Tregu i leasing-ut është reduktuar 20% në 6 muajt e parë të këtij viti, në një kohë kur investimet e biznesit dhe të individëve kanë rënë. Rritja e ndjeshme e shitjeve të automjeteve të përdorura po dëmton leasing-un, financuesin kryesor të automjeteve të reja të koncesionarëve
Ulja e investimeve të biznesit dhe e shitjeve të makinave të reja ka “cenuar” tregun e leasing-ut, i cili gjatë këtij viti po përjeton periudhën më të vështirë ndër pesë vjet aktivitet.
Kriza është ndier sidomos te firmat e ndërtimit, por edhe te subjektet e varura nga pagesat e qeverisë, e cila e ka rritur borxhin e saj ndaj biznesit.
“Rënia më e madhe, tregut i ka ardhur pikërisht nga makineritë e ndërtimit, financimi i të cilave është ulur në minimum, për shkak edhe të krizës së vetë sektorit”, thotë Fatmir Sulo, Drejtor Ekzekutiv i “Credins Leasing”.
Nga ana tjetër, ka rënie të ndjeshme të konsumit, tkurrje të aplikimit për kredi nga klientët, sidomos biznesi i madh, i cili ka nevojë për likuiditet aq të domosdoshëm për aktivitetin e tij. Biznesi i vogël dhe individët janë të ndjeshëm nga norma e interesit apo marrja e një kredie në këtë situatë krize. Negativisht po ndikon efekti psikologjik tek individët, të cilët në periudha krize kanë tendencë të kursejnë. Konsumatorët kanë ulur kërkesat apo kanë shtyrë planet për investime.
Por rënie të ndjeshme, tregu i leasing ka pësuar nga rritja e madhe e importit dhe shitjeve të automjeteve të vjetra, të cilat pas ndryshimit të ligjit, mund të importohen, duke paguar shumë më pak detyrime në shtete.
Makinat e përdorura nuk mund të financohen, pasi nuk janë importuar nga tregtuesit e licencuar apo më tepër nuk janë të tregtueshme, pasi nuk shiten me faturë tatimore nga subjektet apo individët që i kanë importuar, pra nuk kanë ndihmuar në rritjen e tregut të leasing-ut.
“Tregu, në tërësi, pati rënie rreth 20% në pjesën e automjeteve krahasuar me një vit më parë, ku rritja e importeve të makinave të vjetra është 200%, sidomos në tremujorin e fundit të vitit”, thotë Altin Saliasi, Drejtor Ekzekutiv i “LandesLease”.
Automjetet janë pesha kryesore e financimeve leasing, më shumë se 70% e tyre shkon pikërisht në këtë segment. Pjesa tjetër prej 30% janë kryesisht financime për makineri dhe pajisje, të cilat kanë pësuar gjithashtu rënie të ndjeshme.
Pesha e financimeve të automjeteve është ulur më shumë tek individët, të cilët, në kushtet e reduktimit të konsumit janë nxitur të blejnë me çmime më të ulëta, duke shmangur kreditë. Financimet e automjeteve për individët zënë rreth 25% të totalit të financimeve në leasing, pjesa tjetër i përket biznesit.
Financimet për makineri dhe pajisje, ku dominojnë ato në sektorin e ndërtimit, po njohin vetëm përkeqësim, sidomos gjatë 2-3 viteve të fundit. Ndërtuesit, prej kohësh, kanë shfaqur probleme për shkak të mosshitjes së objekteve që kanë ndërtuar, por edhe nga vonesat në shlyerjen e detyrimeve nga qeveria, në rastet kur ata kanë kryer punime publike. Kjo ka ndikuar edhe në uljen e ritmit të rritjes së biznesit që nga 2010-a.
Si u nda tregu në 2011
Në total, tregu i leasing-ut përllogaritet të ketë xhiruar në 2011-n rreth 84 milionë euro, me rritje 30% krahasuar me 2010-n, sipas operatorëve të tregut. Rritjen e ka dhënë financimi i automjeteve, kryesisht atyre të biznesit.
