Përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërisë, Nadeem Ilahi Nadeem Ilahi është shprehur optimist lidhur me ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria në fushën e energjisë dhe konsolidimit fiskal gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me autoritetet shqiptare, në fund të vizitës dy javore të misionit në Shqipëri.
Z.Ilahi pohoi se programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit dhe misioni i FMN-së ka arritur një marrëveshje në nivel stafi me qeverinë shqiptare. “Pritshmëritë tona janë se rritja ekonomike do të jetë rreth 2%, e udhëhequr nga eksportet, prodhimi i naftës, shlyerja e detyrimeve të prapambetura si dhe rimëkëmbja e kërkesës së brendshme”, tha ai, duke shtuar se aktiviteti ekonomik vazhdon të jetë nën potencial.
Në kahun fiskal, performanca mbetet në linjë me atë që është rënë dakord me autoritetet dhe është në përgjithësi e kënaqshme. Edhe në 2015 autoritetet janë të angazhuara për uljen e borxhit publik. Për herë të parë vitin e ardhshëm pritet që të shkohet drejt uljes së borxhit publik.
Ilahi tha që edhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë duhet të vazhdojë të mbështesë politikat ekonomike. Ka shenja të rritjes së kreditimit, por ajo mbetet e ulët, ka një mungesë të dëshirës së sistemit bankar për të marrë përsipër risk, ndaj është e nevojshem reforma në drejtim të zbatimit të kontratave, rekomandoi ai.
Lidhur me politikat për energjinë Ilahi tha se janë bërë hapat e parë të rëndësishëm në zbatimin e reformave në këtë sektor. Stafi i FMN-së mirëpret planin e qeverisë për t’i dhënë kompensim shtresave të varfëra. Ilahi theksoi se misioni i stafit të FMN-së mbështet punën e qeverisë në drejtim të politikave të ndërmarra.
“Ne kemi arritur marrëveshje me qeverinë për rishikimin e dytë dhe të tretë të programit të fondit, që do t’i paraqitet bordit të FMN-së, dhe pas miratimit do të lëvrohet kësti i radhës, deri nga fundi i janarit”. Shuma e lëvruar do të jetë 53 milionë euro.
Ilahi tha se FMN i qëndron parashikimit për rritje ekonomike prej 3% vitin e ardhshëm, pavarësisht mjedisit të dobët të jashtëm.
Më parë ministri i financave Shkëlqim Cani deklaroi se “Objektivat e këtij viti përsa i përket deficitit fiskal dhe borxhit publik janë të arritshme si rrjedhojë e performancës së mirë të tatimeve e doganave”. Është paguar pjesa më e madhe e detyrimeve, që arrin në 26 miliardë lekë. Bazuar në auditin ndërkombëtar, që nuk nxorri parregullsi, do të vazhdohet me pjesën e mbetur të detyrimeve, për të arritur në shumën e premtuar brenda këtij viti prej 35 miliardë lekësh.
Cani tha se buxheti 2015 nxit ekonominë në dy drejtime: së pari përmes shpenzimeve kapitale në nivelin e 5.4% të PBB-së dhe së dyti duke mbështetur reformat e thella si në energji, pensione dhe uljen e borxhit publik.
“Jemi të angazhuar për të vazhduar konsolidimin fiskal dhe për të ulur borxhin”, tha Cani. Ai vlerësoi ecjen përpara të reformës në tatime e dogana. Ligji i ri për TVSH-në lehtëson rimbursimin e TVSH-së, tha ministri, duke audituar vetëm veprimet që janë me risk të lartë, çka përshpejton shumë procesin. Një tjetër hap është zhvillimi i kadastrës fiskale, që do të përmirësojë mbledhjen e taksës së pronës, ku financat shpresojnë të rrisin rendimentin.
“Energjia prej shumë vitesh përbën një barrë të rëndë fiskale për shkak të keqmenaxhimit të sektorit”, tha Cani. Ne jemi të vendosur të nxjerrim sistemin nga kriza, me anë të reformave, tha ministri. Këto reforma mbështeten dhe nga marrëveshja me Bankën Botërore. Qeveria do të synojë që barra fiskale e energjisë të vijë në rënie, ndërkohë që do të mbështeten shtresat e prekura.
Marrëveshja me FMN ndërmjetëson një tranzicion më të butë për uljen e nivelit të borxhit, tha Cani, duke shtuar se qeveria është e angazhuar në këtë drejtim.
Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se viti 2015 merr përsipër të fillojë korrektimin e 22 vjet keqmenaxhim në sistemin energjetik shqiptar, që do të jetë dhe një nga instrumentet që do të përmirësojë dhe situatën fiskale.
Zv/guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Elisabeta Gjoni pohoi se sipas vlerësimeve të bankës qendrore ka pasur një gjallërim të lehtë të ekonomisë dhe parashikimet flasin për një gjallërim në të ardhmen. Ajo shtoi se presionet inflacioniste janë të ulëta, ndërsa kapacitetet vazhdojnë të jenë të pashfrytëzuara.
Sipas saj problemi kryesor i ekonomisë shqiptare mbetet gjenerimi i rritjes ekonomike. Ajo shtoi se rritja ekonomike do të përballet me kufizime edhe si rrjedhojë e konsolidimit fiskale. Ajo kërkoi që politikat ekonomike të ruajnë një kah stimulues, ndërsa në afatin e gjatë duhen përshpejtuar reformat strukturore. Megjithatë, ajo pranoi se politika e konsolidimit fiskal, krahas efekteve afatshkurtra siguron qëndrueshmëri afatgjatë.
Gjoni tha se politika monetare do të vazhdojë të jetë lehtësuese, duke paralajmëruar hapa të tjerë në këtë drejtim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.