Në 2017-n, bankat kanë qenë më shumë të zëna me transaksionet e shitblerjeve, (që pritet të vijojnë vrullshëm edhe këtë vit), me fshirjet e kredive dhe riorganizimin e degëve, sesa me zgjerimin e aktivitetit të tyre.
Bankat që ishin dhe janë në proces shitje kanë qenë aktive në drejtim të pastrimit të kredive të këqija nga bilanci.
Të dhënat e detajuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se 7 banka kanë rezultuar me ulje të stokut të kredive, ndërsa depozitat janë tkurrur në 6 prej tyre. Degët janë reduktuar lehtë, punonjësit po ashtu.
Banka Kombëtare Tregtare vijon të jetë më e madhja në vend, duke rritur peshën e aktiveve në totalin e sistemit, me 0.81 pikë përqindjeje, në 27.79% dhe duke mbetur ndër më aktivet në vend. Megjithatë, kjo bankë e ka ulur ritmin e kreditimit, teksa stoku i huave u rrit me më pak se 1%. Në të kundërt, ka vijuar zgjerimi i kënaqshëm i depozitave, me rreth 6%, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.
Raiffeisen Bank është banka e dytë më e madhe në vend, por prej vitesh po e ul madhësinë e bilancit, në linjë me strategjinë e mëmës në Vjenë, për të ulur ekspozimin në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore. Pesha e aktiveve ndaj totalit ra me 1.74% në 17.1%. Banka e vijoi intensivisht procesin e fshirjes së kredive (stoku i huave ra me 20 miliardë lekë), teksa nuk është aktive në dhënien e kredive të reja.
Intesa Sanpaolo është e katërta më e madhe në vend, sipas aktiveve. Ajo ka pasur një aktivitet të qëndrueshëm në 2017-n, me zgjerim 2.8% të kreditimit dhe 4.4% të depozitave.
Societe Generale Albania ka kaluar në bankën e pestë më të madhe në vend, duke i zënë vendin Tirana Bank. Banka kishte një peshë tregu prej 5.57%, ndërsa ka qenë aktive si me rritjen e kredive, ashtu dhe të depozitave. Banka ka pasur një aktivitet pozitiv në vite, si në drejtim të treguesit të kredive me probleme, që ka qenë më i ulëti në sistem, ashtu dhe të treguesve të përfitueshmërisë (kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet), teksa ka rritur pjesën e tregut në mënyrë të qëndrueshme.
Tirana Bank, në pritje të shitjes, ka ulur peshën e aktiveve me 0.36 pikë përqindje në 5.33%. Stoku i kredisë ka rënë me 28%, për shkak të fshirjeve, ndërsa dhe kreditë janë ulur lehtë.
Alpha Bank ka rritur lehtë peshën e tregut me 0.1 pikë përqindjeje, në 5.25%. Kreditë ishin në rënie, ndërsa depozitat u rritën ndjeshëm me 9.5%.
Union Bank ka rritur peshën në treg me 0.28 pikë përqindjeje, në 3.18%. Banka ishte aktive në huadhënie, me zgjerim prej 4.6%, ndërsa më i ndjeshëm ishte shtimi i depozitave, me 17.1%.
NBG e mbylli vitin e saj të fundit të aktivitetit në Shqipëri, me një peshë ndaj aktiveve prej 2.7%, në krahasim me 6.7% që ishte në vitin 2008, kur banka ishte në kulmin e aktivitetit të saj. Stoku i huave u reduktua me 31%, kryesisht për shkak të fshirjeve.
ProCredit e rrit lehtë peshën e tregut me 0.2 pikë përqindje, në 2.34%. Banka ka adoptuar një filozofi agresive për dixhitalizimin e shërbimeve të saj dhe me reduktimin e stafit e të ndërhyrjeve manuale në sistem. Po ashtu ka ndryshuar fokusin e saj ndaj një klientele më “të lartë”, duke kufizuar futjen e klientëve të vegjël, si për hapje llogarie, ashtu edhe për kreditim.
FiBank arriti në 1.44% të totalit të aktiveve, me zgjerim prej 0.12 pikë përqindjeje.
Banka Ndërkombëtare Tregtare (ICB), Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) dhe Banka e Kreditit të Shqipërisë (CBA) kanë aktivitet modest, ndërsa Veneto, që deri në fund të 2017-s kishte një peshë prej 1.92% të aktiveve, u përthith në dhjetor nga Intesa San Paolo.
Si po ndryshon sistemi me shitblerjet, rënia e madhe e grekëve
Sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëdiversifikuar sipas origjinës së kapitalit. Mbizotëron kapitali turk, teksa BKT ka gati 28% të totalit të aktiveve.
Në vend të dytë janë austriakët, me 17.1%, përmes Raiffeisen.
Në rritje ka ardhur pesha e bankave me kapital shqiptar, ku Credins (12.28%) dhe Union Bank (3.18%) kanë së bashku 15.46% të totalit, me zgjerim prej 0.9 pikë përqindje me bazë vjetore.
Pesha e bankave italiane mbetet pothuajse e pandryshuar në 12.8% dhe përthithja e Veneto nga Intesa nuk e ndryshon, për shkak se të dyja janë me kapital italian.
Në vitin 2008, bankat me kapital grek zinin 27.7% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, ku më e madhja ishte Tirana Bank (9.78%), e ndjekur nga Alpha Bank (8.14%), National Bank of Greece (6.67%) dhe Emporiki Bank (3.13%). Ato ishin mjaft konkurrente në treg dhe shumë aktive në kreditim (pesha që zinin në stokun e huasë po në 2008-n ishte 40.7%, po sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave). Por, pas 2010-s filloi rënia e shpejtë e tyre për dy arsye.
Së pari, kreditimi i shpejtë u shoqërua me rritje të kredive me probleme, që për disa arriti në 40-50% të totalit të huasë.
Së dyti, pas krizës së borxhit të Greqisë, bankat mëmë filluan tërheqjen graduale nga rajoni. Në vitin 2012, Emporiki u shit te francezët e Credit Agricolë dhe kjo e fundit, në maj 2015, u shit te Tranzit/NCH capital (ABI Bank). Në fillim të 2018-s u shit edhe NBG po te ABI Bank (transaksioni është ende në pritje të aprovimit rregullator), ndërsa në shitje është edhe Tirana Bank. Pas daljes së Tirana Bank, pesha e bankave greke pritet të reduktohet në rreth 5%.
Degët dhe punonjësit, në rënie të lehtë
Sistemi bankar ka vijuar të reduktojë numrin e degëve në vend. Në total, në fund të vitit 2017, kishte 479 degë, 24 më pak se një vit më parë. Mbylljen më të madhe e kishte ProCredit, me 11 degë, e cila po kalon gradualisht drejt bankingut elektronik dhe Veneto, me 10 degë. Raiffeisen mbylli edhe 3 degë në 2017-n. U hapën vetëm tre degë të reja (BKT, Credins, Societe Generale).
Në rënie të lehtë ishte dhe numri i punonjësve. Në banka punojnë gati 6900 punonjës, apo 56 më pak se një vit më parë. BKT, Raiffeisen, ProCredit kanë bërë shkurtimet më të mëdha të stafit në 2017-n.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Nje gje nuk mund ta shpjegoj.Udhezimin e bankes se Shqiperise per te fshire nga bilance kredite e keqia.Cfare perfitimi do kete kjo.Asgje,pervec nje genjeshtre qe i behet vehtes me vlere vetem ne raportim sepse ne sensin real nuk do sjell asgje.