Gazi nga Azerbajxhani është shumë i rëndësishëm për sigurinë ekonomike të Malit të Zi

19/04/2019 10:01 PM 0 komente

Gazi nga Azerbajxhani është thelbësor për sigurinë ekonomike të Malit të Zi, u shpreh për balkanist.net, ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekulic.

“Interesi i Malit të Zi për SOCAR është përqendruar në aktivitetet tona në fushën e gazifikimit dhe zbatimin e projektimit të gazsjellësit Adriatiko-Jonian. Këto dy investime, të cilat janë pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, janë shumë të rëndësishme për sigurinë ekonomike të Malit të Zi, tha më tej znj. Sekulic.

Ajo theksoi se qëllimi i Malit të Zi është të diversifikojë dhe të përmirësojë sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit të vendit me energji. Mali i Zi do të marrë gaz nga Azerbajxhani nëpërmjet tubacionit Adriatiko-Jonian (IAP).

Korridori Jugor i Gazit është një nga projektet prioritare për BE-në dhe parashikon transportimin e 10 miliardë metra kub gaz nga Azerbajxhani, nga rajoni Kaspik përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë për në Europë. Ceremonia e fillimit të fazës së parë të Korridorit Jugor të Gazit u mbajt në Baku më 29 maj 2018, ndërsa ceremonia e hapjes së TANAP u mbajt më 12 qershor 2018 në qytetin turk të Eskisehirit.
Gazi nga fusha Shah Deniz e Azerbajxhanit tashmë ka kaluar nëpër segmentin e parë të Korridorit Jugor të Gazit – nga terminali Sangachal deri në tubacionin e zgjeruar të Kaukazit Jugor. Tubacioni Trans Adriatik (TAP) dhe gazsjellësi i gazit natyror Trans-Anatolian (TANAP) do të takohen në kufirin greko-turk.

Gazsjellësi Adriatiko-Jonian është gazsjellësi i propozuar i gazit natyror në Europën Juglindore (EJL) që do të shtrihet nga Shqipëria përmes Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, në Split në Kroaci. Ajo do të lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP). Kapaciteti i gazsjellësit do të arrijë në pesë miliardë metra kub gaz në vit dhe gjatësia totale e tubacionit është 511 kilometra.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of