Mos investoni paratë që nuk mund t’ia lejoni vetes t’i humbisni. Me qarte se kaq vështirë se gjehet. Po a jemi të sigurtë se “budallenjtë” që ëndërrojnë të fitojnë paranë e lehtë do të ndalen nga këto paralajmërime…
Disa nga instrumentat financiare më spekulative, si Forex dhe opsionet binare, janë prej kohësh një specialitet qipriot, shkruan Il Sole 24 Ore. Me qindra operatorë janë përqendruar në ishullin e Mesdheut, i cili prej tre vitesh është pjesë e Bashkimit Europian.
Deri në 2016-n autoritetet qipriote kishin regjistruar rreth 214 shoqëri CIF (Cyprus Investment Firms) me licence të rregullt, nje numër i katërfishur në vetëm 11 vite, në 2005-n ishin vetëm 50, në 2010 ishin 92. Në fund të 2015-s klientët e shoqërive financiare rezultonin të ishin rreth 1.2 milionë në tregun e Forex-it (me një rritje prej 55 për qind krahasuar me një vit më parë), thuajse 341 mijë për opsionet binare dhe 88 mijë për instrumentat tradicionale. Në shoqëritë financiare qipriote punojnë 3200 të pavarur me nënshtetësi të ndryshme.
Për të mbikëqyrur këtë botë heterogjene me operatorë të mëdhenj e të vegjël është CYSEC, Komisioni i Sigurisë dhe Mbikëqyrjes Qipriote, detyra e të cilit është mbikëqyrja për të siguruar mbrojtjen e investitorëve.
CYSEC ishte në fakt institucioni që 3 maj të 2012-s, për herë të parë në Bashkimin Europian, liroi opsionet binare si instrumentë financiarë me qëllim të tërheqjes së dhjetra operatorëve të rinj në territorin e saj, e cila u ndoq pak muaj më vonë edhe nga Malta. Një licencë nga CYSEC shërben për të operuar në të gjithë territorin e Bashkimit Europian në përputhje me direktivat. Por duhet të rikujtojmë se opsionet binare, në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së, klasifikohen më shumë si lojëra fati se si instrumenta financiarë.
Po a ka ndonjë informacion paraprak për ata që hapin llogari në një broker me zyrë në Qipro?Sigurisht që po, duke qenë se është pjesë e Bashkimit Europian. Në të gjitha faqet është pasqyruar njoftimi se janë investime me risk të lartë, duke nënvizuar rrezikun e humbjes të të gjitha parave. Gjithashtu shtohet në njoftim se ekziston dhe rreziku i konflikteve të mundshme të interesit, ku përmendet qartësisht rreziku se shoqëritë financiare fitojnë paratë, apo evitojnë humbjet financiare, në kurriz të klientit.
Dhe përsëri nën të njëjtin njoftim, shkruhet se përgjegjës për risqet janë vetë klientët që marrin pjesë. Si pasojë, klientët duhet të jenë të gatshëm që të humbin të gjithë kapitalin. Mos investoni paratë kur nuk jeni në gjendje të përballoni humbjet. Me qarte se kaq vështirë se gjehet. Po a jemi të sigurtë se “budallenjtë” që ëndërrojnë të fitojnë paranë e lehtë se do të ndalen nga këto paralajmërime?
Rezultati është se në 2016-n kishte 305 ankesa kundër këtyre institucioneve financiare. Shumica janë konkretisht për sa i përket termave kontraktuale (të firmosura nga klientët), me komisionet, ekzekutimet e ngadalta të urdhrave, apo informacion i dhënë i paqartë.
Çfarë kontrollon CYSEC për operatorët lokalë? Ai denoncon rregullisht të gjithë brokerat e licencuar (siç bëri për shembull në 2013 me TraderXP, NRGbinary, PlanetOption dhe LBinary) dhe ndonjëherë pezullon përkohësisht operatorët që rrezikojnë interesin e klientit. Në raste të tjera kryen sanksione administative.
Si përfundim: A bashkëpunon CYSEC me autoritetet e tjera rregullatore nga tregjet europiane? Po, por jo sa të sillte shqetësim që do të rrezikonte operatorët kryesorë të ishullit. Kjo është reflektuar edhe në rastin e IronFX, një nga më të mëdhenjt e forex-it, i cili u sanskionua për vetëm 355 mijë euro për parregullsi të mëdha të të gjitha llojeve, përfundon artikulli i Il Sole 24 ore.
Forex edhe në Shqipëri
Kompanitë që ofrojnë shërbimin forex dhe binary option (Një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë) kanë filluar të përhapen gjerësisht dhe në Shqipëri, teksa operatorët e call center, të goditur këtë vit nga shtrëngimi i rregullave për delokalizimin nga qeveria italiane, po diversifikohen në këtë drejtim. Bazë mbetet Qipro. Aktorët e tregut pohojnë se janë mbi 50 operatorë që tashmë e ofrojnë këtë shërbim (marrin në telefon klientët potencialë dhe i orientojnë për këto forma investimi), nga të cilët vetëm 3 janë të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Për momentin autoritetet mbikëqyrëse nuk duken shumë të shqetësuara nga ky fenomen, pasi tregu i synuar për ta mbeten klientët jashtë vendit, jo ata shqiptarë, pra janë të huajt që rrezikojnë të humbin paratë. Gjithsesi, edhe në Shqipëri qëndron fakti që askush nuk i mbron klientët nëse ata humbin në këto forma investimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.