Forcat ajrore, mirëmbajtja e 25 helikopterëve kushton shtrenjtë, KLSH: Janë 10 tipe të ndryshëm

10/01/2019 10:00 AM 0 komente

Forcat ajrore shqiptare kanë në total 25 helikopterë të cilët duket se kanë një kosto të lartë mirëmbajtje për shkak se një pjesë e tyre janë modele të vjetër dhe pjesët e këmbimit janë të vështira për tu siguruar, ndërkohë që tipologjia e tyre varion në të paktën 10. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) pranë Ministrisë së Mbrojtjes merr në analizë një seri aspektesh lidhur me prokurimet e bëra nga ky institucion duke u ndalur edhe tek mirëmbajtja e helikopterëve të forcave ajrore. “Aktualisht, numri i helikopterëve që ka në TOP Forca Ajrore (FAj) është 25 (TOP është tabelë që tregon mjetet e deklaruara që janë përfshirë në regjistrin ligjor për shfrytëzim/përdorim nga FAj. Për mjetet jashtë TOP, ligjërisht, nuk lejohet të vihen në përdorim dhe nuk mund të kryesh shpenzime për to). Nga të dhënat (e mirëmbajtjes të helikopterëve, për vitet 2014 – 2017) rezulton se numri maksimal i helikopterëve në gatishmëri operacionale ka arritur në 8 helikopter . Gatishmëria kaq e ulët, është e lidhur kryesisht:
Me numrin e lartë të tipeve të helikopterëve (janë tre linja/ tekonologji prodhimi dhe dhjetë tipe të ndryshëm), vjetërsinë (moshën) e tyre, e cila shoqërohet me shpenzime të mëdha financiare për mirëmbajtjen (në vitin 2017 për mirëmbajtjen rutinë, niveli më i ulët, janë shpenzuar rreth 139,000, 000 lekë)” vlerëson KLSH.
I njëjti raport nënvizon se shpenzimet për këto mjete bëhen më pak efektive duke pasur në konsideratë se krahas shpenzimeve direkt për blerjen, janë shpenzuar fonde të konsiderueshme për kualifikimin e personelit dhe reduktimi i tipit të mjeteve, ka bërë që efektiviteti i shpenzimeve të jetë edhe më i ulët.
“Për çdo tip helikopteri, kërkohet kualifikim dhe pajisje/vegla pune të kushtueshme të veçanta për personelin. Kjo shumëllojshmëri, rrit më tej kostot pasi për tipet e vjetër pjesët e këmbimit nuk gjenden, kanë çmime të larta etj, por njëkohësisht nuk lejon/krijon mundësinë që pjesët e këmbimit të rregullta të një mjeti të reduktuar, ose jo në gatishmëri, të përdoren nga një mjet tjetër, me pasojë rritjen e numrit të mjeteve që nuk janë në punë” vlerëson raporti.
Në këto kushte KLSH ka rekomanduar që nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes të shihen mundësitë për të bërë blerje sipas mundësisë lidhur me helikopterët ndëkrohë që linjat e prodhimit të kufizohen në dy dhe tipologjia në katër çka do të reduktonte tipet me 58 për qind në raport me ato aktualë.
“Zëvendësimin gradual me helikopterë të rinj, nëpërmjet vlerësimit teknik për heqjen nga përdorimi të mjeteve që kanë plotësuar ciklin jetësor. Zëvendësimi i helikopterëve të vjetër paraqitet si domosdoshmëri ekonomike, pasi kosto e mirëmbajtjes së tyre në vite rritet ndjeshëm, duke kaluar vlerën e blerjes së mjetit dhe duke bërë të paleverdishëm mirëmbajtjen e mëtejshme të tyre. Ndërkohë, blerja e helikopterëve të rinj do të sjellë jo vetëm reduktimin e kostos financiare të mirëmbajtjes se tyre, por do te rrisë/garantojë ndjeshëm cilësinë dhe kapacitetet operacionale të kryerjes së misioneve/detyrave të tyre” rekomandon Kontolli i Lartë i Shtetit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of