Kodrat toskane mirëpresin një pjesë të vogël të Skocisë
Qyteti malor i Bargas zhvilloi më 3 shtator një nga festivalet më të pazakonta kulturore të Italisë: javën skoceze, shkruan The Economist. Këtë vit, në të u bë prezantimi i një libri në italisht mbi futbollin skocez dhe i një libri tjetër në anglisht për katedralen Barga. Edhe pse ka një popullsi prej vetëm 10,000 banorësh, Barga është zyrtarisht një qytet.
Në këtë festival, që zgjati një javë, u panë turma të mëdha njerëzish, u provuan disa prej gatimeve tradicionale të këtyre dy vendeve. Gjatë verës, atëherë kur numri i emigrantëve që vijnë nga jashtë shtetit është më i madh, ju do të shikoni një ndërthurje të dialektit Glaswegian dhe atij toskan.
Dhe për të përmbushur nevojat e të gjithë atyre që kthehen në Barga për të dalë në pension, ekziston një furrë buke që ofron qull, bukë të bërë vetë nga Aberdeenshire dhe Irn-Bru, një pije e veçantë skoceze. Në fillim të gushtit, qyteti i Bargas organizoi një sagra, që është një event në të cilin vendasit përgatisin ushqime tradicionale për vizitorët, ndër të cilat dy ishin elementet më të rëndësishme, peshku dhe patatja.
Origjina e marrëdhënies midis këtyre dy vendeve daton në bashkimin e Italisë. Për më shumë se pesë shekuj, Barga kishte qenë pjesë e Republikës së Firences dhe më vonë e Dukatit të Madh të Toskanës, që ishte rrethuar nga Dukati armiqësor i Luccas. Për ta ndihmuar atë dhe për t’i mundësuar mbijetesën, autoritetet e Firences e përjashtuan nga detyrime të mëdha tatimore. Kur Italia u bashkua në vitin 1861, ato pushuan së ekzistuari, ekonomia pësoi një rënie shumë të madhe, situatë kjo e cila u pasua nga emigrime në masë të madhe.
Luca Galeotti, kryeredaktor i gazetës në Barga, thotë se deri në vitin 1960, më shumë se gjysma e abonentëve të gazetës së tij jetonin jashtë vendit, ku numrin më të lartë e përbënin ata që jetonin në Skoci. Një nga dy misteret që lidhet me këtë marrëdhënie midis këtyre dy vendeve është se përse italianët që emigruan nga Barga, zgjodhën pikërisht Skocinë si një vend ku mund të bënin një jetë më të mirë.
Kryepeshkopi i Glasgou, Mario Conti, vjen nga Barga, siç është edhe Paolo Nutini, një këngëtar dhe kompozitor ndërkombëtar i suksesshëm, gjyshi i së cilit, Giovanni “Jackie” Nutini, kishte një lokal të njohur në Paisley ku shërbeheshin kryesisht vetëm peshk dhe patate të skuqura.
Kjo ka lidhje edhe me misterin e dytë, me aftësinë e këtyre njerëzve për t’u përshtatur dhe për të gatuar peshq. Pos sipas kryebashkiakut të Bargas, Marco Bonini, kjo ndoshta ishte një gjë më e lehtë dhe më e mirë sesa puna në miniera.
*Polenta është një ushqim tradicional kryesisht i Italisë së Veriut por përdoret dhe në Italinë qendrore dhe përbëhet nga miell misri i verdhë i zier.