Të gjithë ata që investojnë në fondet e investimit nuk do të paguajnë asnjë tarifë apo komision për llogari të bankës. Këto të fundit, të njohura si depozitarë, do të marrin vetëm përfitimin që është përcaktuar me kontratë paraprake me shoqërinë administruese të fondit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë një shtesë në rregulloren e tij “Mbi procedurat dhe kërkesat shtesë për licencimin e depozitarit të sipërmarrjeve të investimeve kolektive”, ku saktësohet pikërisht pjesa e detyrimeve.
“Depozitari nuk ka të drejtë të kërkojë nga anëtari i fondit të investimit tarifa, komisione, apo pagesa të tjera të ngjashme, përveç atyre të dakordësuara në marrëveshjen ndërmjet depozitarit dhe shoqërisë administruese”, – thuhet në rregulloren e ndryshuar.
Aktualisht në tregun shqiptar ushtrojnë aktivitetin e tyre tre fonde investimi, përkatësisht Fondi i Investimeve “Raiffeisen Prestigj”, Fondi i Investimeve “Raiffeisen Invest Euro” dhe Fondi i Investimeve “Credins Premium”.
Shoqëri administrimi janë vetëm dy Raiffeisen Invest dhe Credins Invest, kurse banka që janë licencuar si depozitarë janë Banka e Parë e Investimeve dhe Banka Amerikane e Investimeve.
Fondet e investimeve në 2017
Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për fondet e investimeve i takojnë 9-mujorit ku thuhet se vlera neto e aseteve të fondeve, arriti rreth 73.60 miliardë lekë me një rritje prej 8.2 miliardë lekë ose 12.49%, krahasuar me 31.12.2016.
Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 62.53% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 9.19% krahasuar me 31.12.2016.
Sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, rritje ka shënuar edhe numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit më 30.09.2017, që është 31,710 apo 8.35% më shumë krahasuar me 31.12.2016. Rreth 99.98% e anëtarëve në fond janë investitorë individualë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.