Sot, në Shqipëri, janë pesë kompani të mëdha leasing-u, “Raiffeisen Leasing”, “Tirana Leasing”, “LandLease”, “Credins Leasing” dhe “SoceLease”. Por tregu është i dominuar nga “Raiffeisen Leasing”, “Credins Leasing” dhe “LandesLease”. Në treg, prej më se tre vitesh tashmë operon edhe “Final”, një kompani leasing që financon shuma të vogla deri në 100,000 lekë, për pajisje elektroshtëpiake.
“Raiffeisen Leasing” përllogaritet të zërë rreth 45% të shitjeve, ndërkohë që vijnë më pas “LandesLease”, “Credins Leasing” dhe “Tirana Leasing”, secila me 15%.
Sektori dominohet tërësisht nga tregu i blerjes së makinave të reja, më pas, në listën e produkteve më të shitura nëpërmjet leasing-ut, vijnë mjetet e transportit, duke nisur nga autostradat e furgonët e më pas mjetet e transportit të rëndë.
Mbi 50-60% e tregut ka të bëjë me financimin e makinave. Pjesën tjetër, 15-20%, e zë financimi i blerjes së kamionëve dhe 20% të tjera për makineri dhe pajisje.
Kohëzgjatja e financimeve është pak a shumë e njëjtë për të gjitha kompanitë dhe shtrihet në të shumtën e rasteve nga një në pesë vjet, ndërkohë që norma mesatare e interesit që përdorin kompanitë luhatet në 8% në vit.
Por tregu i leasing-ut vijon të jetë ende shumë pak i zhvilluar, sidomos nëse krahasohet edhe me vendet fqinje të rajonit, rreth 1/10 e tyre. Një nga mangësitë më të mëdha, që po mban “peng” zhvillimin e tregut të leasing-ut është ligji mbi përdorimin e makinave të vjetra në vend, çka rriti ndjeshëm tregun e automjeteve të përdorura dhe reduktoi shitjet e makinave të reja, që financohen nga kompanitë e leasing-ut.
Gjithsesi kompanitë kanë financuar bizneset që kanë blerë automjete, të domosdoshme për punë. “Bizneset nuk mund të shmangin shpenzimet për automjetet, sepse janë të nevojshme, edhe në raste krizash”, thotë z. Sulo, i “Credins Leasing”.
Ka edhe shanse…
Por në periudha krize, kur kreditimi shtrëngohet nga bankat, leasing ka avantazh, sepse ka shumë më pak burokraci dhe ofron fleksibilitet.
Kriza shkakton çrregullime financiare te biznesi, i cili vuan për likuiditet dhe leasing-u është produkti i duhur që ndihmon drejtpërdrejt biznesin.
Leasing-u rritet në periudha krizash dhe ndryshon strukturën e portofolit të tij, në varësi të nevojave të zhvillimit të ekonomisë vendase. Kompanitë fokusohen pikërisht te biznesi, që ka nevojë për financime në automjete, pajisje, linja prodhimi.
Drejtorja e “Raiffeisen Leasing”, Ida Shehu, thotë se gjatë 2011-s pësuan rritje prej 15% në financimin e makinave të reja, për shkak të rritjes së biznesit të makinave me qira.
2012-a, viti më i vështirë
Viti 2012 do të jetë më i vështiri në këtë periudhë 5-vjeçare ku tregu ka pësuar vetëm rritje. Situata tregon se konsumatorët kanë tkurrur kërkesat apo shtyrë planet për investime, por kompanitë e leasing shpresojnë që 4-mujori i fundvitit do jetë edhe përcaktuesi i situatës për këtë vit.
Përveç krizës ekonomike, që ka ulur ndjeshëm aftësinë paguese të bizneseve dhe individëve, efekt negativ po jep edhe situata konfliktuale politike, e cila ul ritmin e investimeve. Mospagesat e detyrimeve që qeveria u ka kompanive, kryesisht ndërtuesve, ka ulur ndjeshëm blerjen e makinerive dhe pajisjeve nga ky sektor dhe në kushtet e krizës, kjo situatë pritet të jetë e tillë deri në fund të këtij viti.
