Fondi i Kursimeve Pensionale për dhjetë ditë i ka humbur mbi 30 milionë euro të investuara në tregjet ndërkombëtare. Mjetet e pensionistëve kosovarëve janë tkurrur si rezultat i rënies së vlerës së aksioneve për shkak të performancës jo të mirë në tregjet financiare në Evropë dhe Kinë.
Mirëpo nga zyrtarët e Trustit kjo situatë nuk llogaritet të jetë e rëndë pasi sipas tyre, bën të ditur Tribuna, humbja është e përkohshme dhe rimëkëmbja do të jetë e shpejtë.
Zyrtari për informim në Fondin e Kursimeve Pensionale, Jeton Demi, thotë se kjo lidhet edhe me çmimin e naftës që ka rënë muajit e fundit, që sipas tij, ka determinuar tregjet e huaja ku ka investuar ky institucion.
“Investimet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës janë ndikuar negativisht nga performanca jo e mirë e tregjeve financiare gjatë muajit tetor, kryesisht për shkak të treguesve jo të mirë ekonomikë në Evropë e Kinë, por edhe rënia e çmimit të naftës”, theksoin ai.
Megjithatë Demi thotë se nuk është gjendja si në kohën e humbjeve të mëdha të vitit 2008 dhe 2009, kur edhe u regjistruan humbjet më të mëdha në fondin pensional.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.