Koncesionet me Partneritet Publik –Privat janë rreziku më i ri fiskal që po i kanoset vendit. Fondi Monetar Ndërkombëtar në risimin e katërt të marrëveshjes me Shqipëri renditi për herë të parë, formën e re koncesionare ku shteti hyn në partneritet me privatet si një ndër katër rreziqet kryesor për stabilitetin buxhetor të vendit.
“Partneriteti Publik –Privat (PPP)” mund të jetë një mënyrë efektive për të shfrytëzuar know-how dhe ekspertizën e menaxhimit sektorit privat. Megjithatë, ata mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme për financat publike” referon FMN në marrëveshje.
Më tej Fondi cilëson se, autoritetet qeveritare kanë garantuar se, kuadri ligjor dhe rregullator vlen për PPP-të, që të ndjekin praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kostot fiskale të trajtohen në mënyrë transparente për në llogaritë fiskale dhe statistikat e borxhit.
Sakaq qeveria është përfshirë në një valë koncesionesh me partneritet privat. Më i bujshmi ka qenë koncesioni për “check up” e shërbimit bazë shëndetësor, me një vlerë 7.3 miliardë lekë për një periudhë 10 vjeçare. Koncesioni i përfolur për mungesën e transparencës në detajet e kontratës, do të ketë impakt në buxhet nëse kompania “Marketing & Distribution” nuk realizon numrin e vizitave të programuara. PO në sektorin e shëndetësisë është duke u bërë gati dhënia me koncesion për shërbimin laboratorik dhe për sterilizimin.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar me herët se ka gati mbi 60 koncesione për të dhënë në formën e partneritetit publik që përshijnë që nga investimet në infrastrukturë dhe deri tek shërbimet publike.
Banka Botërore ka vlerësuar se koncesionet me partneritet, Publik-Privat janë një proces i komplikuar, i cili kërkon ekspertizë të specializuar, të cilën sektori publik tipikisht duhet ta ndërtojë.
Banka Botërore referon se, eksperienca botërore ka treguar se një Partneritet Publik – Privat i përgatitur keq shumë rrallë arrin sukses (sepse nuk tërheq interesin e sektorit privat) ndaj kërkohet pak durim, sepse përgatitja e këtij partneriteti kërkon kohën e vet – me një llogaritje të thjeshtë, dy a më shumë vjet (që nga konceptimi deri në ndërtim).
Banka cilëson se, shumica e Partneriteteve Publik – Privat ndodhin në sektorët e infrastrukturës (siç janë energjia, transporti, uji dhe kanalizimet, telekomi) dhe më pak në ata që quhen përgjithësisht sektorët e butë (siç është shëndetësia).
Sipas vlerësimit të Bankës Botërore tërheqja e investitorëve ka të ngjarë të kërkojë një qasje të veçantë të portofolit (disa projekte janë më tërheqëse për investitorët). Vendet më të vogla mund të kenë një numër të kufizuar projektesh për të zhvilluar. Shqyrtimi i duhur i projekteve është i rëndësishëm, duke konsideruar qartë se cilat projekte duhet të ndërmerren dhe cilat jo për këtë partneritet.
Së fundmi, Banka Botërore ashtu si edhe FMN ka i vlerësuar këto partneritet rreziqe fiskale. “Përzgjedhja e një Partneriteti Publik – Privat duhet mbështetur në një studim kosto – përfitim dhe krahasimit vlerë – kundrejt parasë. Eksperienca ka treguar se qeveria mund vërtet të ketë kosto fiskale më të mëdha me një Partneritet Publik – Privat të hartuar keq, veçanërisht të atyre që lidhen me garancitë për të siguruar financim privat apo rinegocim kontratash. Garancitë janë një element kyç në negocimin e një Partneriteti Publik – Privat. Ato janë të nevojshme për t’i shmangur sektorit privat ato risqe që nuk mund të parashikohen, siç janë rrisqet nga kursi i këmbimit. Megjithatë, ka raste kur garancitë mund të mos jenë analizuar me të njëjtat detaje siç është një shpenzimi tradicional publik gjatë një procesi buxheti. Prandaj, qeveria duhet të studiojë me kujdes shkallën e transferimit të riskut për projektet e Partneritetit Publik Privat dhe të jetë e vëmendshme për detyrimet e mundshme të kontigjencës që rrjedhin prej tyre”, sugjeron BB.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.