Këshilli i Europës ka përcaktuar si një ndër kushtet për alokimin e fondeve IPA II riorganizimin e agjencisë përgjegjëse që bën auditimin e tyre.
Bashkimi Europian ka parashikuar për Shqipërinë, për periudhën 2014 – 2020, kohë në të cilën shtrihet ky program 649.4 milionë euro. Fondi i asistencës IPA II ka përcaktuar tetë fusha që janë : demokracia dhe qeverisja; sundimi i ligjit; mjedisi; transporti; konkurrueshmëria dhe inovacioni; edukimi, punësimi, politikat sociale; bujsësia dhe zhvillimi rural, si dhe bashkëpunimi rajonal.
Edhe pse Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës është krijuar që në vitin 2009 është kërkuar si domosdoshmëri riorganzimi i tij dhe vënia në varësi të drejtëpërdrejtë të Kryeministrisë. Projekligji i cili është dorëzuar tashmë në Kuvend dhe pritet të kalojë me procedurë të përshpejtuar për shkak të rëndësisë që ka dhe kushtit për alokimin e fondeve europiane. Mësohet se riorganizimi i Agjencisë do të kërkojë një kosto financiare prej 15 milionë lekë, ku do të jenë të unësuar 16 persona. Kjo kosto financiare parashikohet të përballohet në mënyrë graduale, gjatë tri viteve të para të krijimit të Agjencisë, nga buxheti i shtetit, si dhe nga burime të tjera.
Marrëveshjet kuadër dhe rregulloret e Komisionit Evropian përcaktojnë qartë se Agjencia, duke vepruar si një autoritet auditimi për Instrumentin e Parazgjerimit, duhet të jetë një institucion funksionalisht i pavarur nga të gjithë aktorët në sistemin e menaxhimit të decentralizuar të asistencës, përgjegjës për verifikimin e efektivitetit dhe funksionimit të menaxhimit e të sistemeve të kontrollit të ngritur për zbatimin e programit IPA në Republikën e Shqipërisë.
Rezultatet e auditimeve të Agjencisë i shërbejnë Komisionit Evropian dhe qeverisë shqiptare për të vlerësuar punën e institucioneve shqiptare, strukturave menaxhuese të programit IPA gjatë zbatimit të marrëveshjeve mes Komisionit Europian
dhe qeverisë shqiptare në kuadrin e integrimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.