FMN paralajmëron se sektori bankar sot është më i ndjeshëm ndaj goditjeve për shkak se bankat po mbajnë sasi të mëdha të obligacioneve qeveritare, që mund të shkaktojnë humbje të ndjeshme për to në rast se zhvlerësohet borxhi publik.
Bilancet e bankave janë përkeqësuar, si rezultat i një rritjeje të shpejtë të kredive me probleme. Dobësitë në banka janë konfirmuar nga stres-teste të zhvilluara nga Fondi
Në Raportin e Sistemit Financiar të Shqipërisë për 2013, që është publikuar së fundmi, Fondi Monetar Ndërkombëtar konkludon se borxhi publik afatshkurtër i qeverisë paraqet një risk jo të vogël për financat në vend. Me një tregti të ndikuar nga euro, ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj rreziqeve të jashtme.
Sipas Fondit, sektori bankar sot është më i ndjeshëm ndaj goditjeve për shkak se bankat po mbajnë sasi të mëdha të obligacioneve qeveritare që mund të shkaktojnë humbje të ndjeshme për to, në rast se zhvlerësohet borxhi publik. Bilancet e bankave janë përkeqësuar, si rezultat i një rritjeje të shpejtë të kredive me probleme. Lidhja e fortë e institucioneve financiare me borxhin e qeverisë duket se paraqet sfida të reja për këtë sistem.
Ndërsa këto investime kanë ndihmuar në diversifikimin e tregut të letrave me vlerë të qeverisë, ato janë të mbikëqyrura në mënyrë joadekuate dhe klientët po investojnë këtu dhe jo në depozita. Duke pasur parasysh mungesën e një tregu sekondar funksional për obligacionet e qeverisë, fondet përballen me rrezik të lartë të likuiditetit. Për më tepër, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta me bankat, kjo mund të çojë në një presion për rënien e depozitave.
Dobësitë në banka janë konfirmuar nga stres-testet. Në skenarët ekstremë makroekonomikë, nëse bankat pësojnë humbje nga kreditë, tregu dhe borxhi publik, dhe të paktën gjashtë banka (që përfaqësojnë 21% të aseteve të sistemit bankar në Shqipëri) mund të gjenden në mungesë kapitali. Testet e ndjeshmërisë gjithashtu tregojnë se një zhvlerësim i lekut do të përkeqësonte cilësinë e portofolit të huave dhe se rreziku do të rritej.
Për të përmirësuar situatën, FMN këshillon qeverinë që të ulë nivelin e kredive të këqija në sistem, të pakësojë rreziqet nga investime në letrat me vlerë, të ulë ekspozimin e ekonomisë ndaj euros dhe të përmirësojë mbikëqyrjen e institucioneve financiare jo-banka.
Kërcënimet
Sektori financiar operon në një mjedis të pasigurt makroekonomik dhe financiar botëror dhe përballet me disa rreziqe:
-Vala e paqëndrueshmërisë globale financiare, së bashku me daljen nga politika monetare jokonvencionale mund të çojë në presione të zhvlerësimit dhe/ose rritjen e normave të interesit të vendit, duke i ekspozuar bankat ndaj riskut të kredive dhe tregut. Ndërsa deficiti i lartë i llogarisë korrente është financuar kryesisht nga Investimet e Huaja Direkte dhe huave zyrtare, presionet e financimit të lidhura me paqëndrueshmërinë e tregut global mund të komplikojnë më shumë e eurobondet e qeverisë.
-Rishfaqja e ndonjë tjetër stresi financiar në Eurozonë mund të rrisë presionet në tregun bankar. Degët e bankave të prekura mund të jenë të detyruara të ulin kreditimin. Nëse do të ketë edhe presione likuiditeti, kapaciteti i BSH-së për të vepruar si një huadhënës në monedhë të huaj është i kufizuar.
-Përkeqësimi i besimit të tregut të brendshëm mund të shkaktojë stres të madh, duke pasur parasysh lidhjet e forta financiare ndërmjet borxhit publik, sektorit bankar dhe zhvillimit të fondit të investimeve.
Nëse pabarazitë ekzistuese makroekonomike dhe presionet fiskale nuk adresohen me vendosmëri, borxhi publik mund të humbasë vlerësimin në treg, duke çuar në një zhvlerësim të mprehtë të monedhës vendase, duke kërcënuar aftësinë paguese të bankave.
Nga ana tjetër, presionet e likuiditetit në fondet e investimeve do të mund të çojë në një largim prej obligacioneve të qeverisë, duke minuar për pasojë nevojat financiare të qeverisë.
Norma më të larta interesi mund të çojnë në humbje për bankat që mbajnë një peshë të madhe të borxhit të qeverisë. Pagesat e borxhit të qeverisë si pasojë mund të rriten më tej, duke çuar në rritjen e kredive të këqija me ekspozim nga qeveria.
