Në përgjithësi qeveria i ka përmbushur objektivat e programit, por ka një mosarritje te të ardhurave buxhetore sipas planifikimit, tha shefi i Misionit të FMN -Nadim Ilahi në një konferencë sot për mediat në përmbyllje të rishikimit të pestë të marrëveshjes trevjeçare me Shqipërinë.
Ai i lidhi shkaqet e rënies se të ardhurave me rënien e çmimeve të naftës dhe disa problematika ne administrimin tatimor, të cilat sipas FMN-sw, duan trajtim të posaçëm.
Ai tha se në këtë situatë, për të ulur borxhin publik do të duhet një konsolidim i mëtejshëm fiskal edhe më 2016, por Ilahi pohoi se, ndërhyrjet janë duke u studiuar.
Ai vërejti se, kreditimi vijon të mbetet e moderuar kryesisht për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme.
Misioni i FMN vlerësoi ecurinë e mirë të reformës në energji, e cila ka sjellë rënie të mbështetjes buxhetorë për sektorin këtë vit.
Në lidhje me ndikimin e krizës greke Ilahi tha se, sistemi bankar shqiptar është likuid dhe i mirëkapitalizuar dhe kjo përfshin edhe filialet e bankave greke dhe me kapital grek. Pesha e këtyre bankave ka ardhur në ulje në ekonominë shqiptare. Ndikimi krizës duhet të trajtohet me kujdes dhe transmetimi i ndikimeve është zinxhir, por për Shqipërinë mbetet i ulët, tha Shefi i Misionit të FMN-së.
Ilahi tha se, dërgesat e emigrantëve nga Greqia janë të rëndësishme, por rëndësia e tyre kanë rënë gjatë vitit të fundit, por qeveria duhet të ndjekë efektin e tyre në ekonomi.
Gjithashtu eksperti i FMN-së tha se, vëllimi i eksporteve me Greqinë nuk është i lartë dhe ka ardhur në ulje që nga kriza e vitit 2008.
Deklaratë e Misionit të FMN-së në Shqipëri
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zotit Nadeem Ilahi, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 17-30 qershor 2015, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e pestë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF) për Shqipërinë. Në fund të vizitës, zoti Ilahi mbajti këtë deklaratë:
“Programi ekonomik i Shqipërisë vazhdon të ketë progres. Shkalla e rritjes ekonomike parashikohet të vazhdojë rimëkëmbjen e moderuar në vitin 2015, duke arritur 2,5 deri 3 për qind. Rritja ekonomike do të nxitet nga rimëkëmbja e qëndrueshme e kërkesës së brendshme, vazhdimi i investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe nga një rritje graduale e huadhënies bankare. Inflacioni pritet të mbetet i ulët, pjesërisht për shkak se prodhimi vazhdon të jetë nën potencial.
Risku i efekteve ndikuese nga kriza greke është i ulët. Sektori bankar është tejet likuid dhe i kapitalizuar mirë, duke përfshirë edhe filialet e bankave greke. Dërgesat private nga jashtë mund të preken nga zhvillimet në Greqi, por, gjithsesi, rëndësia e tyre ka rënë gjatë viteve të fundit. Vëllimi i eksporteve drejt Greqisë nuk është i konsiderueshëm.
Ka pasur një mosrealizim në të ardhurat fiskale për periudhën janar-maj, në krahasim me buxhetin, për shkak të rënies së çmimeve dhe prodhimit të naftës dhe për shkak të dobësive në fushën e përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet dhe në fushën e administrimit tatimor. Autoritetet na kanë bërë të ditur angazhimin e tyre për të arritur objektivin e deficitit fiskal për vitin 2015. Konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë edhe vitit 2016, për të siguruar që Shqipëria të ecë në rrugën e saj drejt arritjes së qëndrueshmërisë në kohë të borxhit. Diskutimet do të vazhdojnë për ta përfunduar shqyrtimin e pestë të EFF-së.
Politika monetare duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike, në përputhje me mandatin e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Rritja e kreditimit po rigjallërohet por vazhdon të mbetet e ulët, e prekur nga niveli i lartë i kredive problematike dhe dobësitë në fushën e ekzekutimit të kontratave. Qeveria, së bashku me Bankën e Shqipërisë, po hartojnë një strategji gjithëpërfshirëse për të zgjidhur çështjen e kredive me probleme.
Zbatimi i reformës në sektorin energjetik ka qenë i mirë dhe do të lehtësojë barrën mbi financat publike këtë vit. Vjedhja e energjisë elektrike është zvogëluar ndjeshëm dhe reformat në shoqëritë shtetërore të energjisë elektrike po ecin sipas planit.Mbajtja e angazhimit për reformën është kritike për të siguruar që sektori nuk do të varet më nga mbështetja buxhetore.
“Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.