Fabrikat e fasonit punësojnë masivisht gra përveç disa proceseve të vështirë që kërkojnë burrat, por ata numërohen me gishtat e dorës. Emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve pas viteve 1990 ka sjellë uljen fizike të forcës së punës edhe te femrat.
Sipas statistikave të popullsisë të INSTAT, forca e punës për gratë e moshës 15-54 vjeç ka rënë me mbi 22 mijë persona në fillim të këtij viti në raport me 2014-n, por rënia duhet të jetë edhe më e madhe për shkak se shumë të rinj janë larguar nga vendi, teksa nuk e kanë shkëputur ende gjendjen civile nga Shqipëria. Në janar 2018, sipas INSTAT, numri i femrave në vend ishte 984,960. Nga këto, 51% ose më shumë se 502 mijë janë të punësuar tashmë. Forca e lirë e paangazhuar është 482 mijë persona, rreth 60 për qind e tyre janë mbi moshën 45 vjeç, të cilat nuk parapëlqehen për t’u rekrutuar për herë të parë nga fabrikat.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017, popullsia në grupmoshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001, ose me 11.6%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 15-19 vjeç, me më shumë se 24%. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 35-45 vjeç, kur në vitin 2017 numërohen 330 mijë persona më pak se në vitin 2001.
Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 208 mijë persona ose 38% në krahasim me vitin 2001.
Struktura e popullsisë në moshë pune është përfshirë në një tranzicion të thellë, duke lajmëruar se pas dhjetë vitesh do të krijohet hendek për zëvendësimin e atyre që dalin në pension.
Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Por ecuria e deritanishme tregon një përkeqësim të treguesve të popullsisë në raport me skenarin bazë të parashikimeve të INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.