FMN-ja, e alarmuar për huamarrjen e lartë globale

11/05/2018 10:02 PM 0 komente

Niveli i borxhit në 164 trilionë dollarë amerikanë është shumë herë më i lartë se ai i krizës financiare rreth një dekadë më parë, paralajmëroi FMN-ja, duke theksuar rrezikun e huamarrjes së tepërt globale.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha gjithashtu se sektorët privatë dhe publikë kanë nevojë urgjente për të ulur nivelin e borxhit, nëse duan të përmirësojnë elasticitetin e ekonomisë globale dhe të sigurojnë, në këtë mënyrë, mundësi më të mëdha për të përballuar situatat, atëherë kur ato nuk ecin ashtu siç duhet.

“Nxitja fiskale për të mbështetur kërkesën nuk është më prioritet”, tha FMN-ja në një raport të publikuar së fundmi, pas vizitës së saj në Uashington. Vitor Gaspar, drejtor i çështjeve fiskale në FMN, veçoi SHBA-në, duke thënë se është vendi i vetëm i avancuar që nuk planifikon të reduktojë borxhin publik me uljen e taksave, duke e mbajtur huamarrjen publike në nivele të larta. FMN-ja i nxiti politikëbërësit që të ndalojnë dhënien e “stimujve të panevojshëm kur aktiviteti ekonomik është në rritje tashmë” dhe i bëri thirrje SHBA-së që të “rikalibrojë” politikën fiskale dhe të rrisë taksat për të filluar uljen e borxhit.

Huamarrja globale është më shumë se dyfishi i vlerës së mallrave dhe shërbimeve të prodhuara çdo vit dhe në 225% të PBB-së globale, dhe rreth 12 pikë përqindje më i lartë se ai gjatë kulmit të krizës së mëparshme financiare në vitin 2009. Gjysma e vlerës prej 164 trilionë dollarëve amerikanë u përkiste tre shteteve: SHBA-së, Japonisë dhe Kinës, ku vetëm huamarrja e shtetit të fundit u rrit nga 1.7 trilionë në vitin 2001 në 25.5 trilionë në 2016.

Fondi Monetar shprehu shqetësimin se një “proces i dobët i reduktimit të borxhit” në sektorin privat mund të shkaktojë një tjetër krizë financiare. “Në rastin e mundshëm të një krize financiare, një pozitë e dobët fiskale do ta thellojë dhe do ta zgjasë periudhën e recesionit që do të pasojë, duke qenë se aftësia për të pasur një politikë fiskale kundërciklike po zbehet gjithnjë e më shumë”, shkruhej më tej në publikimin e bërë nga FMN-ja.

Sipas FMN-së, me zgjerimin e ekonomisë globale, vende si SHBA-ja duhet të ndalojnë përdorimin e taksave më të ulëta ose shpenzimeve më të larta publike për të nxitur rritjen dhe në vend të kësaj të përpiqen, të ulin barrën e borxheve të sektorit publik në mënyrë që vendet të kenë më shumë liri veprimi në një recesion të ardhshëm të mundshëm. “Në Shtetet e Bashkuara, politika fiskale duhet të rikalibrohet, në mënyrë që raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB-së të ulet në një periudhë afatmesme. Kjo mund të arrihet duke pasur të ardhura më të larta dhe duke frenuar gradualisht dinamikën e shpenzimeve publike, si dhe duke e zhvendosur atë drejt investimeve të nevojshme infrastrukturore”.

Tani për tani nuk ka asnjë tregues që administrata Trump të ketë vendosur ndonjë objektiv për të rritur taksat, siç rekomandon FMN-ja dhe në vend të kësaj, shpreson që rritja më e shpejtë do të sigurojë të ardhurat e nevojshme, diçka që sipas FMN-së dhe mbikëqyrësit fiskalë të SHBA-së, nuk është e mundur.
Problemi i borxhit nuk është i kufizuar vetëm për ekonomitë e përparuara, sepse edhe borxhi i vendeve të mesme është në nivele shumë të larta, si ai gjatë krizës së borxhit të vitit 1980. Përjashtuesit e kësaj liste ishin Gjermania dhe Holanda, të cilat FMN-ja tha se kishin “hapësirë të mjaftueshme fiskale” për të rritur investimet publike në infrastrukturë dhe për të përmirësuar elasticitetin afatgjatë të ekonomive të tyre.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz