I dyti renditet TV Klan me “Aldo Morning show”, i ndjekur nga “Wake Up” në Top Channel. Në televizionet e tjera audienca e mëngjesit është minimale…
Lexim gazetash, lajme, zhvillimet e pritshme të ditës, të ftuar e diskutime temash interesante; mëngjesi është i larmishëm në televizionet shqiptare. Nga ora 7 e mëngjesit deri në 9 ato “bombardojnë” me informacione audiencën që me nxitim përgatitet të shkojë në punë dhe më pas programet bëhen më argëtuese, duke synuar shtëpiaket.
Në këtë garë të mëngjesit, është Bashkim Hoxha me emisionin e tij në News 24, “Koha për t’u zgjuar”, me leximin e gazetave dhe më pas ftesën për bashkëbisedim, ai që merr pjesën më të madhe të audiencës, me një rating që arrin deri në 8.7% (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor), midis orës 7 deri në 8.30.
Të dhënat e audiencës bëhen të ditura nga nga kompania “Telemetrix”, që mundëson llogaritjen e audiencës në kohë reale, në bazë të një teknologjie dhe sistemeve më të fundit në këtë fushë. Audienca e mëngjesit është llogaritur si një mesatare e javës së kaluar 20-24 tetor (e hënë-e premte).
Me një ndërthurje të informacionit dhe argëtimit, “Aldo Morning Show” i drejtuar nga Aldon Lipe në TV Klan renditet i dyti, me një rating prej 3-4%. Pas mbarimit të emisionit të Bashkim Hoxhës, Klan fiton audiencën kryesore, me një rating që arrin deri afër 6%.
Eno Popi, me programin “Wake Up” arrin audiencën më të lartë nga ora 7.00-7.15, me një rating prej 4% (I dyti pas “Koha për t’u zgjuar”) dhe më pas audience bie, duke u luhatur mesatarisht në rreth 3%. Edhe audienca e “Wake Up” rritet pas mbarimit të “Koha për t’u zgjuar”.
Audienca maksimale e mëngjesit arrin në një rating prej 20-21% dhe ndahet kryesisht mes tre televizioneve të mësipërme.
Pas tyre me një diferencë relativisht të lartë, me një rating mesatar prej 0.5-0.7% renditet emisioni i mëngjesit në Vizion Plus, i ndjekur nga ABC News (rating 0.3-0.6) dhe Albanian Screen (rating 0.3-0.6) dhe më pas vijnë TVSH, Ora News, Shijak TV.
Metodologjia
Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘software’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
Qe prej shtatorit 2014, “Telemetrix” ka një panel prej 375 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 7 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri Berati dhe Korca.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.