Bordi ekzekutiv i FMN-së ka përfunduar konsultimet për Artikullin IV për 2015 me Bosnjë Hercegovinën. Sipas deklaratës së Fondit, rritja ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë pritet të rigjallërohet mbi 2% këtë vit teksa aktiviteti ekonomik në Europë ‘po rimerr veten’. Aktiviteti industrial dhe eksportet kanë fituar vrull dhe, së bashku me rënien e çmimeve të karburantit, nxisin të ardhurat dhe konsumin. Deflacioni është ‘importuar’ përmes marrëveshjes së bordit të monedhës.
Ekonomia e Bosnjës dhe Hercegovinës ra në recesion si pasojë e krizës globale. Pas disa luhatjesh, ekonomia filloi të rimëkëmbet në vitin 2013, me rritje deri në 2.5%, por ky progres u ndërpre nga përmbytjet që goditën vendin në maj të vitit 2014. Megjithatë, ekonomia është dëshmuar më elastike ndaj ndikimit të kësaj fatkeqësie natyrore nga sa pritej fillimisht dhe rritja rezultoi mbi 1% në vitin 2014.
Bosnja dhe Hercegovina ende përballen me sfida të mëdha. Përputhshmëria ndaj niveleve të të ardhurave të Bashkimit Europian (BE), ka qenë e ngadaltë për dy arsye: ciklike dhe strukturore. Mungesa e progresit në reformat strukturore – që pasqyrojnë pjesërisht organizimin kompleks kushtetues të vendit – ka penguar investimet private, duke kufizuar prodhimin potencial dhe duke e mbajtur papunësinë në nivele të larta, veçanërisht në mesin e të rinjve.
Autoritetet së fundmi kanë miratuar një Axhendë të plotë Reformash – përgatitur në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare – me qëllim që të përshpejtojnë reformat dhe të ecin drejt rrugës së anëtarësimit në BE.
Rreziqet e brendshme politike dëmtojnë perspektivën. Rreziku i ndryshimeve të politikës dhe vonesave në zbatimin e axhendës së reformave është i rëndësishëm, duke pasur parasysh kompleksin politik dhe opozitën e fortë për reforma, nisur nga interesat vetjake.
Rreziqet e jashtme janë më të balancuara, teksa stanjacioni në Europë, tensionet e mundshme të tregut financiar, apo tensionet gjeopolitike mund të zvogëlojnë rritjen, ndërsa një rimëkëmbje më e shpejtë në Europë apo zgjidhja e çështjeve të tregtisë me BE-në mund të nxisë eksportet.
Drejtorët ekzekutivë mirëpritën përmirësimin e kohëve të fundit në aktivitetin ekonomik të Bosnjë dhe Hercegovinës pas përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe një mjedisi të jashtëm aspak të favorshëm. Drejtorët përgëzuan autoritetet se kanë aplikuar politika të ‘shëndosha’ makroekonomike, dhe vunë në dukje se zgjerimi i pabarazive të jashtme dhe fiskale, si dhe ndikimi në sistemin bankar, ishin shumë më të kufizuara nga sa kishin frikë fillimisht, pavarësisht dëmit të konsiderueshëm dhe vështirësive të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore.
Megjithatë, drejtorët vunë në dukje se ekonomia ende vijon të përballet me sfida të mëdha dhe u bënë thirrje autoriteteve që të përshpejtojnë reformat kritike për të arritur një rritje më të qëndrueshme dhe për të reduktuar papunësinë e lartë.
Ata ranë dakord se politika fiskale do të duhet të arrijë ekuilibrin mes rikthimit drejt konsolidimit – për ta orientuar borxhin publik drejt rënies -dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e sapolindur.
Ndër prioritetet e rëndësishme bëjnë pjesë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, rritja e cilësisë dhe efikasiteti i shpenzimeve publike, dhe kufizimi i shpenzimeve ‘joprioritare’ për të krijuar hapësirë për investime në infrastrukturë.
Ata rekomanduan që politikat financiare të adresojnë dobësitë e mbetura në sistemin bankar, veçanërisht në mesin e bankave me pronësi vendore, ndërsa krijojnë një rrjet më të fortë sigurie të sektorit financiar dhe duke bërë të mundur riparimin e bilancit të bankave. Ata mirëpritën angazhimin e autoriteteve për të adresuar pengesat që ende hasen në kuadër të pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.
Ata theksuan se, më shumë se çdo gjë tjetër, progresi i fortë është i nevojshëm për të kompletuar axhendën e reformave strukturore që është ende e papërfunduar në një masë të madhe, përfshirë përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit dhe funksionimin e tregut të punës, për të tërhequr investime, për të rritur prodhimin potencial dhe për të zvogëluar papunësinë e lartë.
Ata përshëndetën miratimin e fundit të një axhende gjithëpërfshirëse të reformës së autoriteteve, që synon përshpejtimin e rritjes së sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik. Ata u inkurajuan nga mbështetja e gjerë e vendit për këtë axhendë dhe vunë në dukje se zbatimi i saj kishte nisur siç duhej.
Megjithatë drejtorët theksuan se reformat do të duan kohë dhe se autoritetet do të duhet të kapërcejnë kundërshtinë e fortë të interesave vetjake. Për më tepër, gjendja e pasigurt dhe e brishtë e politikës së brendshme paraqet rreziqe të konsiderueshme për zbatimin e saj në kohën e duhur.
Kundrejt këtij sfondi, drejtorët theksuan se implementimi i fortë dhe i qëndrueshëm i reformave dhe politikave të shëndosha ekonomike do të ndihmojë në mobilizimin e mbështetjes së jashtme, në sigurimin e një rritje më të shpejtë, si dhe do të përforcojë progresin drejt anëtarësimit në BE. Zhvillimi i kapaciteteve të mjaftueshme për të absorbuar ndihmën e jashtme do të shërbejë edhe si një faktor vendimtar.