Për shkak të gabimeve të thesarit gjatë procesimit të pagesave për subvencione të fermerëve për perime në fushë të hapur, gjatë vitit që shkoi 352 përfitues ishin paguar nga dy herë gabimisht me vlerën e mbi paguar gabimisht mbi 247,047 euro. Kurse, Ministria e Bujqësisë për përfitimin e granteve ka poentuar përfituesit që nuk i ka takuar asnjë pikë.
Kështu thuhet në raportin e vitit 2015, ku theksohet se pasi janë vërejtur këto gabime, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka filluar korrigjimet në departamentin e Thesarit, si dhe të kërkojë kthimin e mjeteve nga përfituesit.
“Mbi pagesat janë kthyer nga Thesari, edhe pse procesi i kthimit të mjeteve është përcjellur me gabime në shumat e tyre. Kjo krijon pasiguri në menaxhimin e pagesave për subvencionimin e fermerëve në përgjithësi;Në rastin tjetër gabimet gjatë procesimit të pagesave nga thesari janë vërejtur edhe te Lista e proceduar për blegtori që kishte 255 përfitues dhe është dashur të realizohet në shumën totale 165,993€. Megjithatë, nga transaksioni i ndodhur e tërë shuma iu kishte transferuar gabimisht vetëm dy përfituesve të parë në listë. Kjo është vërejt nga MBPZHR dhe mjetet janë kthyer dhe korrigjuar nga Thesari; dhe përveç çështjeve të mësipërme, ishin edhe 34 kërkesa – lista tjera për procedim të pagesave direkte të realizuara gjatë vitit 2015. Listat e fermerëve me numër të llogarisë së përfitueseve përgatiten nga AZHB. Testimet tona kanë identifikuar se në të gjitha listat e fermerëve ka gabime për disa fermerë sa i përket numrit të llogarisë së përfituesve. Kjo ka ndodhur si pasoj e kontrollit jo adekuat me rastin e përgatitjes së listave për pagesë nga AZHB. Gjatë përpunimit të informatave rreth kthimit të mjeteve, MBPZHR ka hasur në vështirësi dhe pasiguri për të identifikuar vlerën e saktë të mjeteve të mbi paguara dhe që do të duhej të ktheheshin nga përfituesit individual. Nga Ministria e Financave (Departamenti i Thesarit) janë regjistruar kthimet për të njëjtin fermer nga dy, tre e katër herë, pa specifikuar nëse mjetet e tyre janë kthyer vetëm për shumën e pranuar si të dyfishtë apo si total. Po ashtu, ka raste kur prej të njëjtës listë për pagesë, për disa fermerë është bërë ri procedimi e për disa fermerë jo”, thuhet në raport.
Auditori thotë se nga testimi i vlerësimit të aplikacionit dhe dëshmive për përfitimin e grantit “Ujitja e Tokave Bujqësore” në vlerë 160.000 euro, ka vërejtur parregullsi në poentimin e përfituesit. /Telegrafi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.