Fushata e Ndërgjegjësimit dhe Kontrollit për Zbatimin e Ligjit për Akcizën ka hyrë tashmë në muajin e saj të dytë. Gjatë muajit të parë, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Crown Agents punuan për të rritur ndërgjegjësimin tek prodhuesit, importuesit, shpërndarësit dhe shitësit me pakicë për sa u përket të drejtave dhe detyrimeve të tyre në bazë të ligjit për Akcizën. Njëkohësisht, grupet operative ushtruan kontrolle tek ato subjekte tregtare të cilat kishin probleme të dukshme të përputhshmërisë ligjore, sipas burimeve zyrtare nga Dogana.
Muaji i parë i kësaj fushate shërbeu për të identifikuar problemet apo kundërvajtjet e bizneseve për sa i përket pagesës së taksës së Akcizës. Gjithashtu, këto javë shërbyen për të krijuar bazën e një analize më të detajuar e risku. Kontrollet që do të ushtrohen gjatë këtij muaji do të bazohen tek analiza e riskut dhe tek mbledhja e informacionit. Synimi i qartë i këtyre kontrolleve do të jetë identifikimi i atyre subjekteve tregtare që shmangin detyrimet e tyre ndaj shtetit.
Parashikohet që gjatë këtij muaji të ushtrohen një numër i konsiderueshëm kontrollesh tek ata operatorë ekonomik që prodhojnë, importojnë, shpërndajnë e shesin me pakicë mallra të cilat janë subjekt i ligjit për Akcizën, të tilla si cigaret (duhani), alkooli, pijet energjike, etj. Duke e konsideruar tashmë të mbyllur fazën e ndërgjegjësimit të bizneseve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të jetë e palëkundur në zbatimin e ligjit, mbledhjen e të ardhurave nga Akciza dhe në gjobitjen e atyre subjekteve të cilët vazhdojnë të shkelin ligjin.
Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje edhe një herë subjekteve të autorizuara e që të rregullojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjet në fuqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.