Futbolli, biznes në rritje: xhiro e fitimeve, 3,6 mld euro për tetë më të mirat e Champions League

03/04/2018 3:50 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Faza çerekfinale e Champions League nis sonte, me dy ndeshje: Juventus – Real Madrid dhe Sevilla – Bayern München, ora 20:45. Ndërsa nesër do të përballen dy çiftet e tjera, Liverpool – Manchester City dhe Barcelona – Roma.

Përtej skuadrave që do të përballen në fushë është interesante t’i hedhim një sy edhe fuqisë ekonomike të klubeve që kanë arritur në këtë fazë të kompeticionit të Champions League. Futbolli është një biznes në rritje dhe tendenca konfirmohet nga fakti që tetë skuadrat më të mira të Europës këtë sezon kanë një qarkullim më të madh se sa në sezonin e kaluar: 3,6 miliardë euro kundrejt 2,9 miliardë euro.

Nëse tendenca është ajo që të shohim skuadrat më të pasura të arrijnë në fazat finale të kompeticionit më të rëndësishëm europian (78%), raste si ai i klubit të Sevilla-s tregojnë se edhe klube me më pak fuqi financiare janë në gjendje të arrijnë në këto faza të kompeticionit.

Ecuria financiare e klubeve në Champions League, klubet më të pasura arrijnë në fazat finale në pjesën më të madhe të rasteve

Sipas një analize të “KPMG Football Benchmark”, katër nga pesë klubet me qarkullimin më të madh (Real Madrid, Barcelona, ​​Bayern München e Manchester City) janë ende pretendentë për trofeun, ndërsa klube si Roma dhe Sevilla – janë jashtë dhjetë të parëve në termat “enterprise value”. Fitorja e Sevilla-s ndaj Manchester United ishte e papritur, duke marrë në konsideratë të dhënat financiare të klubeve: vlera e “Red Devils” është thuajse 12 herë më e lartë. Ndër të tjera, sa më e lartë vlera e tregut të skuadrës, më të mëdha janë mundësitë për të arritur rezultate pozitive. Barcelona është në krye të këtij klasifikimi me një vlerë të përgjithshme prej 957 milionë eurosh.

Ecuria financiare e klubeve në Champions, të ardhurat komerciale kanë një peshë të ndjeshme

Analiza e fitimeve operative thotë shumë mbi klubet që kanë arritur në këtë fazë të kompeticionit. Modelet e klubeve me vlerën më të lartë të qarkullimit bazohen kryesisht tek të ardhurat komerciale. Në këtë kuptim, Bayern München regjistron varësinë më të madhe nga të ardhurat komerciale (58%). Nga ana tjetër, Juventus dhe Liverpool, pavarësisht se kanë regjistruar një ecuri të ngjashme në shitje, kanë diferenca të dukshme: ndërsa të drejtat televizive përfaqësojnë 42% të të ardhurave totale të “The Reds”, “televarësia” e bardhezinjve ka arritur 57% në sezonin 2016/2017.

Ecuria financiare e klubeve në Champions, stabiliteti ekonomik nuk është më një mirazh

Një ndër sfidat kryesore të klubeve vitet e fundit është qëndrueshmëria në aktivitetin e tyre, sot jo aq e pamundur. Në fakt, shtatë klube nga tetë kanë regjistruar fitime para tatimit në sezonin 2016/2017. Ndërsa Bayern München konfirmohet si klubi me menaxhimin më të mirë, me fitimet më të larta para tatimit të regjistruara në gjashtë vitet e fundit.

Edhe Juventus ka regjistruar një vit rekord sa i përket ecurisë së vet financiare. Përtej suksesit në fushë, fitimi pas shitjes së Paul Pogba ishte një ndër faktorët kryesorë që i ka lejuar skuadrës italiane të katërfishojë fitimet para tatimit krahasuar me sezonin paraardhës. Vetëm Roma, për shkak të mospjesëmarrjes në Champions League vitin e kaluar është skuadra e vetme me bilanc negativ.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz