FMN:Riorientimi i rritjes

27/03/2012 12:35 PM 0 komente

Rritja ekonomike ka rifilluar në Europë dhe rajon, por ajo do të jetë e moderuar. Sfidat me të cilat përballen vendet në zhvillim dhe nevoja për të riorientuar rritjen ekonomike

 

 

Më e keqja e krizës duket se ka kaluar, me vendet europiane që po i rikthehen rritjes, ndonëse ajo do të jetë e moderuar dhe e pabarabartë.

Sfida të tjera kanë dalë në pah, që lidhen me nevojën për të rikthyer rritjen ekonomike të qëndrueshme, tërheqjen e flukseve të duhura të kapitalit dhe ruajtjen e balancave buxhetore.

Përfaqësuesi i FMN-së, Johan Mathisen, i cili prezantoi javën e kaluar në Tiranë botimin e institucionit ndërkombëtar “Pasqyra Rajonale Ekonomike”, e vuri theksin disa herë në rëndësinë që ka në këto momente konsolidimi fiskal.

“Tregjet po i diferencojnë vendet në mënyrë efektive”, tha Mathisen. Gjithsesi, raporti i FMN-së pohon se synimi për të stabilizuar borxhin në afatin e shkurtër nuk është i realizueshëm dhe as i dëshirueshëm,

duke pasur parasysh rrezikun e rikthimit të recesionit dhe magnitudën e shkurtimeve fiskale. Por, treguesit e qëndrueshmërisë po japin shenja paralajmëruese rreth rrezikut publik në shumë vende

dhe masa të konsiderueshme konsolidimi janë të nevojshme në afatin e mesëm. Megjithëse masat e kërkuara, thekson raporti, nuk janë të papara, ato shpesh i tejkalojnë planet aktuale të rregullimit.

Për vendet që kanë tashmë besueshmëri të ulët fiskale kërkohet një konsolidim më urgjent.

Mes një rritjeje taksash apo një shkurtimi shpenzimesh, z. Mathisen pohon se u takon qeverive vendase të vendosin se çfarë rruge do të zgjedhin.

Por vendet e rajonit, tha ai, kanë nevojë që të vazhdojnë investimet publike dhe kjo është një sfidë, duke pasur parasysh uljen e të ardhurave për shkak të pasojave të recesionit.

Politikat fiskale duhet të përshtaten në favor të investimeve, ndërkohë që dhe deficiti fiskal duhet të jetë në nivele të besueshme.

 

Faktorët e rinj që do të nxisin rritjen

 

Ndërtimi, bankat e sektorë të tjerë që kanë nxitur rritjen deri tani, janë më të dobët se zakonisht.

Rritja e kreditimit në Europë dhe vendet e rajonit ka qenë shumë e dobët dhe shpesh dhe negative dhe kjo ka dëmtuar rimëkëmbjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme,

që kanë më pak akses te kreditimi. Në shumë vende, papunësia është e lartë dhe kjo pengon gjithashtu rritjen.

Sfida, pohon z. Mathisen, është që të sigurohet një rritje e qëndrueshme në të ardhmen dhe të riorientohen faktorët e rritjes drejt sektorëve të tjerë, si industria prodhuese e përpunuese (shiko intervistën për më shumë detaje).

 

 

Flukset hyrëse të kapitalit

Europa dhe sidomos Europa në zhvillim iu gëzua flukseve të larta hyrëse të kapitalit, që nxitën rritjen ekonomike, deri në vitin 2008, ndërsa më pas kriza i reduktoi ndjeshëm këto flukse.

Shqipëria, ndonëse ka tërhequr më pak kapitale në krahasim me vendet e tjera në zhvillim, i rezistoi mirë krizës, teksa ato nuk shënuan rënie të ndjeshme pas 2008-s, siç ndodhi me vende të tjera,

sidomos ato të Baltikut. Kursi luhatës i këmbimit të vendit, u shpreh z. Mathisen, ishte faktor kryesor që ndikoi në këtë drejtim.

Tërheqjes të flukseve hyrëse të kapitalit, me synim rikthimin e rritjes, i kushtohet një rëndësi e veçantë në raportin e fundit të FMN-së.

Një nivel i shëndetshëm i flukseve të kapitalit kërkon balancim të burimeve të brendshme dhe të jashtme të rritjes ekonomike dhe shmangien e bumit dhe pasojave që ka fluksi i tepërt, rekomandon raporti.

Për vende që tashmë po shohin një rikthim të flukseve, kërkohet një politikë makroekonomike e përgjegjshme, përfshirë vlerësimin e monedhës, atje ku është e mundur dhe shtrëngimi i politikës monetare do të jetë kritik.

Atje ku flukset e kapitalit, të favorshme për të çuar në një konvergjencë të të ardhurave, duhet ende të ndodhin, përpjekjet e politikave duhet të përqendrohen në rritjen e produktivitetit në sektorët e tregtueshëm,

lehtësimin e lëvizshmërisë së tregut ndërsektorial të punës, reduktimin e mospërputhjeve midis aftësive dhe vendeve të punës dhe të adresojnë kufizimet specifike të rritjes që lidhen me infrastrukturën.

Kjo përqasje i afrohet më shumë situatës ku ndodhet aktualisht Shqipëria.

Për të gjithë rajonin, nënvizon raporti, do të jetë thelbësor përmirësimi i stabilitetit financiar.

Politika të kujdesshme për bankat, veçanërisht kërkesat e kapitalit për huamarrjen e huaj dhe politikat makroekonomike të kujdesshme,

përfshirë vlerësimin e peshës së rreziqeve sektoriale, për të penguar mbinxehjen në disa sektorë, do të ndihmojnë në shmangien e krijimit të dobësive financiare, thekson raporti i FMN-së.

