Drejtori i Departamentit Europian të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Poul Thomsen, është shprehur optimist në lidhje me zgjedhjet e parakohshme në Turqi.
“Vitin e kaluar, falë politikave fiskale pjesërisht ekspansioniste në Turqi, vumë re një rritje ekonomike shumë të fuqishme. Politikat mbështetëse të ekonomisë ishin me vend për shkak të paqartësisë pas tentativës për grusht shteti (të 15 korrikut 2016). Unë mendoj që reagimi i politikës ishte i arsyeshëm”, deklaroi Thomsen të shtunën, në përgjigje të pyetjeve të Agjencisë Anadolli (AA) në lidhje me ekonominë turke.
Ai theksoi se ekonomia e Turqisë ka regjistruar rritje shumë më të lartë sesa potenciali i saj aktual.
I pyetur rreth vendimit për të afruar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi, drejtori i Departamentit Europian të FMN-së u përgjigj me fjalët: “Uroj dhe shpresoj që mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme të eliminojë të gjitha paqartësitë në tregje.”
Në raportin mbi Perspektivën Ekonomike Botërore, publikuar në fillim të kësaj jave nga FMN-ja, parashikimi për rritjen ekonomike të Turqisë në vitin 2018 u rrit në nivelin 4,4 për qind, ndërsa ai për vitin 2019 u ul në 4 për qind. Sipas raportit të përditësuar të muajit janar mbi Perspektivën Ekonomike Botërore, parashikimet në fjalë të FMN-së ishin në nivelin 4,3 për qind.
Sa i përket vitit 2017, Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte ngritur në 7 për qind parashikimin e tij për rritjen ekonomike të Turqisë, nga 6,3 për qind sipas një raporti të mëhershëm të institucionit; ndërkohë që ajo u realizua në nivelin 7,4 për qind./ TRT TURKEY