Publikim i Artikullit të Sponsorizuar

“Food and Drink Festival”, çfarë risish solli panairi kushtuar industrisë së ushqimit dhe pijes

23/03/2018 4:37 PM


   

Panairi “Food and Drink Festival”, në edicionin e tretë, ofroi për të gjithë pjesëmarrësit risi të shumta, ku prezantimi i sipërmarrjeve në hapësirat e tyre ishte tërheqës dhe i kuruar nga ana estetike, po ashtu edhe nga ana organizative, duke u shndërruar në një festë treditore të industrisë së ushqimit, pijes dhe verës.

 

Nëse në dy edicionet e para, panairi ka pasur fokus dhe emërtim “Mediterranean Food & Drink”, këtë vit, “Food & Drink” ka pasur shumë elemente ndërkombëtare, me një pjesëmarrje edhe të produkteve shqiptare. Veçoria e këtij panairi qëndroi në faktin se, krahas sipërmarrjeve dhe markave më të mëdha të pranishme në tregun shqiptar, në këtë organizim patën një hapësirë të rëndësishme edhe sipërmarrjet e vogla, të specializuara në prodhime shqiptare të traditës. E konsiderojmë këtë si një mënyrë shumë të mirë për të njohur dhe për të promovuar produkte që nuk gjenden lehtësisht në distribucionin e gjerë. Kjo edhe për shkak të prodhimit të limituar, siç janë produktet e disa fermave të vogla, me prodhime organike cilësore, të cilat ishin të ekspozuara në panair. Nga data 9 deri më 11 mars, vizitorët patën mundësinë të njihen dhe të shijojnë një larmi produktesh, të marrin pjesë në degustime të një varieteti të gjerë verërash shqiptare dhe të huaja, në show gatimi live me kuzhinierët e mirënjohur Fundim Gjepali, Alfio Rrotani dhe Indrit Çela, Andi Balla, Tedi Copja, si dhe në konkurse dhe aktivitete të tjera informuese dhe argëtuese nën moton “Shijo – Pi- Edukohu”.
Një nga aktivitetet më të veçanta të këtij edicioni, ishte ai i organizuar me Ambasadën Japoneze në Tiranë dhe shef Ronin e Yamato restorant, në një hapësirë kushtuar Kulturës Japoneze për të promovuar trendin japonez të kulinarisë. Gjatë këtij organizimi, ambasadori japonez, z. Makoto Ito, prezantoi disa produkte të veçanta dhe solli për degustim pijen Sake për vizitorët.
Sponsori i eventit LM Commercial kishte ftuar në këtë panair, një pizzaiol të njohur, z. Roberto de Santis, një nga profesionistët e Pizza-s, i cili gatoi pizza të ndryshme gjate tre ditëve të panairit dhe kuzhinierin Tedi Copja, i cili përgatiti receta interesante, të cilat u shijuan dhe vlerësuan nga pjesëmarrësit. Por jo vetëm kaq, nismës së sponsorit, iu shtua edhe degustimi i konjakut me përfaqësuesin e LHERAUD, z. Alin Ursu dhe me mbështetjen e Somelierisë Shqiptare.


Këtë vit, në bashkëpunim me Organizatën e Somelierisë Shqiptare dhe z. Dashamir Elezi u organizua edhe Konkursi i Verës, ku midis kantinave shqiptare pjesëmarrëse në panair u përzgjodh vera më cilësore, nga një juri e specializuar e përbërë nga enologë, somelierë dhe profesorë të mirënjohur. Verërat shqiptare u vlerësuan me çmime të arta, argjendta dhe të bronzta, ndërsa njëra prej tyre, vera e kuqe e vjetruar e Kantinës Kallmet, mori edhe kupën e “Festivalit Food & Drink”, me 517 pikë nga 600.
Forumi i organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ishte një vlerë e shtuar për panairin për çështjet e rëndësishme që u trajtuan dhe për problematikat e sektorit.
Gjatë forumit u trajtua tema “Eksporti, si çelës i suksesit të një ekonomie në rritje”, – relatuar nga z. Alban Zusi, Drejtor Ekzekutiv, AFI, President i Qendrës Shqiptare të Eksporteve dhe sipërmarrës. Gjithashtu se si po ndryshon kultura e ushqimit në Shqipëri dhe sfidat e saj.
“Pse ushqimi vendas, i pastër dhe i drejtë”, relatuar nga znj. Dhurata Thanasi Daneri, Administratore e Luga e Argjendtë.
Znj. Edlira Dibra, inspektore në sektorin e ushqimit me origjinë shtazore, në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU, trajtoi në forum temën për “Masat që po ndërmerren për disiplinimin e procesit të therjes dhe tregtisë së mishit” si dhe “Plani për kontrollin e subjekteve që prodhojnë dhe përpunojnë qumësht”.
Paraqitja e Programit të Rëndësisë së Sigurisë Ushqimore mori një rëndësi të veçantë dhe u trajtua nga znj. Silva Mana nga Albanian Gastronomy Academy dhe – EON, të cilët gjatë panairit në bashkëpunim me Expocity-n arritën të ndërtonin një kuzhinë në respektim të rregullave të HAACCP (Hazard Analyses Critical Control Point) dhe u krijua një manual me rregullat bazë për kushtet e sigurisë ushqimore.


Siguria ushqimore është një nga pesë prioritetet për Shqipërinë, për të arritur objektivin EU. Ndërkohë që ligji është në fuqi që prej 2008-s, të pakta janë aksionet e ndërmarra për trajnime të subjekteve të prodhimit ushqimor dhe po aq i largët mbetet dhe ndërgjegjësimi i konsumatorit drejt këtij koncepti, me gjithë përpjekjet e kohëve të fundit nga institucione shtetërore dhe private.
Në të tilla organizime, promovimi i kulturës së sigurt për përzgjedhjen e ushqimeve do të jetë një nga pikat kryesore ku do të mbështetet Expocity Albania edhe në të ardhmen.
Në qoftë se do t’u referohemi statistikave, pjesëmarrja ishte në rritje në krahasim me vitet e mëparshme dhe pati mjaft interesim për të. Vëmendje të veçantë morën aktivitetet e ndryshme të organizuara gjatë tre ditëve të panairit.Rritja e pjesëmarrjes në panaire lidhet edhe me një ndryshim në mentalitet, me perceptimin e panaireve si një platformë promovuese dhe si një pikëtakimi mes palëve të interesuara me çështjet që trajtohen.
Expocity Albania do të vijojë të organizojë takime të tilla, duke synuar prezantimin e risive në çdo edicion, për të ofruar përvojë në sektorë të ndryshëm e për ta bërë pjesëmarrjen sa më të këndshme për pjesëmarrësit dhe publikun.