 

 

 

Intervistë e posaçme dhënë për “Monitor” nga z. Johan Mathisen

 

 

Rreziqet e rritjes së borxhit

 

 

Gjithnjë e më shumë po flitet për një riorientim të rritjes ekonomike. Pse dhe çfarë duhet të bëjë qeveria në këtë drejtim?

 

Shumë vende në rajon po kuptojnë se faktorët e mëparshëm që orientuan rritjen nuk janë më të disponueshëm. Veçanërisht rritja në shumë vende të rajonit ka ardhur nga ata sektorë që konsiderohen të patregtueshëm,

si ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, bankingu. Tani që këta sektorë po arrijnë në një pikë maturimi nuk mund të presim rritje të mëdha në të ardhmen.

Ajo që ne po shohim është se shumë vende në rajon po përpiqen të riorientojnë rritjen drejt atyre që konsiderohen si sektorë të tregtueshëm si prodhimi,

përpunimi, sektorët e orientuar nga eksporti. Ky lloj transformimi duhet të ndodhë në sektorin privat.

Politikat qeveritare mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Nga njëra anë po shikojmë që porsa i përket forcës së punës në rajon në shumë vende ekziston mospërputhja midis aftësive dhe vendeve të punës.

Ka njerëz të specializuar në sektorin e ndërtimit dhe atë bankar, por kërkohet dhe një forcë e aftë pune që duhet të orientohet drejt përpunimit, prodhimit të të mirave.

Politikat publike mund të ndihmojnë për të zgjidhur këtë mospërputhje të aftësive nëpërmjet trajnimit, edukimit, programeve, politikave specifike të punës.

Ka gjithashtu shumë vende në rajon që kufizohen në rritje nga problemet e infrastrukturës si ujë, energji, infrastrukturë rrugore. Politikat publike mund të ndihmojnë këtu.

Shumë vende po përpiqen të rrisin investimet publike në këto sektorë. Por edhe këtu ka vështirësi, sepse vendet po ndiejnë pasojat e krizës ekonomike, të cilat ulin të ardhurat dhe po rrisin deficitet.

Vendet duhet të reduktojnë ose mbajnë relativisht të qëndrueshme nivelet e borxheve dhe në të njëjtën kohë të riorientojnë shpenzimet publike drejt investimeve.

Në të njëjtën kohë, qeveritë mund të ndihmojnë përmes politikave makroekonomike të përgjegjshme. Në mënyrë të qartë riorientimi i rritjes përmes eksporteve duhet të ndihmohet nga investimet e huaja.

Në studimet tona ne synojmë të tregojmë se politikat specifike, si ato të kursit të këmbimit, politikat monetare dhe veçanërisht politikat fiskale ndihmojnë në këtë proces.

Shqipëria ka qenë e suksesshme në mbajtjen e një politike monetare e regjimi të kursit të këmbimit, që ka tërhequr investimet, por tani sfida kyçe si në Shqipëri ashtu dhe në rajon është porsa i takon besueshmërisë fiskale,

në mënyrë që të siguroni investime. Pra duke pasur politika të qëndrueshme mund të tërhiqni investimet e huaja që nga ana e tyre do të çojnë në krijimin e vendeve të reja të punës,

të ardhura më të larta dhe investime në industrinë përpunuese dhe sektorë eksportues.

 

 

Shqipëria ka një nivel të ardhurash buxhetore rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, deficiti buxhetor prej 7% të PBB-së në fund të 2009-s dhe borxhi publik ka arritur në 60% të PBB-së.

Sa të qëndrueshëm e shikoni nivelin e borxhit?

 

Nuk besoj se ka një prag që është i zbatueshëm për të gjitha vendet në të gjitha kohët.

Mendoj se mënyra më e mirë për të parë se sa i qëndrueshëm është sistemi fiskal është të shohësh te normat e interesit që vendet marrin për bonot e tyre qeveritare me afat të mesëm dhe të gjatë.

Ajo që kemi parë dhe që çoi dhe në krizën në Greqi është se tregjet kuptuan se borxhi u rrit në nivele të paqëndrueshme dhe normat e interesit në obligacionet qeveritare u rritën.

E njëjta gjë po ndodh dhe në vende të tjera. Mendoj se për çdo vend, përfshirë Shqipërinë, mënyra më e mirë e matjes duhet të jetë interesi afatgjatë i obligacioneve qeveritare, veçanërisht kur vjen puna te tërheqja e investimeve të huaja.

 

 

Në rastin e Shqipërisë, një vlerësim i tillë nuk është i mundur të kryhet, sepse vendi nuk ka hyrë ende në tregun ndërkombëtar të letrave me vlerë…


Ka një tjetër mënyrë për ta parë këtë dhe ndoshta kjo është më e zbatueshme për Shqipërinë.

Në rast se keni një deficit të madh fiskal dhe shumë nga burimeve u ndërrohet drejtimi nga sektori privat në atë publik, për të paguar për deficitin,

ndodh ajo që në gjuhën ekonomike e quajmë “crowding out”[1]. Pra në vend që qeveria të nxisë rimëkëmbjen ajo që aktualisht bën u heq sektorit privat financimin që duhet për t’u rimëkëmbur,

duke e kaluar atë në sektorin publik. Rezultati është se rimëkëmbja do të ngadalësohet dhe më pas deficiti do të rritet, për shkak se mblidhni më pak të ardhura nga një ekonomi e dobët.

Si rrjedhojë deficiti do të bëhet gjithnjë e më i madh dhe pastaj do t’ju duhet një rregullim fiskal.

 



[1] Në ekonomi “crowding out” është çdo reduktim në konsumin ose investimet private, që ndodh për shkak të një rritjeje në shpenzimet qeveritare

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of