Papunësia në Kosovë vijon të mbetet një sfidë për vendin edhe për disa kohë, vlerëson në një intervistë për KosovaLive, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Frank Lakwijk.
Kosova ka një popullsi shumë të re, një forcë potenciale, por shkalla e papunësisë tek kjo kategori është shumë e lartë. Bazuar në statistikat zyrtare, çdo vit popullsia e moshës së punës rritet për 25 mijë njerëz, që është një shifër shumë më e madhe sesa numri i vendeve të reja të punës që hapen çdo vit në Kosovë. Ndërkohë, gjatë tri viteve të fundit, rritja ekonomike në Kosovë mesatarisht ka qenë rreth 3% në vit .
“Në mënyrë që të ketë rritje të numrit të njerëzve që punësohen çdo vit dhe të zvogëlohet papunësia, nevojiten normat e rritjes ekonomike, që janë dukshëm më të larta sesa realiteti i kohëve të fundit,” thotë Lakwijk.
Sipas tij, rezultatet e tregut të punës në Kosovë, si në shumë vende të Ballkanit Perëndimor janë më keq se në vendet e Evropës Juglindore dhe Qendrore. “Kjo është e ndërlidhur me fillimin e vonshëm të procesit të tranzicionit drejt ekonomisë së tregut, si dhe me efektet e emigrimit dhe remitencat. Ndërkohë që remitencat ofrojnë mbështetje të rëndësishme për familjet, ato gjithashtu zvogëlojnë nxitjen për t’u punësuar dhe rrisin çmimet dhe nivelet e pagave, duke penguar konkurrencën”, thotë për KosovaLive, Lakwijk.
Në një ekonomi të tregut të tillë si të Kosovës, ai thekson se është sektori privat ku punësimi duhet të krijohet për të thithur forcën punëtore dhe të zhduk papunësinë. Krijimi i një mjedisi të favorshëm për investime në vend, sipas tij, do të tërheqë investitorë të huaj, si dhe të inkurajojë investitorët vendas për të filluar dhe zgjeruar aktivitetet. Ai shton se rezultati i kësaj do të ishte punësimi më i lartë pasi që bizneset e zgjeruara do të punësonin më shumë njerëz.
Lakwijk nënvizon se shteti duhet të forcojë sundimin e ligjit, sepse siç thotë, ky është çelësi për zhvillimin ekonomik të ardhur nga investimet, duke filluar me zbatimin më të mirë të kontratës dhe të shtrirë në përmirësimin e të drejtave ligjore në të gjitha aspektet për të reduktuar korrupsionin që pengon investimet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.