Vendimi për disbursimin e transhit të tretë të huasë duket se është shtyrë në një afat të papërcaktuar, duke e detyruar qeverinë që të kërkojë financime në tregun e brendshëm, duke rritur presionin mbi tregun e letrave me vlerë…
Ndryshe nga viztat e tjera ekipi i misionit të FMN-së, ( i udhëhequr nga Nadeem Ilahi) që ishte në Tiranë në fillim të shtatorit, u largua pa dhënë konferencën e përbashkët për shtyp me autoritetet shqiptare në ditën e fundit të qëndrimit, për shkak të axhendës së ngjeshur. Me interes pritej sidomos qëndrimi i institucionit për arrestimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, që ndodhi në kohën kur misioni ishte në Shqipëri.
Disa ditë më vonë, në një njoftim zyrtar për shtyp, FMN ka sqaruar shkurtimisht se ekipi i stafit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ishte në Tiranë gjatë periudhës 26 gusht deri në 9 shtator 2014, për të zhvilluar diskutime në kuadër të shqyrtimit të dytë nën marrëveshjen Fondi i Zgjeruar (EFF).
Sipas deklaratës së FMN-së “Ekipi diskutoi një sërë çështjesh me autoritetet, përfshirë buxhetin e vitit 2015, reformat strukturore, si dhe qeverisjen e Bankës së Shqipërisë dhe kuadrin e politikave. Diskutimet dhe përfundimi i shqyrtimit do të vazhdojnë nga Uashingtoni dhe misioni do të kthehet për të përfunduar punën e tij në një datë të mëvonshme”, përfundon deklarata e FMN.
Skeduli i programit të disbursimit të kredisë parashikon datën 15 shtator si kohën për disbursimin e transhit të tretë të huasë prej 23.55 milionë SDR, rreth 26 milion euro (dy të tjerat janë marrë tashmë nga qeveria shqiptare).
Deri në këtë kohë FMN duhet të ketë bërë publik rishikimin e kritereve të performancës deri në fund të qershorit, mbi bazën e të cilit Fondi merr vendimin nëse do të lëvrojë këstin e radhës.
Lënia përgjysmë e negociatave shtyn automatikisht dhe disbursimin e transhit të tretë të kredisë, sepse disbursimi bëhet vetëm pas miratimit nga Bordi.
Gjithsesi, edhe në kushte normale afati i vendosur fillimisht në program ishte shumë i hershëm për t’u arritur, por pas zhvillimeve të fundit, marrja e tij duket se është shtyrë në një afat të papërcaktuar, duke e detyruar qeverinë që të kërkojë financime në tregun e brendshëm, duke rritur presionin mbi tregun e letrave me vlerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.