vlerësoi të qëndrueshëm sistemin bankar, edhe pse sfidat strukturore dhe çështjet e trashëgimisë së krizës vazhdojnë të peshojnë në bilancet e tyre. Baza e financimit të bankave mbetet shumë e qëndrueshme me një raport kredie ndaj depozitave prej rreth 52%. Depozitat vazhdojnë të rriten në mënyrë të moderuar, veçanërisht në monedhë të huaj. Kredia për sektorin privat mbetet e dobët, si pasojë e NPL-ve të larta dhe kërkesës së vakët të bizneseve.

Për pasojë, bankat vazhdojnë të investojnë më shumë në obligacione sovrane të qeverisë shqiptare, si dhe duke kredituar biznese jashtë vendit. Fondi vë në dukje se, autoritetet në Shqipëri kanë ndërmarrë disa hapa për të zbutur rreziqet e kreditimit jashtë vendit, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe inspektimet e përbashkëta me rregullatorët ku operojnë këto biznese.

FMN thotë se adresimi i kuadrit të zgjidhjes së NPL është vendimtar për rigjallërimin e huadhënies bankare. Stafi theksoi nevojën për të përshpejtuar reformat, duke përfshirë masat lidhur me ekzekutimin e kolateralit, siç janë tarifat e suksesit për përmbaruesit dhe rregullimin e marrëveshjeve të ristrukturimit jashtë gjykatës. Këta faktorë janë pengesa kryesore për rritjen e kredisë. Ndërkohë që kredia pritet të rimëkëmbet këtë vit, 2018, autoritetet duhet të mbajnë në vëmendje dhe të monitorojnë nga afër rreziqet potenciale që lidhen me ekspozimet e mëdha të korporatave dhe rritjen në sektorin e ndërtimit.

Disa banka të BE kanë njoftuar synimin e tyre për të shitur degët e tyre shqiptare. Pjesa e tregut të bankave në pronësi të BE-së ka rënë nga 67% në 2013 në 52% në fund të vitit 2017. Fondi vë në dukje se, interesi i investitorëve me përvojë bankare mbetet i kufizuar. Sigurimi që pjesëmarrësit e rinj të tregut kanë përvojë solide bankare dhe përmbushin kriteret e përshtatshme për të vepruar në tregun bankar shqiptar është një çështje kritike. Një dalje e menjëhershme ose një zhvendosje e portofolit nga një bankë e madhe mund të përbëjë rreziqe për tregjet Forex dhe Bonot e thesarit.

Stafi nënvizoi nevojën për një komunikim më të ngushtë me bankat me pronësi nga vendet e BE, bankat mëmë dhe mbikëqyrësit nga këto vende për të siguruar konsolidim të qetë të bankave.
Fondi vlerësoi se përmirësimi i mbikëqyrjes ndaj bankave, i përafruar me standardet e BE-së, do të siguronte BSH-në me shumë mjete për të menaxhuar më mirë rreziqet sistemike të bankave dhe për të forcuar bilancet e tyre. Bankat vendase pritet të përafrohen me kuadrin IFRS9 deri në fund të vitit 2018. Por Fondi kërkon që të forcohet më tej monitorimi i rreziqeve sistemike për të mbajtur nën kontroll rrezikun e huamarrësve të mëdhenj.

Stafi i FMN gjithashtu sugjeroi një diagnozë të jashtme të posaçme, ndoshta nga një autoritet i jashtëm mbikëqyrës për të vlerësuar portofolat me rrezik të lartë dhe për të identifikuar boshllëqet e mundshme në praktikat e menaxhimit të rrezikut, duke u fokusuar në ekspozimet e mëdha. Më në përgjithësi, stafi rekomandoi që BSH të konvergojë në mënyrë progresive drejt zbatimit të Basel III.

FMN theksoi se është e rëndësishme që AMF të përfundojë kuadrin e menaxhimit të krizave për fondet e investimeve, në koordinim me BSH dhe Ministrinë e Financave. Përfundimisht, futja e instrumenteve të reja në bursën e sapolicencuar duhet të rregullohet rreptësisht, pasi standardet e qeverisjes dhe të tregut nuk janë përmbushur aktualisht për të zgjeruar gamën e aktiviteteve tregtare (aktualisht të kufizuara në tregtinë e letrave me vlerë sovrane).

