Nga 1 prilli, të gjitha bizneset që kanë xhiro vjetore më të lartë sesa 2 milionë lekë në vit do të hyjnë në skemën e TVSH-së. Tatimet kanë vlerësuar se janë rreth 11 mijë biznese që në një fazë të parë do të duhet të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH për herë të parë në muajin korrik (TVSH-ja e biznesit të vogël do të deklarohet një herë në tre muaj).
Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur sërish skepticizmin lidhur me uljen e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. Në një takim me mediat, përfaqësuesja e Misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar tha se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave.
Që në tetor të vitit të kaluar, kur qeveria prezantoi planin e saj për të ulur pragun e TVSH-së, FMN-ja e shprehu hapur skepticizmin e saj. Më herët, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual.
Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin kanë vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”.
Pavarësisht këshillave të FMN-së dhe ekspertëve të tjerë, qeveria u shpreh e vendosur që të vazhdojë me planin e saj dhe brenda pak ditësh ekonomia shqiptare do të testojë pasojat që do të ketë TVSH-ja te bizneset e vogla dhe tek të ardhurat buxhetore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.