Tregu po përjeton dy presione: atë të krizës globale, e cila padyshim jep efektet në tregun vendas, si dhe ndryshimet strukturore që po ndodhin si në anën e kërkesës, edhe të ofertës.
Nga ana e kërkesës, kriza globale ka dhënë dy efekte të prekshme që janë ulja e remitancave dhe ulja e konsumit, me qëllim kursimin e parave për një ditë “të keqe”.
Nga ana e ofertës, në treg po futen gjithnjë e më shumë aktorë, duke rritur konkurrencën dhe për rrjedhojë, duke ulur tregun potencial për aktorët që ofrojnë mallra dhe shërbime.
Ndryshimi strukturor nga ana e ofertës po i vjen për shtat konsumatorëve, që po përfitojnë gjithnjë e më shumë mallra dhe shërbime të mira e të lira.
INTERVISTA/ Flet Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e “Raiffeisen Leasing”
Makinat me qira rritën tregun
Si ka qenë ecuria e kompanisë “Raiffeisen Leasing” gjatë 2011-s dhe gjysmës së parë të 2012-s? Sa pjesë të tregut keni?
2011-a ka qenë një tjetër vit i suksesshëm për “Raiffeisen Leasing”, me volumin më të lartë të biznesit të ri që nga fillimi i krizës në 2008-n. Por, ne shohim ngadalësim në gjysmën e parë të këtij viti. Pavarësisht kësaj, ne vazhdojmë të jemi lider në tregun shqiptar të leasing-ut, duke zotëruar mbi 45% të këtij tregu.
Po ecuria e tregut në tërësi, si ka qenë?
Në lidhje me shitjen e makinave të reja, ne shohim rritje prej pothuajse 15% krahasuar me vitin 2010 dhe kjo kryesisht është e lidhur me rritjen e biznesit të makinave me qira, por blerjet “cash” ende dominojnë duke përbërë 50% të shitjeve. Gjithsesi, ne shohim një frenim në investimin për makineri të reja në sektorin e ndërtimit.
A është ndier efekti i krizës dhe ulja e investimeve dhe e konsumit?
Efektet e krizës kanë detyruar shumë individë dhe kompani që duan të blejnë automjete për nevoja personale apo për punë, të shtyjnë planet e tyre për një kohë më të përshtatshme ose të gjejnë automjete të përdorura me një kosto më të përballueshme.
A ka pasur efekt negativ rritja e peshës së makinave të vjetra në treg dhe ulja e shitjeve të makinave të reja në tregun e leasing-ut?
Ndryshimi vitin e kaluar i ligjit të taksave doganore për importimin e mjeteve të vjetra bëri që të binte pengesa kryesore që ekzistonte për mosblerjen e mjeteve të vjetra ose shumë të vjetra. Si rrjedhim i këtij lehtësimi pati dyndje mjetesh të përdorura nga Europa me vjetërsi mesatarisht nga 5-12 vjet, për të cilat kishte një kombinim të leverdisshëm kosto-përfitim.
Në këtë situatë efekti mbi tregun e leasing-ut është ndier në numrin e mjeteve të reja të shitura, dhe për rrjedhojë, edhe në numrin e mjeteve të financuara me leasing. Për këtë arsye, “Raiffeisen Leasing” ka ofruar që në fillim financimin e mjeteve të përdorura maksimalisht 3-4 vjet, me afate të mira ripagimi, si dhe kushte financimi që e bëjnë të pranueshme për çdo klient, qoftë individ apo firmë që të marrë një makinë.
Altin Saliasi, Drejtor Ekzekutiv i “Landeslease”
Gjatë vitit 2011, “Landeslease” ka financuar automjete dhe pajisje në një volum mbi 9 milionë euro, duke e renditur të dytën pas “Raiffeisen Leasing” sa i përket financimeve të reja për atë vit. “Landeslease” zotëroi rreth 29% të tregut me financimet e dhëna në vitin 2011.
