Autoriteti Rrugor Shqiptar do të krijojë një sistem menaxhimi për asetet rrugore në vend. Për këtë, së fundmi është hapur edhe procedura e përzgjedhjes së një konsulenti i cili do të ketë disa detyra.
E para ka të bëjë me krijimin e një portali që do të përfshijë gjithë asetet rrugore. Së dyti, sistemi do të ketë një bazë të plotë të të dhënave rrugore, më pas edhe krijimi i një sistemi reference. Më në detaj, i njëjti sistem do të kenë të integruar edhe nënkomponentin e menaxhimit të trotuareve, të menaxhimit të urave, si dhe sistemin e menaxhimit të mirëmbajtës.
Sipërmarrja duket se do të jetë gjithëpërfshirëse dhe do të ketë të shtuar edhe përcaktimin dhe përgatitjen e raporteve mbi përkeqësimin e kushteve apo dëmtimin e pjesës sipërfaqësore të rrugës.
Në detyrën e gjashtë përfshihet edhe përcaktimi i tipologjive të flotës së makinave në vend, pra një kategorizim i tyre, si dhe të vlerësohet situata aktuale me rrugët shqiptare dhe mënyra sesi ka funksionuar mirëmbajtja duke sugjeruar përmirësimet në rastet ku shihet e nevojshme. Konsulenti përpos të gjitha këtyre do të ketë detyrimin edhe të trajnimit të stafit.
I gjithë ky projekt do të financohet 50 për qind nga Banka Botërore dhe 50 për qind nga qeveria shqiptare. E gjithë kjo detyrë duhet të përfundohet për një afat 12-mujor ndërkohe që palët e interesit që mund të jenë kompani të vetme ose joint-venture duhet të shprehin interes jo më vonë se data 6 nëntor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.