E PERDITESUAR/ Misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përmbyllur vizitën në Tiranë. Në një konferencë për shtyp, Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se ekonomia shqiptare po konfirmon stabilitet, ndërsa qeveria i mbetet besnike parashikimit për rritje 3.4% për vitin 2016. Kjo rritje do të jetë pozitive, sipas Ahmetaj, pavarësisht ndonjë ndikimi që mund të vi nga faktorët e jashtëm.
Sipas Ahmetaj qeveria është e angazhuar në përpjekjet e saj për të ulur nivelin borxhin publik.
Sipas tij për biznesin do të ketë thjeshtim për procedurat tatimore dhe doganore, duke ruajtur performancën e qendrueshme të të ardhurave.
Ministri Ahmetaj sqaroi se kuadri fiskal po diskutohet me FMN dhe se Paketa e re Fiskale do të kalojë në qeveri për miratim brenda korrikut. Sipas tij hiqet frika e biznesit për rritje taksash dhe konsolidohet sistemi.
Ndërsa përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë Anita Tuladhar tha se ekonomia shqiptare do të rritet brenda parashikimeve dhe se të ardhurat nga tatimet dhe doganat në përgjithësi janë në përputhje me parashikimet e bëra në buxhet, duke konfirmuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për reformat e ndërmarra.
“Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet e Shqipërisë mbi
politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e tetë të EFF-së. Programi ekonomik i
vendit po ecën përgjithësisht në drejtimin e duhur, duke shënuar ecuri të mirë në çuarjen
përpara të reformave strukturore në fusha si legjislacioni për falimentimin dhe duke
përmbushur të gjitha kriteret sasiore të performancës të përcaktuara nga programi.
Megjithatë, rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në qeverisjen qendrore, kryesisht në
projektet e investimeve publike, paraqet një sfidë kryesore. Po ashtu, ka pasur vonesa në
miratimin e planit të ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
“Ekipi i Fondit pret që rimëkëmbja ekonomike të forcohet, duke parashikuar që, për vitin
2016, rritja e PBB-së të arrijë në 3,4 për qind, mbështetur nga një fluks i madh investimesh
të huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjitik dhe rritje graduale e kërkesës së brendshme,
ndërkohë që politika monetare vijon të jetë lehtësuese. Inflacioni pritet të mbetet në nivele të
ulëta, duke u rritur gradualisht gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016, për të shënuar 1,8 për qind
në fund të vitit, orientuar nga një rimëkëmbje graduale të çmimeve të naftës dhe ushqimit.
“Buxheti i vitit 2016 synon të arrijë një sufiçit primar prej 0,3 për qind të PBB-së. Të
ardhurat nga tatimet ishin në përputhje me objektivat e vendosura gjatë pesë muajve të parë
të vitit 2016, pavarësisht çmimeve jo të qëndrueshme të naftës dhe inflacionit të ulët, duke
reflektuar pjesërisht rezultatet e para të përpjekjeve të qeverisë për përmirësimin e të
ardhurave nga tatimet. Sidoqoftë, performanca e dobët e taksave vendore thekson se sa
urgjente është vendosja e tatimit mbi pronën bazuar në vlerën e saj. Për të siguruar një
konsolidim të vazhdueshëm fiskal, do të jenë me rëndësi përpjekjet për zgjerimin e bazës
tatimore si edhe forcimi i administratës tatimore. Po kështu, qeveria duhet të rrisë përpjekjet
për të parandaluar grumbullimin e detyrimeve të reja të prapambetura dhe për të përmirësuar
planifikimin dhe zbatimin e investimeve.
“Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për politikë monetare lehtësuese mbetet i duhuri dhe është
në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Zbatimi i shpejtë i
strategjisë për zgjidhjen e çështjes së kredive nën standart do të jetë me rëndësi për
fuqizimin e huadhënies për sektorin privat, edhe nëpërmjet përmirësimit në ekzekutimin e
kolateralit. Sektori bankar mbetet tejet likuid dhe i kapitalizuar mirë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë fjalës së tij tha se banka ka qenë e angazhiuar me misionin e radhës të FMN, si dhe në përcaktimin e politikave mbështetëse për ekonominë shqiptare. Sipas tij ambjenti i jashtëm nuk është shumë pozitiv për ekonominë e vendit.
Sipas guvernatorit ekonomia do të vazhdojë të performojë me pozitivitet dhe se plani konsistent mbështet politikat monetare. Ai tha se do të ketë përmirësim progresiv për rritmet e rritjes ekonomike. Guvernatori theksoi se mbatja e inflacionit brenda objektivave do të jetë graduale dhe në periudhë afatmesme.
Sejko tha se bankat duhet të kenë qasje më pozitive ndaj kreditimit dhe se duhet të përshpejtohen reformat strukturore.
“Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e tetë në gusht 2016. Aprovimi
i shqyrtimit do të mundësonte lëvrimin e 28,65 milion SDR (rreth 35,94 milion euro).
Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014 .
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.