Nga Iliriana Plumbi
Vlerësimi ndaj punonjësve është njohja në mënyrë formale ose jo, për një periudhë kohe ose një moment, e sjelljes, përpjekjeve, rezultateve të individit që shtyn kompaninë drejt qëllimeve dhe vlerave sidomos kur janë përtej pritshmërisë normale. Çfarë është vlerësimi? Në fund të fundit është thjesht mirënjohje. Është respekt. Imagjinoni sikur në rrethin tonë familjar apo shoqëror të mos ekzistonte mirënjohja për ndihmën ose nderin. Si do të ndiheshim ne midis miqve që nuk janë mirënjohës dhe a do të ndihmonim përsëri?
Një nga nevojat themelore të njeriut është nevoja për vlerësim, nevoja për të qenë i dobishëm. Njerëzit duan të respektohen për kontributin e tyre. Duan të ndiejnë se kanë arritur diçka, qoftë dhe për përpjekjen. Punonjësit u përgjigjen vlerësimit, duke e shprehur me punën e mirë, sepse pikërisht ky veprim është vlerësuar. Kështu motivohen të mbajnë atë nivel produktiviteti dhe ta përmirësojnë. Njerëzit duhet të mësojnë se si efektivisht të japin këtë vlerësim, se si vlerësohen punonjësit, pa rritur buxhetin e rrogave.
Po ne, në fakt, çfarë dëgjojmë vazhdimisht, “po patën frikë punonjësit punojnë”. Por jo, shkojmë dhe më tej “trajtoji keq dhe do ta shohësh”. E pra në të vërtetë, punonjësit bëjnë një punë dhe marrin rrogën për këtë. Kështu duket se jemi të larë. Tani na u dashka dhe t’i përgëzojmë e pastaj t’i mbajmë në kurriz. E vërteta është se puna ka një cilësi subjektivisht të matshme me një minimum dhe maksimum. Ne duam më të mirën nga çdo punonjës, duam maksimumin. Dhe për këtë na duhet një përforcues pozitiv, i cili është edhe vlerësimi. Nuk duam vetëm atë punën që bëhet sa për të marrë rrogën. Nuk duhet ngatërruar mosidentifikimi i gabimeve apo keqardhja për një punonjës të paaftë me vlerësimin për punë të mirë.
Janë dy aspekte në këtë proces: 1. të shihet kontributi, të identifikohet mundësia për vlerësim. 2) dhe akti i vlerësimit. Të dyja kërkojnë angazhim, kujdes dhe energji. Kjo është një nga arsyet, që anashkalohet ose përdoret presioni. Kjo funksionon gjithashtu, por ka dhe efekte anësore, si rritja e stresit, konflikte midis kolegëve apo dhe mashtrime nga frika.
Vlerësimi i punonjësve ka një komponent të madh komunikimi, ai është një mesazh shumë i fuqishëm për punonjësin dhe kjo kërkon teknikë. Edhe një buzëqeshje, një detaj kaq i thjeshtë, është vlerësim dhe respekt për tjetrin. Nuk kërkon shkencë, por është një gjë që duhet bërë dhe me sa është vënë re, injorohet shumë nga drejtuesit. Shefat vihen në drejtim dhe ndër të tjera duhet të bëjnë njerëzit të punojnë sa më mirë. Ky është roli i tyre. Nëse nuk influencojnë punonjësit e tyre, ata nuk po e bëjnë punën që u është ngarkuar.
Një pyetësor nga Sirota ka rezultuar se vetëm 51% e punonjësve ishin të kënaqur me vlerësimin që u kishin bërë pas një pune të mirë. Kjo shifër del si rezultat i anketimit të 2.5 milionë punonjësve në 237 organizata të ndryshme në 89 vende të botës. Ky është një problem.
Analiza e kostos dhe përfitimit për Vlerësimin thekson se kosto për vlerësimin është shumë e vogël, ndërkohë që përfitimet janë shumë të mëdha kur ai zbatohet. Walt Disney World, pasi rriti vëmendjen ndaj vlerësimit, rezultoi në një rritje prej 15% të kënaqësisë së stafit, i cili ndikoi direkt në rritjen e fitimit. Një analizë e kryer nga organizata “Gallup” në vitin 2003, bazuar në të dhënat statistikore të 10,000 bizneseve në 30 industri të ndryshme, konkludon se vlerësimi sjell:
Përfitimet
-Produktiviteti individual u rrit – vlerësimi e rrit dëshirën për të përsëritur të njëjtën sjellje, bazuar kjo në psikologjinë biheviorale. Sjellja pozitive e përforcuar çon kompaninë në arritjen e indikatorëve të performancës.
