Ekipi i misionit të FMN-së do të fillojë negociatat për një program të ri të Kosovës me FMN-në, shkruajnë mediat vendase.
Ky program i ri me FMN-në, e rrit besueshmërinë e partnerëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare ndaj Qeverisë së Kosovës dhe mundëson hyrjen në kredi afatgjate, me kushte shumë të volitshme, për të financuar projektet e Qeverisë së Kosovës.
Kështu deklaroi gjatë një takimi mes ministrit të Financave Avdullah Hoti dhe zëvendësdrejtorit menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ministri Hoti e falënderoi MinZhu për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe informoi atë për planin zhvillimor të Qeverisë së Kosovës, ku sipas tij parashihen një sërë masash të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe financiar të Kosovës. Ai me këtë rast gjithashtu konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim sa më të ngushtë me FMN-në, shkruan Kosova Press.
Ndërsa, zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së MinZhu e vlerësoi lart përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe progresin e arritur në Kosovë deri më tani dhe gjithashtu bëri të ditur se vizita e tij në Kosovë tregon përkushtimin e FMN-së për zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.