Fondi thotë se, autoritetet shqiptare u pajtuan me stafin për rreziqet kryesore në sektorin bankar, duke mbetur të bindur se kuadri rregullator dhe mbikëqyrës aktualisht në fuqi mund të zbusë këto rreziqe. Autoritetet po planifikojnë të përafrohen gradualisht me standardet rregullatore të BE.

 

Rreziqet në rritje

Rreziqet ndaj perspektivës ekonomike të Shqipërisë janë rritur sipas vlerësimit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vonesat në zbatimin e konsolidimit fiskal dhe axhendën e reformave mund të minojnë besimin e investitorëve dhe të ulin ndjeshëm flukset hyrëse nga donatorët dhe investitorët konstatoi Fondi. Kushtet negative të motit mund të ndikojnë negativisht në prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar rreziqe të reja fiskale.

Nga ambienti i jashtëm, shtrëngimi më i shpejtë i kushteve financiare, që rrjedhin nga stresi në sistemin bankar dhe rritja e dobët mund të ndikojnë Shqipërinë tek eksportet, remitancat dhe Investimet e Huaja Direkte. Megjithatë, përparimi në procesin e pranimit në BE mund të çojë në investime më të larta dhe rritje më të madhe të PBB-së, vlerëson Fondi.

Por një konvergjencë më e shpejtë me BE kërkon reforma strukturore të qëndrueshme. Siç është diskutuar në konsultimet e mëparshme emigrimi lartë dhe plakja e popullsisë do të pengojnë rritjen ekonomike. Për më tepër, kursimet e ulëta kombëtare kërcënojnë qëndrueshmërinë e investimeve, pasi ato janë financuar kryesisht me IHD-të. FMN thekson se trajtimi i këtyre çështjeve kërkon reforma institucionale për të përmirësuar klimën e biznesit, sigurimin e furnizimit me energji, uljen e informalitetit, rritjen e kapitalit njerëzor dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut financiar.

FMN vë në dukje se autoritetet u pajtuan gjerësisht me vlerësimin e stafit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka njohur rreziqet për rritjen afatmesme, kur reformat do të ngadalësohen. Ndërsa autoritetet pranuan dobësitë ndaj goditjeve të motit dhe vonesat në reformën e gjyqësorit.
Opinioni afatshkurtër dhe afatmesëm është i favorshëm. Rritja e PBB-së pritet të zbutet paksa në 2018, pasi projektet e mëdha të energjisë fillojnë të zhduken. Në planin afatmesëm, rritja parashikohet të arrijë në 4%, të nxitura nga kërkesa e fortë e brendshme, reformat drejt anëtarësimit në BE që përmirësojnë klimën e biznesit dhe rimëkëmbjen në partnerët tregtarë.

Inflacioni pritet të rritet gradualisht, pasi hendeku i prodhimit mbyllet, duke u stabilizuar rreth objektivit prej 3% deri në fund të vitit 2019. Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet më tej, duke rënë në rreth 6½ për qind të PBB-së mbështetur nga kërkesa e fortë e jashtme. Eksportet e shërbimeve, përfundimi i projekteve energjetike intensive të importit dhe përmirësimi i kushteve të tregtisë.

 

Vlerësimi i Bordit Ekzekutiv të Fondit

Shqipëria po gëzon rritje të fortë ekonomike, por kjo nuk mund të zgjasë pa një shtytje të konsiderueshme për reformat strukturore. Vendi ende nuk është duke përfituar plotësisht nga kostoja e ulët e punës dhe afërsia me BE-në, për shkak të një mjedisi të vështirë biznesi, që pengon investimet. Prandaj është e rëndësishme që qeveria të përdorë këtë situatë të favorshme për të nxitur axhendën e reformave, në mënyrë që të nxisë rritjen potenciale, çka do të mundësojë që vendi të përfitojë nga pranimi potencial në BE.

Vendi përballet me sfida kyçe për zbatimin e politikave. Borxhi publik mbetet i lartë. NPL-të, ndonëse në rënie, vazhdojnë të ndikojnë në rritjen e përgjithshme të kredisë, veçanërisht në sektorin e korporatave. Sektori shtetëror i energjisë elektrike duhet të vihet në një bazë të qëndrueshme financiare dhe masat strukturore duhet të vazhdojnë me më shumë energji. Përpjekjet për të adresuar këto sfida duhet të dyfishohen për të rritur elasticitetin e vendit ndaj goditjeve.

