Qytetaret kanë rritur interesin e tyre për mënyra alternative investimi në kushtet kur politika monetare lehtësuese ka ulur ndjeshëm interesat e depozitave. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për 9 mujorin e këtij viti tregojnë se në fund të shtatorit 2017 vlera neto e aseteve të fondeve, arriti rreth 73.60 miliardë lekë me një rritje prej 8.2 miliardë lekë ose 12.49%, krahasuar me 31.12.2016.
Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 62.53% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 9.19% krahasuar me 31.12.2016.
Rritje sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka pësuar edhe numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit më 30.09.2017 është 31,710 me një rritje prej 8.35% krahasuar me 31.12.2016. Rreth 99.98% e anëtarëve në fond janë investitorë individualë.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde investimi, përkatësisht fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro” të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest”dhe fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”.
Tregu i kapitalit ka marrë një vëmendje të veçantë këto kohë nga ana e institucioneve ndërkohe që zhvillimi i tregut sekondar po shihet gjithmonë e më shumë si një opsion për t’i dhënë edhe më shumë zgjerim në vend.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që është edhe institucioni që ka nën përgjegjësi monitorimin e tregut është i përfshirë në disa projekte që lidhen me forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse për fondet e investimit kurse fondeve aktivë në treg po ju kërkohet që të jenë gjithmonë e më promovuese dhe transparente me publikun në mënyrë që rritja të jetë e qëndrueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.