Fondi Monetar Ndërkombëtare, në raportin e fundit të tij për Shqipërinë tërheq vëmendjen që të bëhet kujdes në moskrijimin e detyrimeve të reja të prapambetura ndaj biznesit.
Sipas një vëzhgimi që FMN ka bërë për muajin mars ka treguar se janë krijuar 360 milionë lekë (rreth 0.03 % të PBB-së) detyrime të reja gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, sipas FMN-së kjo reflekton gjerësisht vonesa nga një pjesë e këtyre institucioneve për të regjistruar bonot në Thesar në kohë të mjaftueshme për të marrë pagesën.
FMN pohon se ka dhënë instruksione që do të shmangnin këto vonesa në ët ardhmen. Institucioni pret që qeveria shqiptare të qartësojë në mënyrën e dyhur çdo detyrim të prapambetur që do të zbulohet përgjatë këtij procesi.
FMN thekson se do të vazhdojë të forcojë aftësinë raportuese për të dhënat financiare të agjencive qeveritare.
Raporti tremujor i grumbullimit të detyrimeve të prapambetura, i kryer për herë të parë në prill 2014, që synonte të mblidhte informacion mbi detyrimet e papaguara të pesë ministrive qendrore do të vazhdojë në gusht dhe do të zgjerohet që të përfshijë dhe objektivat e vazhdueshme strukturore, theksohet në raportin e FMN-së. FMN do të vazhdojë të japë një raport të konsoliduar, 75 ditë pas mbarimit të çdo tremujori. Në tetor, do të mbulohen dhe 5 ministri shtesë.
Deri në fund të muajit korrik pritet që kthimi i detyrimeve të prapambetura të arrijë 25 miliardë lekë. Lëvrimi i detyrimeve të prapambetura është përshpejtuar ndjeshëm muajt e fundit, pas presioneve të rritura nga Ministria e Financave tek ministritë e linjës dhe institucionet e tjera me të cilat bizneset kishin lidhur kontratat.
Në mars, qeveria shqiptare miratoi strategjinë e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, që u llogaritën në rreth 72 miliardë lekë dhe do ktheheshin përgjatë 2014-2016, ndërsa Ministri i Financave deklaroi pak ditë më parë se ky proces mund të mbarojë në maj të 2015-s.
Deri në fund të muajit korrik, financat do të shlyejnë 25 miliardë lekë.
Ndërkohë, së shpejti pritet të fillojë punën kompania audituese Ersten Young, që do të auditojë procesin e deritanishëm të shlyerjes së detyrimeve. Auditimi është kërkuar nga FMN e cila në raportin e saj të fundit thekson se ka një vonesë në përmbushjen e objektivit strukturor për kontraktimin e auditorëve të jashtëm që do të zhvillojnë auditin e bazuar te risku të ecurisë së pagesave të prapambetura, i cili nuk është përmbushur, por që qeveria pret që ta plotësojë atë në javët në vijim.
Pas procesit të auditit pritet të përshpejtohet kryerja e pagesave të prapambetura. Qeveria synon që deri në fund të vitit të paguajë në total 35 miliardë lekë detyrime të infrastrukturës, rimbursim të TVSH-së, apo pagesa të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.