-Një periudhë e zgjatur e rritjes më të ngadaltë në ekonomitë e zhvilluara dhe në zhvillim. Ekonomia mund të mbetet e dobët, si rezultat i rritjes së dobët në partnerët europianë tregtarë (duke sjellë rënie në tregti dhe remitancave) ose zbatimit të dobët të reformave të brendshme. Kreditë me probleme mund të rriten më tej, duke kërkuar provigjionim shtesë dhe duke ndikuar negativisht fitimin e bankave. Nëse kjo kërcënon kapitalizimin e bankave shqiptare dhe të huaja, bankat mëmë nuk mund të japin kapital shtesë, bankat mund të jenë e detyruara të ulin raportet e detyrimeve ndaj mjeteve të veta, duke dëmtuar rimëkëmbjen ekonomike.
Dobësitë e bankave
Fitimi i ulët bankar dhe rritja me shpejtësi e kredive me probleme. Raporti i kredive të këqija është rritur nga 3.4% në fund të vitit 2007 në më shumë se 24% në shtator 2013. Kjo reflekton dobësinë ekonomike dhe borxhet e qeverisë (që vlerësohen që së fundmi kanë arritur në më shumë se 5% të PBB-së), por pasojat e një bumi të kreditimit para krizës globale financiare, kur mangësitë në mbikëqyrjen e standardeve të lejuara çuan në këtë situatë.
Cikli i kredisë ka lëvizur tani në një fazë të rënies dhe rikuperimit. Ndërsa këto rreziqe janë zbutur disi nga treguesit e aftësisë paguese që janë mbi normat ndërkombëtare, dhe rregullat e shtrënguara në dhënien e huave, kreditë me probleme neto ende arrijnë në 55% të kapitalit të bankave. Përveç kësaj, fitimi i bankave ka rënë ndjeshëm dhe shënoi një vlerë negative në shtator 2013 (-1.7%).
Euroizimi i lartë financiar.
Edhe pse pozitat neto në euro janë të vogla, ka rreziqe të tilla si: gjysma e kredive në monedhë të huaj janë dhënë te huamarrës të pambrojtur, ka mospërputhje të mëdha në maturim dhe rreziku i kredisë për kreditë në euro mund të nënvlerësohet pasi si rreziku i tërthortë i kursit të këmbimit mund të jetë i vështirë të matet. Përveç kësaj, një ndalesë e papritur në Investimet e Huaja Direkte do të ndikonte drejtpërdrejt në likuiditetet në euro dhe Banka e Shqipërisë ka një kapacitet të kufizuar për të vepruar si një huadhënës i fundit në monedhë të huaj.
Lidhje të forta midis fondeve investuese, bankave dhe borxhit publik
Një e treta e aktiveve të bankave përbëhet nga letrat me vlerë të qeverisë dhe këto zotërime përfaqësojnë dy të tretat e totalit të borxhit të qeverisë. Kjo ndërvarësi financiare paraqet rreziqe sistematike për bankat, të cilat janë vulnerabël ndaj ndryshimeve në vlerën e letrave me vlerë më afatgjata, dhe për qeverinë, e cila varet nga borxhi që merr prej bankave. Përveç kësaj, fondet e investimeve, të cilat mbajnë obligacionet qeveritare kryesisht jolikuide, paraqesin një rrezik sistematik të likuiditetit që ndikon te bankat.
Një prani e madhe e bankave të huaja.
Vështirësitë financiare në vendet e bankave “mëmë” mund të ndikojnë në degët shqiptare direkt ose nëpërmjet presioneve për financim, me më shumë kredi me probleme. Edhe pse konvertimi i degëve të bankave në filiale ishte një hap në kohë që ka shërbyer për të kufizuar lidhjen e fortë me bankat mëmë të huaja në sektorin bankar shqiptar, presionet e uljes së raportit të huave e letrave me vlerë ndaj aktiveve mund të vazhdojnë.
Rreziqet e likuiditeteve
Politika monetare është e orientuar nga targetimi i inflacionit. Banka e Shqipërisë përdor një qasje të mesme për zbatimin e politikës monetare, dhe bën ankande javore të bonove thesari apo obligacione.
Sistemi i këmbimit u liberalizua ndjeshëm në vitin 2009. Banka e Shqipërisë ka një politikë ndërhyrjeje të qartë dhe nuk bën transaksione për të influencuar normën e këmbimit që nga viti 2009. BSH kërkon që qeveria të përmbushë kërkesat e veta në valutë të huaj dhe koordinon nga afër parandalimin e paqëndrueshmërisë së tregut.
Bankat janë përgjithësisht likuide dhe duhet të mbajnë asete likuide (të cilat përjashtojnë disa letra me vlerë të qeverisë), duke mbuluar 15% të detyrimeve afatshkurtra në çdo monedhë me një kërkesë totale prej 20%.
Rreziqet potenciale të likuiditetit lindin nga tregjet jolikuide, nivelet e larta të euroizimit, operimet me fondet e investimeve dhe menaxhimi i borxhit publik.
