Prej më shumë se dy vitesh, leku ka patur një tendencë të qartë forcimi kundrejt euros në tregun e brendshëm valutor.
Ndërkohë që ky forcim ishte relativisht i zbehtë dhe larg vëmendjes së publikut të gjerë në horizontin 2016-2017, përshpejtimi i dukshëm i tij e solli këtë fenomen ekonomik e financiar në fokusin e debatit ekonomik gjatë vitit 2018.
Dinamika e kësaj sjelljeje është relativisht e ditur tashmë: kursi i këmbimit euro / lek e mbylli vitin 2015 rreth nivelit 138 lek/euro. Leku u forcua mesatarisht me 2% në vit në horizontin 2016-2017, duke ardhur rreth nivelit 133 leke / euro në fund të vitit 2017. Më tej, gjatë vitit 2018 ai u forcua me rreth 6% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, një ritëm ky me pak precedentë në tregun valutor shqiptar.
Ky akselerim i trendeve të dy viteve të mëparshme nuk kaloi pa komente. Shoqatat e eksportuesve ngritën shqetësimin për ndikimin negativ që ai do të kishte në biznesin e tyre, i parë ky në planin e humbjes së kompetitivitetit në tregjet e huaja apo të rënies së normës së fitimit dhe reduktimit të investimeve në ekonominë vendase.
Debati akademik u fokusua në diskutimin e koherencës së këtij mbiçmimi me rritjen e eksporteve shqiptare, në rolin e qenë apo të paqenë të nismave të Bankës së Shqipërisë për shkurajimin e përdorimit të euros në tregun e brendshëm, si dhe në përfitimet dhe kostot që ekonomia shqiptare do të kishte nga ky fenomen. Diskutimi politik u fokusua në origjinën e hyrjeve valutore, duke tentuar ta interpretoje atë si evidencë të rritjes së peshës së ekonomisë informale, apo të pastrimit të parave dhe depërtimit të flukseve monetare të këtij segmenti të ekonomisë në atë formal.
Përkundrejt tyre, pozicioni i autoritetit monetar – Bankës së Shqipërisë – ka patur më shumë nuanca. Fillimisht Banka e Shqipërisë mbrojti tezën se forcimi i lekut në vitet 2016 -2017 është në linjë me fondamentet – një term teknik ky për të thënë se rritja e eksporteve ka sjellë rritje të ofertës së valutës dhe se shqiptarët preferojnë të mbajnë një pjesë më të madhe të kursimeve të tyre në lekë.
Më tej, me përshpejtimin e forcimit të lekut, Banka e Shqipërisë filloi të flasë për goditje në kurs, e ardhur prej ndryshimit të sjelljes së shitësve dhe blerësve në tregun valutor, nën besimin se kursi vetëm do të forcohej në të ardhmen. Ky forcim ishte aq i fortë dhe / ose i papritur, sa solli dhe reagimin e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet një aksioni të dyfishtë: uljes së normës bazë të interesit dhe ndërhyrjet direkte në tregun e brendshëm valutor. Kjo ndërhyrje u duk se qetësoi forcimin e lekut në pikun e sezonit turistik, por tendenca mbiçmuese vijoi të mbetet e pranishme në muajin shtator dhe javët e para të tetorit.
Informacioni i akumuluar me kalimin e kohës na jep mundësi të bëjmë një bilanc më të plotë mbi tezat dhe kundërtezat e hedhura për diskutim.
Ndërhyrjet
Banka e Shqipërisë mbron tezën se regjimi i kursit të këmbimit është i lirë dhe se niveli i kursit nuk është objektiv i saj. Ndërhyrja në muajt e verës u përshkrua si e ‘përkohshme dhe e jashtëzakonshme”. Me fjalë të tjera, Banka e Shqipërisë nuk garanton asgjë sa i takon kursit dhe nuk harron të tërheqë vazhdimisht vëmendjen se të gjithë ata të cilët janë të ekspozuar ndaj kursit duhet të marrin masa mbrojtëse
Së pari, forcimi i lekut nuk ka pasur ndikim të dukshëm në performancën e eksporteve shqiptare. Këto eksporte kanë shfaqur norma relativisht të larta rritjeje gjatë gjithë vitit 2018. Natyrisht, ky fakt nuk do të thotë se kursi nuk ka pasur ndikim, – në një realitet alternativ, me një kurs më të dobët këmbimi, fitimet e eksportuesve shqiptarë do të ishin më të larta. Megjithatë, katastrofa e paralajmëruar nuk u manifestua.
Në një plan më të gjatë kohor, rritja e eksporteve dhe sinkroni që ka patur ky trend me forcimin e lekut i jep peshë argumentit fillestar se kursi i këmbimit nuk është patologji e ekonomisë shqiptare, por shenjë e dinamizmit të saj.