Adresimi i rreziqeve fiskale që vijnë nga niveli i lartë i borxhit publik dhe nevojat për financim mbeten prioritet i lartë. Kjo kërkon më shumë përshtatje fiskale, mundësisht në afatin e afërt. Menaxhimi i borxhit publik duhet të fokusohet në zgjatjen e maturitetit të borxhit publik dhe diversifikimin e bazës së investitorëve, duke shmangur rreziqet që vijnë nga huamarrja e tepërt jokoncesionare në monedhë të huaj. Kapaciteti i menaxhimit të borxhit duhet të forcohet.

Përmirësimi i pajtueshmërisë dhe administrimit të taksave është vendimtar. Progresi drejt taksimit të pronës, bazuar në vlerë, është i mirëpritur, por zbatimi i tij kërkon përgatitje të kujdesshme. Autoritetet duhet të marrin parasysh masa shtesë për rritjen e të ardhurave, duke përfshirë zgjerimin e bazës tatimore. Ata duhet të frenohen nga ulja e normave tatimore, ose dhënia e përjashtimeve të reja tatimore apo trajtime preferenciale tatimore që mund të komplikojnë sistemin e taksave dhe të shtrembërojnë shpërndarjen e burimeve në ekonomi.

Forcimi i institucioneve fiskale dhe vlerësimi i rreziqeve fiskale është një tjetër prioritet. Nevojiten përpjekje më të forta për të rritur besueshmërinë e kuadrit buxhetor afatmesëm. Thelbësore janë prioriteti për investimet publike, vlerësimi i projektit dhe monitorimi. Ministria e Financave duhet të përmirësojë regjistrimin fiskal dhe analizën ligjore, financiare dhe ekonomike të projekteve PPP dhe të sigurojë zbatimin e duhur të kornizës PPP. Duhet të vlerësohet me kujdes ndikimi i PPP-ve në kuadrin buxhetor afatmesëm buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit.

Janë të nevojshme përmirësime institucionale për të trajtuar borxhet, duke përfshirë rimbursimet e TVSH-së dhe projektet e investimeve të pabuxhetuara. Autoritetet duhet të përmirësojnë procesin e rimbursimit të TVSH-së dhe të forcojnë kontrollet, të zgjerojnë sistemin e IT të Thesarit tek qeveritë lokale dhe të regjistrojnë të gjitha angazhimet e pabuxhetuara dhe faturat e papaguara.

Reformat në qeverisjen dhe ristrukturimin financiar të sektorit shtetëror të energjisë elektrike duhet të vazhdojnë. Çështjet endemike të akumulimit të borxheve dhe të borxhit të brendshëm duhet të adresohen. Këto masa duhet të mbështeten nga përshpejtimi i reformave institucionale dhe reformave të orientuara nga tregu.

Qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm. Norma e politikës bazë është aktualisht në shkallë të ulët historike, në përputhje me inflacionin e ulët dhe kushtet e jashtme. Masat për të ulur euroizimin dhe për të thelluar tregjet financiare vendase janë të mirëpritura. Shkalla fleksibël e kursit të këmbimit ka qenë një stabilizues i rëndësishëm për ekonominë dhe Banka e Shqipërisë ka rritur në mënyrë të përshtatshme rezervat valutore, që janë të gjendje të trajtojnë goditjet e jashtme.

Angazhimi për masat legjislative dhe institucionale për të adresuar nivelet e larta të NPL-ve duhet të vazhdojë. Ndërsa niveli i kredive me probleme ka rënë, autoritetet duhet të përshpejtojnë masat për të adresuar procedurat e vështira dhe joefikase të ekzekutimit të kolateralit dhe kuadrin e ristrukturimit jashtë gjykatave, të cilat vazhdojnë të pengojnë rritjen e kredisë.

Është e nevojshme përshtatja e mëtejshme e rregullimit të sektorit financiar me standardet e BE-së. Konvergjenca graduale me kuadrin e Basel III është e garantuar, duke përfshirë vendosjen e kërkesave për kapital në një përqasje të bazuar në rrezik dhe për të trajtuar rreziqet e bankave. Përpjekjet e fundit të autoriteteve për të zbatuar rregulloret e synuara për të adresuar rreziqet nga transaksionet e palëve të ndërlidhura dhe flukset ndërkufitare janë të mirëpritura. Korniza e menaxhimit të krizave për institucionet financiare jobankare duhet të finalizohet për të përmirësuar elasticitetin e sistemit ndaj goditjeve dhe për të zbutur rrezikun e stabilitetit financiar, përfundon raporti i FMN.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of