Komisioni Evropian njofton se ka autorizuar zyrtarisht fillimin e zbatimit të programit të Instrumentit për Para-Anëtarësim për Zhvillimin Rural II (IPARD II) për Shqipërinë. Sot, në një ceremoni zyrtare, në Agriturizmin “Pema e Jetës” në Shkallnur, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca i dorëzoi dokumentin zyrtar Kryeministrit Edi Rama në prani të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi.
IPARD II u mundëson fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kenë qasje në 71 milionë Euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – të cilat do të plotësohen me 23 milionë Euro nga Qeveria Shqiptare – duke siguruar gjithsej 94 milion Euro financim të disponueshëm për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural.
“Kjo është një arritje e madhe dhe një lajm i shkëlqyer për të ardhmen e prodhimit bujqësor në Shqipëri dhe unë dëshiroj të përgëzoj autoritetet shqiptare për angazhimin e tyre. BE-ja është krenare që mbështet zhvillimin ekonomik të sektorit bujqësor të Shqipërisë. I inkurajoj fuqimisht fermerët dhe agrobizneset të jenë proaktivë, të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga fondet IPARD II dhe të aplikojnë për mbështetje financiare“, u tha Ambasadori Soreca medieve gjatë ceremonisë.
Programi IPARD do të kontribuojë ndjeshëm në konkurrencën e bujqësisë dhe sektorit të ushqimit. Ai do t’i ndihmojë fermat dhe bizneset të përmbushin standardet kombëtare dhe ato të BE-së mbi sigurinë e ushqimit, si dhe kërkesat veterinare dhe fitosanitare, në dobi të konsumatorëve vendorë dhe klientëve ndërkombëtarë. Ai do t’u mundësojë gjithashtu produkteve shqiptare të hyjnë në tregjet e BE-së dhe t’i diversifikojnë aktivitetet ekonomike në zonat rurale të vendit duke çuar në një cilësi më të mirë të jetesës rurale.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural tani mund të planifikojnë çeljen e thirrjes së parë për aplikime në lidhje me “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore”, “Investimet në asetet fizike në lidhje me përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” dhe “Diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit”, tri fushat e mbuluara nga IPARD II, thuhet në një njoftim zyrtar për shqyp të Komisionit Europian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.