Së dyti, zhvillimet monetare japin një verdikt paraprak në diskutimin mbi rolin e fushatës së Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të euros në industrinë financiare. Rritja e peshës së depozitave në valutë në totalin e kursimeve të depozituara në sistemin bankar nuk i jep asnjë evidencë mbështetëse argumentit se kjo fushatë solli forcimin e kursit. Pavarësisht të dhënave anekdotike për kthimin e kursimeve nga valuta në lekë, këto duken raste episodike të cilat nuk kanë ndikuar trendin makro të kursimeve shqiptare.
Së treti, përtej fitimeve të munguara potenciale të eksportuesve, forcimi i kursit ka sjellë përfitime reale për një kategori të gjerë huamarrësish në valutë, për ata të cilët kanë realizuar një blerje makine apo apartamenti – produkte këto të cilat tipikisht kuotohen në valutë, për ata të cilët kanë udhëtuar jashtë shtetit, si dhe për familjet shqiptare, të cilat i kanë mallrat e importit pjesë të konsumit të tyre të përditshëm.
Duke kaluar të përfitimet potenciale, duhet pranuar se forcimi i kursit të këmbimit të lekut rrit fuqinë blerëse të ekonomisë shqiptare në tregjet botërore, dhe kjo është diçka e cila – nëse provohet të jetë e qëndrueshme – duhet përshëndetur. Megjithatë, edhe me avantazhin e kohës dhe informacionit shtesë, ka ende pyetje për të cilat nuk ka një përgjigje definitive.
A ka pasur ndikim ekonomia informale? Pasioni nuk mungon, në të dy anët e këtij debati, por informacioni real i disponuar është mjaft i mangët.
Ku do të ndalet kursi i këmbimit? A do të kemi forcim të mëtejshëm, stabilizim në nivelet aktuale, apo kthim mbrapa në nivelet e viteve të mëparshme? Këtë nuk di ta thotë asnjë. Analistët ofrojnë shpjegime dhe parashikime të ndryshme, por jo konsensus. Aktorët e tregut financiar po ashtu mjaftohen të thonë se kursi i këmbimit është variabli më i paparashikueshëm. Për rrjedhojë, ekspozimin në parashikime e shohin si diçka jo-profesionale dhe një rrugë e sigurt për humbjen e kredibilitetit.
Biznesi duhet të përdorë kontratat mbrojtëse
Banka e Shqipërisë nuk garanton asgjë sa i takon kursit dhe nuk harron të tërheqë vazhdimisht vëmendjen se të gjithë ata të cilët janë të ekspozuar ndaj kursit duhet të marrin masa mbrojtëse. Kjo do të thotë nënshkrimin e kontratave të tipit future dhe forward me bankat, çka do t’ju garantonin bizneseve shqiptare një kurs të fiksuar për këmbimet valutore në të ardhmen. Këto kontrata duhen inkurajuar në tregjet financiare shqiptare, po ashtu siç duhet inkurajuar çdo kontratë sigurie: kundrejt një kostoje financiare të ditur në avancë, sipërmarrësit shqiptarë mund të mbrojnë biznesin e tyre nga lëvizjet e padëshiruara të kursit të këmbimit.
Banka e Shqipërisë mbron tezën se regjimi i kursit të këmbimit është i lirë dhe se niveli i kursit nuk është objektiv i saj. Ndërhyrja në muajt e verës u përshkrua si e ‘përkohshme dhe e jashtëzakonshme”. Me fjalë të tjera, Banka e Shqipërisë nuk garanton asgjë sa i takon kursit dhe nuk harron të tërheqë vazhdimisht vëmendjen se të gjithë ata të cilët janë të ekspozuar ndaj kursit duhet të marrin masa mbrojtëse.
Kjo do të thotë nënshkrimin e kontratave të tipit future dhe forward me bankat, çka do t’ju garantonin bizneseve shqiptare një kurs të fiksuar për këmbimet valutore në të ardhmen. Këto kontrata duhen inkurajuar në tregjet financiare shqiptare, po ashtu siç duhet inkurajuar çdo kontratë sigurie: kundrejt një kostoje financiare të ditur në avancë, sipërmarrësit shqiptarë mund të mbrojnë biznesin e tyre nga lëvizjet e padëshiruara të kursit të këmbimit.
Gjithsesi, kjo nuk i jep përgjigje pyetjes fillestare: cili do të jetë drejtimi i ardhshëm i kursit të këmbimit? Këtë pyetje do të na duhet ta lemë pa përgjigje. Megjithatë, diçka mund të shtojmë në mbyllje: drejtimi i ardhshëm i lëvizjes së kursit do të na ndihmojë të kuptojmë nëse përmirësimi i fondamenteve të ekonomisë shqiptare ka qenë real dhe i qëndrueshëm, apo iluzor dhe afatshkurtër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.