Punësimi ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është shndërruar në një fenomen shqetësues, jo vetëm për Shqipërinë, por mbarë rajonin. Papunësia në këtë grupmoshë është rreth 30%, sa dyfishi i totalit të papunësisë. Mirëpo dy vitet e fundit shihet se ky tregues ka nisur të zbutet. Nga 32% në 2015-n, treguesi i papunësisë zbriti në 28.1% në fund të vitit të kaluar. Rënia në këtë masë, kur burimet e rritjes së punësimit kanë qenë të kufizuara, shihet të ketë qenë vetëm një efekt statistikor në popullsinë e kësaj grupmoshe.
Në fillim të vitit 2017, popullsia 15-29 vjeç u tkurr me 18 mijë persona krahasuar me fundin e vitit 2015, me një rënie 2.5%. Duke qenë se jo e gjithë popullsia në moshë pune merr pjesë në forcat e punës, efekti që ka dhënë rënia e numrit të të rinjve në papunësinë e kësaj moshe është edhe më i madh – shpjegojnë ekspertët e sektorit të statistikës.
Ky është vetëm një shembull se forca e punës po ridimensionohet me shpejtësi, duke pësuar një rënie shumë të madhe për grupmoshat e reja deri në 45 vjeç dhe duke shënuar rritje të fortë për forcën e punës mbi 50 vjeç.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017, popullsia në grupmoshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001, ose me 11.6%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 15-19 vjeç, me më shumë se 24%. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 35-45 vjeç, kur në vitin 2017 numërohen 330 mijë persona më pak se në vitin 2001.
Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 208 mijë persona ose 38% në krahasim me vitin 2001.
Struktura e popullsisë në moshë punë është përfshirë në një tranzicion të thellë, duke lajmëruar se pas dhjetë vitesh do të krijohet hendek për zëvendësimin e atyre që dalin në pension.
Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës.
Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit) përveç të tjerash qëndron dhe në faktin se reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve. Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme, edhe kjo mundësi duket se do të shterojë.
Nuk po shfrytëzojmë moshën e artë të punës
Forca e punës në Shqipëri sillet sot si një i ri në kulmin e moshës që fle deri në orët e vona të ditës dhe punon sa për të mbajtur frymën, kur duhet të ndodhte e kundërta. Popullsia shqiptare ka hyrë në një moshë punë favorite kur normat e varësisë, të rinjtë nën moshën 15 vjeç dhe të moshuarit mbi 65 vjeç janë ende në raporte të ulëta në krahasim me forcën e punës.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1979, në 100 persona, 73 ishin të rinj, ndërsa në vitin 2011, kjo shifër ka qenë vetëm 47 të rinj për 100 banorë, kurse më 2017 ka pësuar ulje të mëtejshme.
Ekspertët e demografisë pohojnë se Shqipëria ndodhet në mes të dritares së mundësisë ekonomike që shtrihet përafërsisht në fillim të viteve 2020. Mosha mesatare e forcës së punës është mbi 40 vjeç dhe nëse do të aplikoheshin politikat e duhura, ekonomia e vendit do të ishte në kulmin e produktivitetit prej kësaj mundësie që jep forca e punës.
Forca e punës në Shqipëri është në moshën ku përvoja dhe mosha janë kombinim ideal për të prodhuar maksimumin e përfitimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.