Tregje të mbushura plot e përlot dhe Festivali në Brandenburger Tor për t’i uruar mirëseardhjen Vitit të Ri. Spektakle, shfaqje të ndryshme teatrale, koncerte, lokale të hapura deri në orët e para të mëngjesit si dhe shumë gjëra të tjera për të kaluar një periudhë sa më të mirë gjatë ditëve të fundit të vitit në Berlin.
Nëse Berlini konsiderohet si “Nju Jorku” i vogël i Europës, atëherë gjithsekush mund ta imagjinojë fare mirë sesi mund të kalohen festat në këtë qytet.
Berlini është kryeqyteti europian që i përshtatet çdo shijeje, edhe atyre më kërkuese. Që nga përrallat e Hansel dhe Gretelit të vëllezërve Grim, biskotat karakteristike, disa prej birrave më të pëlqyera e deri tek lokalet e jetës së natës, unike në llojin e tyre.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, të gjithë njerëzit i ke në shesh duke u ngrohur me shijen e mrekullueshme të verave karakteristike gjermane.
Ide për të festuar më së miri Vitin e Ri në Berlin
Zgjedhjet për të kaluar një Vit të Ri të paharrueshëm janë të shumta në Berlin, madje shumë veta nuk dinë se çfarë të zgjedhin ndërmjet gjithë këtyre mundësive.
Një prej zgjedhjeve më tradicionale vazhdon të mbetet ajo e koncertit të San Silvestros më 31 dhjetor, në Brandenburger Tor, ku këshillohet të mbërrini rreth orës 18:00, sepse policia mbyll rrethimin për shkaqe sigurie.
Ndërsa për të gjithë ata që duan ta kalojnë natën e ndërrimit të viteve në ambiente të mbyllura, këshillohet lokali Adagio në sheshin ‘Potsdamer’, ku hyrja është vetëm 29 euro, duke vazhduar më tej me House of Weekend dhe Alexanderplatz ku mund të kërceni deri në orët e para të mëngjesit.
Duke u zhvendosur më në lindje të Berlinit, ju afroni gjithnjë e më shumë me zonën e mirënjohur të jetës së natës.
Si një vend që dallohet ndër të tjerë për muzikën elektronike dhe eksperimentale, Berlini ofron për të gjithë të pasionuarit e këtyre rrymave lokat e famshme si Watergate, i famshmi Berghain (një prej klubeve më të fmashme jo vetëm në Berlin por në botë për muzikë house), apo Tresori (ku hyrja është 27 euro).
Nëse jeni tipa më të qetë dhe nuk i preferoni klubet e natës, atëherë mund të shkoni në koncertin me muzikë të stilit barok pranë kështjellës së Charlottenburg (hyrja është 104 euro me darkë të përfshirë). Ndërsa për të gjithë romantikët, këshillohet Claechens Ballhaus, ku ju mund të shijoni muzikën klasike në një prej sallave më të vjerta gjermane.
Në fund, por jo e fundit, për të gjithë të pasionuarit e muzikës filarmonike këshillohet të shkojnë të ndjekin koncertin Philharmonie më datë 31 dhjetor ora 17:15, ku bileta fillon nga 100 euro).