Artikulli që po botojmë në këtë numër të “Monitor” u publikua nga “Le Figaro” një ditë pas fitores së François Fillon, në raundin e parë të primares presidenciale të datës 20 nëntor, nga Maxime Tandonnet, një ish-funksionar, i cili aktualisht shkruan për “Le Figaro”, që shpjegon fitoren në këto rreshta.
Sipas Figarovox/Tribune – me më shumë se 44% të votave në raundin e parë të primares presidenciale, François Fillon mundi kundërshtarët e tij. Për Maxime Tandonnet, me qëndrimin e tij golian (referuar Charles De Gaulle), Fillon arriti diçka të jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në historinë e kohëve të fundit të së djathtës.
Ish-këshilltar i Nicolas Sarkozy-s, funksionar i lartë, Maxime Tandonnet dekripton çdo javë aktivitetin e shtetit për “FigaroVox”. Ai është autori i disa librave, ndër të cilët “Histoire des présidents de la République” (éd. Perrin, 2013) dhe “Au coeur du Volcan, carnet de l’Élysée” (éd. Flammarion, 2014). Gjithashtu zbuloni kronikat në blogun e tij.
Fitorja dërrmuese e François Fillon e raundit të parë të primares presidenciale të së djathtës dhe qendrës, në kontekstin e një mobilizimi historik në fushatën elektorale, krijoi një tërmet politik, e krahasueshme me situatat që mbulojnë jetën demokratike në botën perëndimore prej vitesh: “Jo-ja” e popullit francez dhe holandez për referendumin e Kushtetutës europiane në maj të 2005-s, referendumi i Brexit në qershorin e shkuar, fitorja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara. Çfarë ndodhi? Përpara dy javësh, askush nuk e imagjinonte një skenar të tillë, të gjithë sondazhet tregonin Fillon shumë larg duo-s në avantazh Juppé-Sarkozy. Në pesëmbëdhjetë ditë, ish-kryeministri 2007-2012 fitoi 30 pikë. A ka precedent të një ndryshimi kaq spektakolar dhe masiv në historinë e demokracisë franceze? Është një fenomen që tregon psikologjinë kolektive franceze. Do të ishte e gabuar ta mendonim si ndërgjegjësim të papritur të francezëve lidhur me programin e François Fillon, i njohur prej një viti. Jo, është tjetër gjë, është një fenomen që tregon psikologjinë kolektive. Si në Shtetet e Bashkuara apo në Britaninë e Madhe, sapo ndodhi një revoltë e trupit elektoral. Francezët u rebeluan kundër ligjit të mediave dhe të sondazheve, të cilat “këmbëngulën” t’i shesin një skenar tjetër, atë të fitores së Alain Jupée, kundër Nicolas Sarkozy, njeriut të copëtimit dhe shtresëzimit. Populli dëshiroi të përgënjeshtrojë një lloj akuze të rëndë, duke votuar masivisht një opsion të tretë. Vetë nocioni, i votimit në raundin e parë të së djathtës dhe të qendrës, u gjykua si demode. Me ndjeshmëri të ndryshme, francezët e përdorën këtë rast për të shprehur zemërimin e tyre. Ky rezultat, pikësëpari, është një revoltë popullore kundër elitës politike dhe mediatike, një përgjigje e kombit lidhur me ndjenjën se një klasë e mediatizuar do t’i imponojë mënyrën e saj të të parit, menduarit dhe votuarit.
Ky rezultat vjen si rrjedhojë e një revoltë popullore kundër elitës politike dhe mediatike.
Fitorja e Fillon rrjedh nga një instinkt, një ndjeshmëri që vezulloi papritur si një vetëtimë. Ajo nuk lindi nga asgjëja. Duhet të mos harrojmë që ish-kryeministri i Nicolas Sarkozy ishte vërtet i famshëm në vitet 2007 dhe 2012. Përqindja e mbështetësve të tij kalonte vazhdimisht atë të presidentit me 10 pikë. Disa shihnin një çrregullim të institucioneve, një Republikë të pestë, në të cilën Presidenti i Republikës është zakonisht më i njohur se shefi i qeverisë së tij. Beteja kundër Jean-François Copé për fitoren e UMP në vitin 2012 përçau imazhin e deputetit të Parisit. Është ky lloj popullariteti që u rishfaq papritur më 20 nëntor 2016.
Ngjarja është e një rëndësie të madhe. Duke votuar François Fillon, francezët janë duke varrosur nocionin e “hiper-presidencës”. Ata kundërshtojnë imazhin e narcizmit presidencial, një kryetar shteti që, prej pesëmbëdhjetë vitesh, pretendon të mishërojë vetë pushtetin politik, i gjithëpranishëm në media, komunikuesi suprem i Republikës. Ata refuzojnë kultin e personalitetit, presidencën llafazane që kërkon të fshehë dështimet dhe pafuqinë në morinë e fjalëve dhe qëndrimeve.
Personaliteti i François Fillon është thelbësor për të kuptuar tërmetin politik
Në fakt, personaliteti i François Fillon është thelbësor për të kuptuar tërmetin që po ndodh. Personazhi i tij jep një imazh të thjeshtësisë, diskrecionit, një temperament të heshtur, jo të prirë drejt dinakërisë. Prandaj dhe tre debatet televizive patën një impakt të konsiderueshëm, të cilat përkuan me forcimin e tij. Pas vitesh të tëra gjestikulimi dhe mburrjeje, francezët treguan etjen e tyre për qetësinë elysiane (Rezidenca Presidenciale), për punë serioze dhe kolektive për drejtimin e politikës franceze. Kundër fjalës së shfrenuar dhe të pafuqishme, ata shprehën shpresën e veprimeve efikase. Kundër politikës spektakël, ata zgjodhën një imazh të pastër me autoritetin modest që Fillon diti t’ju ofrojë.
Disa vite pas çështjes DSK dhe Cahuzac, ky anim marramendës në favor të ish-kryeministrit, i cili nuk u përball kurrë me drejtësinë, tregon vullnetin e francezëve për ekuilibrimin e jetës publike.
Në këtë periudhë tragjike për vendin, i gjakosur nga terrorizmi, i trazuar nga 6 milionë të papunë, rritja marramendëse e komunitarizmit, dekadenca industriale dhe një kontekst ndërkombëtar i acaruar, François Fillon gjeti një stil golian, fjalë të cilat sigurojnë dhe inspirojnë besim. Ai u shpreh në favor të dialogut me Moskën dhe të prioritetit absolut për luftën kundër Daech në Lindjen e Mesme. Mbi këtë pikë, ai u distancua radikalisht nga ideologjia e “politikisht korrekt” e sjellë nga shumica e kundërshtarëve të tij.
Por, mbi të gjitha, votuesit francezë të raundit të parë, u bindën nga angazhimi i përsëritur i Fillon në favor të krishterëve të Lindjes, viktima të gjenocidit. Nga fjalët e tij, ai diti të prekë në zemër të Francës, të vlerave, të një prej traditave më të hershme të historisë së saj. Shmangia e fjalimit mbi identitetin francez dhe lotët e shoqërisë franceze, apeli i tij i vazhdueshëm dhe këmbëngulës në favor të minoriteteve të krishtera të persekutuara në botë, ndoshta pati për efekt mobilizimin e elektoratit të krishterë në Francë, në favor të tij. Dhe këtë, askush nuk e parashikoi…