Fondet e investimeve. Këto fonde kanë ndihmuar të diversifikohet pronësia e letrave me vlerë të qeverisë, duke pakësuar rrezikun e lidhjes së bankave me borxhin publik. Megjithatë, rreziku sistematik në sistemin financiar mund të jetë rritur pjesërisht për shkak se këto fonde janë të mbikëqyrura në mënyrë joadekuate. Fondet investojnë kryesisht në letra me vlerë afatgjatë dhe klientët e tyre duket se i përdorin fondet si zëvendësues për llogaritë bankare. Në përputhje me rrethanat, dhe duke pasur parasysh mungesën e një tregu sekondar, fondet përballen me rrezik të lartë të likuiditetit. Për më tepër, lidhjet e tyre të ngushta me bankat do të thotë se mund të çojnë në një rënie të depozitave në banka. Këto rreziqe janë përkeqësuar nga mungesa e qartësisë për politikën e likuiditetit të fondeve dhe metodologjinë e përdorur.
Tregje jolikuide në lekë. Bankat përballen me kufizime të menaxhimit të likuiditetit për shkak të tregjeve jolikuide në lekë. Aktiviteti është i përqendruar në investime njëditore dhe shtatëditore ndërbankare për fonde të pasigurta. Vëllimi i transaksioneve është i vogël kryesisht për shkak të: mungesës së një kornize standarde për kryerjen e transaksioneve repo dhe rreziqeve për pagesat dhe sigurisë së letrave me vlerë.
Euroizimi. Bankat kanë menaxhuar likuiditetin e tyre në valutë të huaj afatshkurtër kryesisht përmes bankave mëmë. BSH ka njoftuar një strukturë për Asistencë Emergjente Likuiditeti (ELA), e cila është në dispozicion në terma të ngjashëm për lekun dhe në valutën. Megjithatë, BSH ka pak mundësi për të siguruar valutë të huaj.
Rezultatet e stres-testit te bankat
Duke pasur parasysh këto dobësi, misioni i FMN-së ka kryer stres-teste për të vlerësuar qëndrueshmërinë e sistemit bankar për aftësinë paguese, likuiditetet dhe rreziqet për aftësinë paguese.
Testi sugjeron se 6 prej 16 bankave që përfaqësojnë 25% të aseteve të sistemit bankar mund të nënkapitalizohen pas një zhvlerësimi prej 30% të monedhës vendase, lek. Nga ana tjetër, risku i kreditimit është shumë i madh për shkak të përqendrimit të madh të portofolit të kredive, me efekte të mëdha nga paaftësia paguese e huadhënësve më të mëdhenj të bankave.
Disa banka vuajnë një përkeqësim të kapitaleve të tyre. Kjo është pasojë e rritjes së kredive të këqija (që kërkon dispozita plotësuese). Sidomos në bankat që kanë shënuar rënie kohët e fundit në fitim, këto provigjione nuk mund të paguhen plotësisht nga fitimet, duke çuar në një përkeqësim të kapitalit.
Stres-testet sugjerojnë se bankat janë të ndjeshme nga skenarë ekstremë makroekonomikë. Janë marrë parasysh dy skenarë të kundërt që karakterizohen nga një rënie kumulative e PBB-së: a) recesion i karakterizuar nga një rritje negative prej 3.9% dhe 3.2% në 2014 dhe 2015 respektivisht dhe b) një recesion i ashpër me një rënie të PBB-së prej 6.9 pikë përqindjeje në vitin 2014 ndjekur nga një mosrritje në 2015.
Risqet
Nënkapitalizimi
Ndërkohë që disa banka mund të bëhen të nënkapitalizuara, nevoja për rikapitilizim nuk është e madhe. Në skenarin e parë, 6 banka që zotërojnë 21% të aseteve bankare bëhen të nënkapitalizuara ndërkohë që në skenarin e dytë dhe më të ashpër 10 banka (me 78% të aseteve bankare) përballen me mungesë kapitali.
Kreditimi
Rreziku i kreditimit është dobësia më e madhe. Për huatë në monedhë të huaj, një zhvlerësim dhe rënie në rritje çojnë drejt një rritje të fortë të kredive të këqija, për kreditë në monedhë vendase efekti kryesor vjen nga rritja më e vogël. Provigjionet për kreditë e humbura rriten me shtimin e kredive të këqija dhe kjo sjell rënie të fitimeve.
Borxhi publik
Bankat janë shumë të ekspozuara ndaj riskut të borxhit të brendshëm publik. Humbjet e bankave nga një zhvlerësim i borxhit publik mund të jenë të mëdha dhe të sjellin rreziqe për sistemin.
Në skenarët ekstremë makro-ekonomikë, rregullimi i bilanceve, që do të përfshinte ulje të letrave me vlerë qeveritare në bilancet e bankave, mund të çonte në humbje të barazvlefshme me 8% të vlerësimeve fillestare, me një efekt të madh negativ te kapitalizimi i bankave.
Përgatiti: Laura Çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.