Rritja e çmimit të gazit me mbi 18-20 lekë për litër, veç të tjerash, është shndërruar në një kosto të papërballueshme për industrinë e përpunimit dhe për disa biznese të mesme, sidomos linjat e prodhimit të bukës.
Adi Haxhiymeri nga fabrika e miellit “Bloja”, tha se një pjesë e industrisë përdor si lëndë të parë gazin e lëngshëm. Rritja e menjëhershme gati me 20 lekë për litër ka rritur kostot dramatikisht.
Rritja ishte më shumë se 25%. Ai pohoi se qeveria ka marrë vendimin që akciza të rritet vetëm për përdoruesit e automjeteve dhe jo për përdoruesit industrialë. Pas energjisë elektrike, gazi është lënda e parë që përdoret më së shumti edhe nga një pjesë e industrisë, e cila e përdor për ngrohje dhe funksione të tjera.
Edhe furrat e bukës janë të prekura nga ky fakt. Shumë prej tyre kanë shmangur përdorimin e energjisë elektrike, duke përdorur furrat e pjekjes me gaz, për të shmangur kostot e larta të përdorimit të elektricitetit. Por tani duken pa zgjidhje, pasi edhe çmimi i gazit ka shënuar rritje drastike.
Industria shqiptare e përpunimit për të tretin vit radhazi po përballet me kosto në rritje për shkak të keqfaturimit të energjisë elektrike, rritjes së taksave dhe rritjes së tarifave dhe taksave vendore.
Më 1 janar 2017, hyri në fuqi Paketa e re Fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu reagoi me rritjen e çmimeve uniform për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Një litër gaz kushton aktualisht mesatarisht 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 43-52 lekë që ishte në dhjetor 2016. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve dhe industrive.
Por rritja e taksave duket se nuk është shkaku i vetëm. Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve dhe lajmërimet për ditë më të ftohta në vijim e kanë rritur dukshëm kërkesën për gaz e për rrjedhojë, distributorët po e shfrytëzojnë këtë situatë duke rritur çmimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.