Struktura e portofolit u konfigurua me produkte të reja gjatë vitit 2011, të cilat çuan në një diversifikim më të mirë të portofolit tonë. Në total u shitën 3,113 makina, nga të cilat 1,312 u financuan nga 5 kompanitë e leasing-ut.
Fatmir Sulo, Drejtor Ekzekutiv i “Credins Leasing”
Viti 2011 ishte një vit i mirë për ne, siç ka qenë për të gjithë tregun në tërësi dhe ne e rritëm peshën tonë në të, duke e çuar në 15% të tij.
Por gjatë vitit 2012 ka pasur rënie prej rreth 20% të tregut të leasing-ut, por ne kemi mundur të ruajmë rritjen, falë konsolidimit të marrëdhënieve me koncesionarët dhe bizneset në tërësi. Kemi qenë shumë konkurrues në financimin e autoveturave, përmes produkteve që kemi ofruar për klientët tanë. Me gjithë krizën, ne e kemi ruajtur cilësinë e shërbimit dhe falë besueshmërisë së koncesionarëve dhe të klientëve kemi pasur ecuri konstante edhe në këtë vit të vështirë.
Emin Barçi, administrator i “Final”
Gjatë 2011, “Final” e rriti portofolin e vet me 809% ose 8 herë krahasuar me një vit më parë. Kjo falë partneritetit me “Neptun shops”, “Digitalb”, “GoTech” etj. I njëjti trend vazhdon edhe gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Nuk mund të flas për market share, sepse “Final” po financon kryesisht “non bankable people” dhe për nevoja të konsumit individual apo familjar. Nëse do krahasohemi me “Raiffeisen Bank”, ku jemi së bashku në “Neptun shops” mund të them se po barazojmë pjesën e tregut.
Kredia për individë vitin e kaluar ka qenë rreth 180 milionë euro, një shifër e kënaqshme që dëshmon se çdo ditë e më shumë shqiptarët po i drejtohen institucioneve bankare e financiare për të plotësuar nevojat e tyre.
Avantazhe & Dizavantazhe
-Leasing ka përparësitë e veta në raport me kredinë, sepse kur blen me leasing, klienti nuk ka nevojë të mendojë për të gjetur një kolateral, pasi vetë produkti i blerë shërben si garanci për shoqërinë e leasing-ut.
Kjo është një lehtësi, sepse klienti nuk bllokon kolateral shtesë.
-Por leasing-u ka dizavantazhin e taksave. Nëse një klient ka një kolateral, natyrshëm do të zgjedhë kredinë për të financuar blerjen, sepse leasing-u e rëndon me TVSH.
-Leasingu ka aset mjetin apo pajisjen dhe është konsumator i madh i kapitalit dhe njëkohësisht jemi pararoja e zhvillimeve të produkteve të reja apo tërheqjes së kapitaleve të huaja. Leasing-u është produkti që shtyn bankat që të përmirësojnë procedurat e kredidhënies për klientët.
-Nëse një makineri importohet nga një biznes përdorues, pagesa e TVSH-së mund të shtyhet deri në një vit. Shoqërive të leasing-ut nuk u njihet kjo e drejtë.
Prirjet e tregut
-Tregu pati rënie rreth 20% në pjesën e financimit të automjeteve krahasuar me një vit më parë, ku rritja e importeve të makinave të vjetra është 200%, sidomos në tremujorin e fundit të vitit
-50-60% e tregut ka të bëjë me financimin e makinave, pjesën tjetër, 15-20% e zë financimi i blerjes së kamionëve dhe 20% të tjera për makineri dhe pajisje
– 25% zënë financimet e automjeteve për individët në totalin e financimeve në leasing, pjesa tjetër i përket biznesit
– 84 milionë euro përllogaritet në total tregu i leasing-ut në vitin 2011, me rritje 30% krahasuar me 2010-n. Rritjen e ka dhënë financimi i automjeteve, kryesisht atyre të biznesit
– Tregu i leasing-ut vijon të jetë ende shumë pak i zhvilluar, sidomos nëse krahasohet edhe me vendet fqinje të rajonit, vetëm 1/10 e tyre
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.