BKT, Credins, Intesa Sanpaolo, Veneto, Union janë bankat që kanë shënuar rritjen e të lartë të aktiveve, por dhe kredive e depozitave në 2014-n.
Gjatë 2014-s ka vijuar ulja e peshës së bankave me kapital grek, të cilat zinin 16.8% të totalit të aktiveve, nga 17.8%, që ishte kjo peshë një vit më parë.
Në fund të 2014, sistemi bankar kishte 6794 punonjës, me një rritje të lehtë prej 1.3% në krahasim me fundin e një viti më parë.
Numri i degëve ishte 545. Në krahasim me fundin e 2013-s rezultojnë katër degë më pak nw totalin e sistemit. BKT dhe Credins kanë qenë më aktivet në hapjen e degëve të reja, ndërsa kanë mbyllur më shumë Tirana Bank dhe Raiffeisen.
BKT
BKT ka shënuar rritjen më të lartë të aktiveve në vlerë absolute në vitin 2014, duke u renditur që në gjysmën e parë të vitit, si banka më e madhe në vend për sa u përket aktiveve. Deri në fund të vitit, BKT ka thelluar dhe më tej diferencën, duke shënuar rritje vjetore të aktiveve prej 16%, në 317 miliardë lekë, sipas të dhënave të detajuara, sipas bankave, të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Banka iu rikthye huadhënies, pas një ngadalësimi vitin e mëparshëm, duke e rritur stokun e huas me 17.5%. Edhe depozitat panë një rritje vjetore prej 12.4%. Për 9-mujorin, banka ishte aktive dhe në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, por në fund të vitit, ky trend u ngadalësua.
Raiffeisen
Raiffeisen ka vijuar të ulë madhësinë e bilancit edhe gjatë 2014-s, në linjë me strategjinë e bankës mëmë dhe duke humbur pozicionin kryesues në sistemin bankar shqiptar për herë të parë që kur hyri në treg, përmes blerjes së Bankës së Kursimeve më se dhjetë vjet më parë. Totali i aktiveve të bankës ra me 5.3%, në 275.3 miliardë lekë. Ritmet e uljes së stokut të huas u ngadalësuan në 2%, ndërsa depozitat ranë me 5%. Ekspozimi në letrat me vlerë të qeverisë vijoi të ulej me ritme të shpejta, duke zbritur me 13.53%.
Intesa San Paolo
Aktivet e Intesa San Paolo u rritën me 5.6% me bazë vjetore në 2014-n, në 157.8 miliardë lekë. Banka uli stokun e huave me 7.3%, ndërsa pa një rritje të depozitave me 5.7%. Ajo vijoi të ishte aktive në investimet në letrat me vlerë të qeverisë, por pjesën më të madhe të parave të lira e vendosi në bankat e tjera, tregues i cili u rrit me 25.3% me bazë vjetore në 2014-n.
Credins
Për Credins Bank, 2014-a vijoi të ishte një vit pozitiv, duke shënuar një nga rritjet më të larta në sistem. Banka pa një zgjerim të aktiveve me 22% në rreth 132 miliardë lekë. Aktive në kreditim, ajo e rriti stokun e huave me 18.4%, ndërsa depozitat u shtuan me gati 22%.
Tirana Bank
Tirana Bank ka arritur të ruajë një aktivitet të qëndrueshëm në 2014, me aktive që u rritën fare lehtë në gati 102 miliardë lekë. Ajo vijoi të ishte aktive në kredidhënie, duke e rritur stokun me 5.2%, ndërsa depozitat shënuan një rënie të lehtë.
Alpha Bank
Alpha Bank ka regjistruar një aktivitet me ulje në 2014-n. Aktivet u reduktuan me 3.4% në rreth 79 miliardë lekë. Megjithatë, stoku i kredisë u rrit me 3.1%, ndërsa depozitat shënuan rënie me gati 3%.
Societe Generale
Aktivet e Societe Generale u rritën me 2.3% me bazë vjetore në 71.6 miliardë lekë në 2013-n. Kredia dhe depozitat u rritën përkatësisht me 3.6% dhe 3.9% me bazë vjetore.
NBG
NBG kishte një aktivitet të qëndrueshëm në 2014-n. Aktivet e saj qëndruan në 44.34 miliardë lekë. Banka shënoi një rritje të ndjeshme në kreditim, që u zgjerua me gati 13%, ndërsa depozitat ranë lehtë.
Pro Credit
Pro Credit regjistroi një rënie të aktiveve me 9.6% në 36.8 miliardë lekë. Banka uli dhe stokun e kredisë dhe depozitave, përkatësisht me 5.7% dhe 8.5%.
Union Bank
Union bank ka shënuar një vit pozitiv në 2014-n. Totali i aktiveve u rrit me 9.7% në 35.8 miliardë lekë. Kredia u zgjerua me 10.5% dhe depozitat u rritën me 10%.
Veneto
Veneto është banka e katërt në vend për nga rritja absolute e vlerës së aktiveve. Totali i aktiveve të bankës u rrit me 19.5%, në gati 27 miliardë lekë, duke u ngjitur në bankën e 11 më të madhe në sistem, pasi ia kaloi Emporiki. Banka ishte aktive dhe në kreditim, që u rrit me 23%, ndërsa depozitat u shtuan me rreth 29%.
Emporiki
Emporiki ka ulur madhësinë e bilancit në 2014-n. Aktivet e saj u reduktuan me 12.1%. Stoku i kredisë u reduktua me 17%, megjithatë depozitat u rritën me 8.4%.
Bankat e tjera zënë një peshë të vogël në totalin e aktiveve të sistemit bankar dhe kanë shënuar ecuri modeste në 2014-n.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.