Fondet e biznesit, vetëm gjysma e atyre që aplikuan përfituan

21/04/2017 8:54 AM 0 komente

Nga gjashtë skema financimi, me anë të të cilave qeveria mbështet kryesisht biznesin e vogël e të mesëm, kanë arritur të përfitojnë vetëm 86 kompani nga 152 që kanë aplikuar në total.

Për periudhën 2014-2015, numri i përfituesve (për të dy vitet bashkë) ishte 96.

Sipërmarrjet përfituese u përkasin kryesisht sektorëve, si: agropërpunimi, plastika, druri, ICT, fasoni tekstil, artizanati dhe turizmi, i cili promovon produktet “Made in Albania”. Të dhënat bëhen të ditura nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) e cila ka si detyrë zbatimin e skemave, me qëllim mbështetjen kryesisht të bizneseve që eksportojnë, për të rritur konkurrueshmërinë e tyre, për të forcuar kapacitetet prodhuese, si dhe për t’i ndihmuar me daljen në treg.

Skemat financiare janë: Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë, Fondi i Inovacionit, Fondi i Ekonomisë Kreative (Artizanatit), Fondi Start – up, Skema “Voucher” dhe Fondi i Grave Sipërmarrëse. Nga këto fonde shtetërore mund të përfitojë çdo ndërmarrje e vogël dhe e mesme, që i përkasin veçanërisht sektorit prodhues. Deri tani, bizneset që kanë përfituar u përkasin qarqeve kryesore të vendit si: Vlora, Durrësi, Shkodra, Gjirokastra, Korça, Berati dhe Elbasani.

Fondet nën menaxhimin e AIDA-s

Fondi i Konkurrueshmërisë

Është një nga fondet që operon për të katërtin vit radhazi pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Qëllimi i fondit është të ndihmojë kompanitë shqiptare të depërtojnë me produktet e tyre në tregje të huaja, duke siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitete që do të ndihmojnë në zbatimin e planit të tyre për eksport. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 1.400.000 all.

Fondi i Ekonomisë Kreative

Ka për qëllim zhvillimin e sektorit të artizanatit dhe zejtarisë në Shqipëri, duke krijuar një mjedis të favorshëm për aktivitete më të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 500,000 lekë.

Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse

Është një nga fondet e reja që AIDA menaxhon këtë vit. Qëllimi i tij do të jetë rritja ekonomike e sipërmarrjeve femërore duke nxitur investimet e reja nëpërmjet rritjes së financimeve nga institucionet financiare jobankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 100,000 lekë

Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-Up”

Është fondi tjetër i ri, i cili ka për qëllim mbështetjen e bizneseve të sapokrijuara “Start- Up” në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë, duke përmirësuar klimën dhe kushtet operuese të tyre, me synim krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 300,000 lekë

Fondi i Inovacionit

Për të gjitha ndërmarrjet SME, që janë të interesuara që të avancojnë linjën e tyre teknologjike. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 400,000 lekë

Fondi në mbështetje të turizmit

Synohet stimulimi i ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme, që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike/historike, për t’u mundësuar atyre mbështetje financiare për investime kapitale në ambientet e ushtrimit të aktivitetit.

Fondi u jep ndihmë, në formë granti të drejtpërdrejtë SME-ve nëpërmjet bashkëfinancimit. Fondi mbulon deri në 50% të kostove të pranueshme, por jo më shumë se 3,000,000 lekë.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz