Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur të ndryshojë së fundmi disa pika në rregulloren “Për autorizimin e individëve për shitjen e kuotave/aksioneve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike” duke shtuar kërkesat që duhet të plotësojnë agjentët që operojnë pranë shoqërive administruese. Në bazë të ligjit sipërmarrjet e investimeve kolektive janë fondet e investimit dhe shoqëritë e investimit të cilat kanë respektivisht shoqëri administruese që themelimin dhe/ose administrimin e fondeve të investimit dhe të shoqërive të investimit. Por çfarë ka ndryshuar saktësisht në rregullore?
Së pari është vendosur si kriter që individët shitës të kuotave apo aksioneve të mos kenë qenë dënuar për ndonjë vepër penale dhe të mos kenë çështje penale në proces. Sakaq individët që janë të punësuar pranë shoqërisë administruese duhet të plotësojnë kriterin e njohjes së mirë të fushës.
“Individët e punësuar të një agjenti të shoqërisë administruese, si dhe agjentët-individë, të cilët veprojnë për llogari të shoqërisë administruese sipas një kontrate të veçantë duhet të kenë njohuritë e nevojshme mbi karakteristikat themelore të sipërmarrjes së investimeve kolektive, kuotat/aksionet e të cilës shesin, si dhe njohuri mbi të gjithë rreziqet që lidhen me investimin në sipërmarrjen e investimeve kolektive” thuhet në rregullore.
E njëjta shton edhe detyrimet që kanë shoqëritë administruese për përditësimin e rregullt të të dhënave për statusin e transaksionit, vënien në dispozicion të gjithë dokumenteve për investitorët, transparencën mbi punonjësit e saj si dhe faktin që bëhet përgjegjëse përmes veprimeve dhe mosveprimit të agjentit të punësuar pranë saj për shitjen e kuotave apo aksioneve të sipërmarrjes së investimeve kolektive.
“Shoqëria administruese dhe individët e punësuar të agjentit apo agjenti-individ duhet të mbajnë dhe përditësojnë rregullisht të dhënat për statusin dhe transaksionet e kryera në lidhje me kuotat/aksionet nëpërmjet individëve të punësuar të agjentit apo agjentit-individ.
Shoqëria administruese duhet të sigurojë që individët e punësuar si agjentë të grumbullojnë të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin e nevojshëm për investitorët që u ofrohen kuota/aksione të sipërmarrjes së investimeve kolektive, në përputhje me kërkesat ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Shoqëria administruese publikon në faqen zyrtare të saj listën e përditësuar të individëve të punësuar të agjentit, si dhe agjentët-individë, të autorizuar për të shitur kuotat/aksionet e sipërmarrjeve të investimit nën administrimin e saj. Shoqëria administruese është përgjegjëse ndaj investitorëve për veprimet ose mosveprimet e individit të punësuar të agjentit apo agjentit-individ për shitjen e aksioneve/kuotave të sipërmarrjes së investimeve kolektive” thuhet në pikat shtesë të rregullores.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.