Geci i Hotel Tirana: Tregu në rritje, kemi plane për zgjerim
Tregu i shërbimeve për akomodime luksi është në rritje dhe pritshmëritë janë për një ecuri pozitive në sektor. Ramë Geci, aksioneri i vetëm i Tirana International pohon se, Tirana ka ende hapësira për hotele me standarde. Duke ju referuar ecurisë së biznesit në Hotel Tirana, Geci pohon se ka kërkesë për të shtuar shërbimet e akomodimit me pesë yje. Ai pohon një trend në rritje për shërbime hoteliere të paktën që nga viti 2011, kur thotë se të ardhurat nga Hotel Tirana International kanë shënuar rritje vjetore me 5%. Ai tha se, përveç akomodimit, Hotel Tirana është konkurruese me shërbimet e konferencave. Hapësirat e mëdha, kapacitetet dhe çmimet e ulëta e kanë bërë Hotel Tiranën ofruesen kryesore në këtë drejtim, – tha ai. Por Geci e sheh me perspektivë zhvillimin e industrisë së hotelerisë, ndaj në planet e tij të afërta është zgjerimi në këtë drejtim me shërbimet 5 yje po në Tiranë. Zhvillimet e tanishme dhe projeksionet tona mbi tregun na kanë sinjalizuar se investimet në këtë drejtim do të jenë efektive”, pohoi Geci. Ai tha se hyrja në treg e Plaza Tirana nuk do të ndikojë të ardhurat në Hotel Tirana, pasi klientela është e ndryshme.
Geci pohoi se tregu i akomodimit vuan pasojat e informalitetit të lartë që veç të tjerash, prishin imazhin e vendit. Ai sugjeroi funksionimin e standardizimit në mënyrë që secila strukturë akomoduese të marrë klientelën që meriton.
————–
Qazimi, Plaza: Tregu shqiptar i hotelerisë është duke përjetuar rritje
Tregu shqiptar është duke përjetuar rritje bindëse. Kjo ndikon shumë dhe në shumëllojshmërinë e klientëve, por dhe në dëshirën e tyre për të bërë biznes në kushte europiane. Kjo padyshim ka qenë një nga pikat e forta të studimit dhe The Plaza ishte përgjigjja për këtë zhvillim pozitiv të tregut tonë, tha Fabian Qazimi, menaxher në Plaza Tirana. Ai shtoi se Plaza Tirana është një projekt shumë ambicioz dhe i mirëstudiuar. Viti 2016 ishte një arritje përtej parashikimeve paraprake vërtet ambicioze. Ky është padyshim indikatori më i mirë dhe motivimi më i nevojshëm për të filluar 2017. Qazimi thotë se me 190 dhoma dhe suita, The Plaza Tirana garanton akomodimin ideal në tregun tonë. Në pjesën e eventeve dhe konferencave, The Plaza kryeson me 8 salla konferencash moderne dhe tërësisht të reja e të pajisura me fjalën e fundit të teknologjisë për të garantuar sukses absolut! The Plaza Tirana është hotel biznesi, por edhe pushimi e relaksi, shtoi ai. “Prania e Plaza në treg nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë qëllim për të konkurruar të tjerët që operojnë prej vitesh në këtë treg, përkundrazi ndajmë bindjen se The Plaza do t’i japë nxitje të mëtejshme këtij sektori me synimin e mirë, përmirësimin e shërbimeve dhe vetëm zhvillim në nxitje të tregut të turizmit”,- përfundoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.