Vjen konfirmimi edhe nga Gartner. Huawei është prodhuesi i dytë në botë për smartphone.
Në tremujorin e dytë, kinezët kanë kaluar Apple, duke konfirmuar që tregu është gjithnjë një përballje mes Koresë dhe Kinës. Shitjet e smartphone të Huawei u rritën me 38,6%.
“Investimet, zhvillimi i markës dhe pozicionimi i pajisjeve Honor kanë ndikuar në rritjen e shitjeve – shpjegon Anshul Gupta, ‘research director’ në Gartner. Huawei shet smartphone Honor në 70 tregje në të gjithë botën dhe po shfaqet si faktori kryesor i rritjes”.
Falë zgjerimit të portofolit të produkteve dhe investimeve në teknologji, telefonat e tij kryesorë konkurrojnë në një nivel me iPhone dhe modelet Galaxy e Note të Samsung. Por e dhëna më e rëndësishme në raportin e Institutit Gartner janë numrat në fund të tabelës. Sipas Gartner, tregu i smartphone është më mirë se parashikimi.
Ndryshe nga IDC dhe vëzhgues të tjerë të produkteve teknologjike, sipas Gartner, shitjet janë rritur me 2% në 374 milionë njësi. Në të vërtetë, siç lexohet në raport, ka një ngadalësim të kërkesës, por kjo lidhet me telefonat që kushtojnë më shumë se 700 dollarë.
Huawei shiti rreth 50 milionë njësi në tremujorin e dytë 2018, krahasur me rreth 45 milionë njësi të Apple. Në vend të katërt dhe të pestë janë kompanitë kineze Xiaomi dhe OPPO, respektivisht.
Sipas të dhënave të Gartner, edhe Galaxy ka humbur terren krahasuar me vitin e kaluar, me një rënie 12,7% në tremujorin e dytë.
Samsung ka ruajtur vendin e parë në klasifikim me 72 milionë njësi të shitura, në rënie me 10,5 milionë njësi të shitura krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kurse shitjet e Apple janë të qëndrueshme në tremujorin e dytë. Sipas raportit të Gartner, “rritja e konkurrencës nga ana e kompanive kineze dhe pritshmëritë më të mëdha të konsumatorëve sa i përket vlerës së telefonit, po ushtrojnë presion të madh tek Apple”.
Me fjalë të tjera, konsumatorët e kanë të vështirë të gjejnë risi e shërbime që të justifikojnë shpenzimin prej më shumë se 1 mijë eurosh. Me këtë arsye shpjegohet suksesi i telefonave të nivelit të mesëm, që ofrojnë shërbime jo shumë larg nga telefonat kryesorë të gamës”.
Për Apple, rritja në tremujorin e dytë ka qenë e sheshtë (rritje me 0,9%) edhe pse kjo është e parashikueshme duke qenë se kompania me seli në Cupertino çdo vit prezanton modele të reja.