Projektligji për sipërmarrjet e investimeve kolektive (SIK) ose siç njihen ndryshe fondet e investimeve tashmë ka kaluar në Kuvend për t’iu nënshtruar procesit të diskutimit. Ndryshimet në kuadrin ligjor u propozuan nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe për shkak të dinamikës së shpejtë të zhvillimit, por edhe për të përmirësuar administrimin e rreziqeve dhe të regjimit të trajtimit të shitjes dhe shlyerjes së kuotave të investitorëve për raste të situatave të tensionuara në treg, si dhe të saktësimit kompetencave të Autoritetit në këto procese. Çka nënkupton se shoqëritë e administrimit të këtyre fondeve duhet të ngrenë sisteme për menaxhimin e riskut, si dhe i jep kompetenca AMF-së që të ndërhyjë si në situata normale, ashtu edhe në rastet e streseve financiare.
Industria e fondeve të investimeve në Shqipëri filloi aktivitetin në fillim të vitit 2012 dhe, në gati 3 vjet, dy fondet ekzistuese (Raiffeisen Prestigj dhe 2 Invest Euro) u rritën ndjeshëm. Kështu, në fund të 6-mujorit të vitit 2015, portofoli i tyre arriti në rreth 481 milionë euro (rritje 5.85% në krahasim me 2014) dhe numri i investitorëve arriti në mbi 34 098. Madhësia e tregut të fondeve të investimit në Shqipëri, tashmë, është e krahasueshme me vendet e rajonit.
Amendimet e ligjit, ja çfarë propozohet :
-saktësimin e kompetencave të Autoritetit për të vendosur rregulla për kuadrin e administrimit të riskut;
-saktësimin e regjimit të pezullimit të shlyerjes dhe shitjes së kuotave si dhe kompetencave të Autoritetit në këtë proces.
Hartuesit e projektligjit velrësojnë se procesi i administrimit të riskut është i rëndësishëm për mbrojtjen e investitorëve nga risqet, ndaj të cilave janë të ekspozuar SIK-et, gjatë kryerjes së veprimtarisë së tyre.
Ndërsa, në rastin e pezullimit të shlyerjes dhe shitjes së kuotave, në dispozitë është parashikuar që pezullimi të jetë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe vetëm në kuadër të mbrojtjes së interesave të mbajtësve të kuotave. Këto pezullime janë të përkohshme. Ndërkohë që rrethanat e jashtëzakonshme janë të rralla, si p.sh. rastet kur nuk është i mundur vlerësimi i drejtë dhe i saktë i çmimit të aseteve apo kur tregjet preken nga ngjarje të papritura (që mund të kenë lidhje me emergjenca politike, ekonomike, ushtarake, monetare apo të tjera), që ndikojnë në funksionimin e bursave apo rrjedhës së rregullt të transaksioneve. Rrethana të jashtëzakonshme mund të shkaktohen edhe nga probleme të paparashikueshme operacionale dhe problemet teknike (p.sh. një black-out). Këto probleme operacionale mund të pengojnë, përkohësisht, transaksionet apo të ndikojë në vlerësimin e aseteve. Në rrethana të jashtëzakonshme mund të përfshihen edhe ngjarje të tjera, të tilla si katastrofat natyrore.
Në çdo rast, është shoqëria administruese ajo që duhet të demonstrojë se rrethanat janë të jashtëzakonshme dhe se pezullimi është, ekskluzivisht, në interesin më të mirë të të gjithë mbajtësve të kuotave. Shoqëria administruese përgjegjëse pezullon shitjen dhe shlyerjen e kuotave vetëm kur kjo është në interes të mbajtësve të kuotave dhe kur ruhet një trajtim i drejtë dhe i barabartë ndërmjet investitorëve potencialë, atyre aktualë dhe investitorëve dalës.
Përtej këtyre ndryshimeve, kuadri do t’i nënstrohet edhe ndërhyrjeve të tjera gjatë dy viteve të ardhshme në kuadër të projektit SECO.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.