Një vit pas miratimit të huasë, Fondi Monetar Ndërkombëtar sheh me shqetësim nivelin e lartë të kredive me probleme në vendin tonë. Ulja e kredive me probleme ishte argumenti kryesor i marrjes së huasë 330 milionë dollarë një vit më parë, por ato kanë mbetur afër nivelit 25% të totalit të kredive. Në një intervistë për ABC News, përfaqesuesi i përhershëm i FMN-së në vendin tonë i kërkon qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë të gjejë arsyet e të përshpejtojë hapat për uljen e tyre.
“Kredite me probleme mbeten shumë të larta. Sigurisht ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë. Pagesat e bëra mund të përfshijnë vlera që jo domosdoshmërisht u përkasin kompanive që kanë detyrime në banka. Gjithsesi, 40 miliardë lekë kanë kontribuar në rritjen e likuditetit në sektorin privat. Ne po shohim arsyet, ndersa ftojmë qeverinë dhe bankë qendrore te shqyrtoje nivelin e kredive me probleme e të rrisë përpjekjet për t’i ulur ato”.- ka deklaruar ai.
Nën vëzhgimin e FMN-së rezultojnë të jenë përfshirë edhe lëvizjet e Ministrit të Financave në fund të vitit. Përdorimi i Letër Kredive si formë pagese, si dhe shpenzimet e rritura publike në fund të vitit, pritet të skanohen në misionin e ardhshëm të FMN-së, kur do të shqyrtohen edhe shpenzimet publike për 2014-ën.
“Letrat e kredisë mund të jenë një mënyrë normale e pagesave me prokurim. Gjithsesi ne po shohim shpeshtësinë e këtij përdorimi ashtu si edhe nivel i lartë të shpenzimeve per investime në një periudhë të shkurtër, ku një pjesë e madhe është paguar me letër kreditë. Ne do ta shqyrtojmë këtë çështje, veçanërisht gjatë pranisë së misionit në Shqipëri. Do të shohim nëse përputhet me procedurat ligjore dhe gjetjet tona do t’ua komunikojmë në fund të misionit.
Përsa u përket investimeve publike, në gjysmën e parë të vitit 2014, qeveria nuk ka qeneë efektive në implementimin. Pritej rritje shpenzimesh në gjysmën e dytë, por ka pasur rritje të habitshme të shpenzimeve në fund të vitit. Këtë e shohim me shqetësim dhe është diçka për të cilën jemi të interesuar”.
Misioni i ardhshëm pritet të jetë më pesimist për rritjen e ekonomisë sonë. Ekspertët e Fondit duket se janë tërhequr nga pariashikimet e tyre per një rritje prej 3% pas uljes së çmimit të naftës në botë, e problemeve ekonomike që po shfaq Evropa. Të gjitha këto pritet të prekin negativisht Shqipërinë.
“Ju keni plotësisht të drejte kur thoni se parashikojmë një rimëkembje të ekonomisë përfshirë rritjen ekonomike. Ndërkohë, kemi verifikur se ka \dy faktorë që mund të ulin parashikimet që kishim për rritjen. Këto përfshijnë: çmimin e naftës dhe efektin në industrinë shqiptare dhe përfshijnë, siç thatë edhe ju, klimën në tregun e Bashkimit Evropian. Ndaj duket se rritja ekonomike do të jetë pak më e ulët se 3% dhe ne fakt javës tjetër do të vijë një grup pune nga Washingtoni, që do të shikojë zhvillimet makroekonomike dhe sigurisht të komunikojë gjetjet tona. Unë nuk do të habitesha nga një rritje më e reduktuar e ekonomisë, ndonëse nuk pres ndryshime thelbësore”.
Bazë për rritjen e ekonomisë këtë vit pritet të jetë bujqësia, eksportet dhe sektori i ndërtimit, ndërsa industria e nxjerrjes së naftës do të jenë ndikim negative në ekonomi./ ABC NEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.