-Satisfaksioni rritet – më shumë kohë në punë, më pak ankesa.
-Klientët më besnikë, sepse janë të kënaqur.
-Puna në grup më e mirë.
-Punonjësit më të mirë qëndrojnë të punësuar dhe nuk ka largime nga puna.
-Më pak gabime dhe konflikte.
-Më pak mungesa dhe stres.
Kostot janë
-Koha për të menduar një strategji.
-Koha e shpenzuar për të dhënë vlerësimin.
-Kosto për të mësuar shefat si ta japin vlerësimin.
-Si bëhet një vlerësim
Në mënyrë spontane falënderoni njerëzit, kjo është shumë efektive. Për shumë njerëz, falënderimi i sinqertë është shumë i vlefshëm, ndonjëherë edhe më shumë se diçka materiale.
Si shembull kemi një rast, një Designer punonte me grafikë për reklamat e porositura nga një kompani telefonike mobile. Klienti kërkoi disa ndryshime në kohë të shkurtër, duhej të nesërmen. Ai e ripunoi dhe shumë shpejt, siç e donte porositësi. Aktiviteti prej motit, shtyhet për pas një jave, megjithatë klienti i dërgon një shënim falënderimi për gatishmërinë dhe për cilësinë që pati stafi. Shefi informon punonjësin që aktiviteti nuk kryhet këtë javë dhe se produkti ishte i shkëlqyer dhe duhet të shprehë përshtypjen e mirë për shpejtësinë dhe kreativitetin e tij. Po çfarë ndodhi ai nuk e përmend këtë gjë askund. Madje në fund i thotë punonjësit “se nuk u desh ajo që bëre se e anuluan aktivitetin ata..! Paratë m’i dha të paktën…”
Formula më e mirë për të vlerësuar individët është:
-Falënderoni personin me emër.
-Specifikisht duhet thënë për çfarë. Kjo është shumë e rëndësishme për të përforcuar atë çfarë ju dëshironi që ai ta përsërisë.
-Mundësisht të thuhet vlera që ka kjo punë për organizatën.
Mënyra formale është vlerësimi i performancës në formën e një dokumenti dhe bëhet periodikisht, ndoshta një herë në vit. Organizata të ndryshme kanë formular dhe politika të posaçme të ngritura për këtë qëllim. Gjithashtu ka dhe sisteme shpërblimesh me çmime të ndryshme. Këto ruhen në dosjen e personelit përgjithmonë dhe përdoren si biografi e punës, të cilat janë gjurmë për karrierën e një personi. Po kjo është për dosjen, ne nuk presim vitin tjetër për të komentuar një punë fantastike të bërë sot. Dhe nëse duam ta përforcojmë këtë sjellje, ne duhet ta bëjmë vlerësimin menjëherë verbalisht ose me një email, me përfshirje në vendimmarrje për atë proces në të cilin punonjësi operon me transparencë, informo se çfarë po ndodh. Duke i kushtuar vëmendje, punonjësi ndien vlerën që ai ka për shefin dhe kompaninë ku ai punon.
Nëse jeni shef provoje, pa i thënë askujt dhe vëzhgoni rezultatet. Vlerësimi është vetëm një komponent i motivimit të stafit, por që nga statistikat duket të jetë i rëndësishëm për ta. Të tjera elemente kanë të bëjnë me zgjidhjen e konflikteve midis kolegëve apo minimizimi i burimeve të stresit dhe strategjia e përcaktimit të pagave në kompani, që janë si më të përmendurat për largimet nga puna.
Përshëndetje, e lexova artikullin,është i mirë,kshillues dhe vetëvlerësues për poziten ku gjendesh,si duhet të veprosh dhe si ti korigjosh veprimet, vlerësimi real dhe mbështetja e duhur gjatë jetës e posaqrisht në punës sjell të mira për puntorin individualisht dhe ekipit gjat sistemit të punës, për kompanin e në vazhdim.Mos vlersimi sjell efekte negative e mbi të gjitha stresi për të nënvlersuarin,dekurajim deri në probleme psiqike e shpirtërore.Ju lutem si të menaxhohet stresi nga mos vlerësimi si duhet? si të tejkalohet situata?.