Pas shpalljes fitues të projektit Trans Adriatic Pipeline për dërgimin e gazit nga fushat e Shah Deniz, në zemër të Europës, Shqipëria do të duhet të përballet edhe me një sfidë tjetër të madhe, siç është gazifikimi i vendit, një domosdoshmëri për të përgatitur terrenin pritës të tubacionit, por edhe për ta dërguar te konsumatori final shqiptar. Vitin e ardhshëm pritet të nisë ndërtimi i TAP-it, ndërsa gazi do të “mbërrijë” në vitin 2019
Elona Bedalli
Shumë ishin skeptikë, por më në fund, Shqipëria ia ka dalë mbanë. Jo vetëm që nuk do të jetë thjesht një territor transit, por do të kthehet në një pikë strategjike të përçimit të gazit për në Kontinentin e Vjetër. Rreshtimi në kampin fitues të projektit që do të transportojë gazin natyror nga fushat e Shah Deniz e kthen vendin tonë në një aktor të rëndësishëm në këtë luftë të vazhdueshme për sigurimin e këtyre burimeve. Për Shqipërinë, TAP do të thotë shumë më tepër se thjesht gaz. Për herë të parë, ne do të kemi gjurmën tonë në hartat e rrjeteve ndërkombëtare të transmetimit të gazit natyror. Nga inekzistent do të kthehemi në pjesëmarrës dhe në aktor me rol të veçantë kryesisht në tregun e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Do të ulemi si të barabartë në këtë tavolinë ku luhet me karta ekonomike dhe politike. Në Shqipëri u zbulua dhe u prodhua gaz për herë të parë në vitin 1960. Është përdorur kryesisht në industri. Pas viteve ‘90 prodhimi njohu vetëm rënie drastike.
Me shpalljen fitues të projektit TAP, Shqipëria do të mund të përdorë (në bazë të termave që do të përcaktohen) gaz edhe për nevojat e tregut të brendshëm. Ajo çka pritet është një frymëmarrje e thellë për ekonominë, por edhe minimizimi i problemeve në furnizimin me energji. Por, për këtë duhet të bëhet gati terreni. Në këtë funksion, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi edhe planin kombëtar sektorial për gazsjellësin Trans Adriatic (projekti TAP).
Tashmë, qeverisë shqiptare do t’i duhet të përballet me një sfidë të madhe, atë të gazifikimit të vendit. Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë thonë se po përgatitet masterplani dhe kuadri ligjor rregullativ për gazifikimin. Përfshija e projektit TAP në gazifikimin e vendit është një garanci më shumë se do të kemi të bëjmë me standardet më të fundit. Por, për të pasur gaz në rubinetet e shtëpisë sonë do të duhet të presim edhe ca, të paktën deri në vitin 2019.
Hallka shqiptare e një zinxhiri të madh
Flet Dorian Duçka, ish-drejtori i Integrimit Europian, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Gjatë dy viteve të fundit, ai është ulur shpesh në tavolinat ku pala shqiptare ka diskutuar dhe lobuar për shpalljen fituese të gazsjellësit TAP. Si një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe si pjesëtar i skuadrës negociuese, Dorian Duçka tregon në një intervistë për “Monitor” “odisenë” e një beteje të vështirë dhe të një fitoreje të merituar. E cilëson si një kënaqësi të veçantë dhe si një arritje profesionale faktin se ishte pjesë e këtij procesi aq më tepër kur shumë janë treguar skeptikë dhe janë shprehur se kjo do të ishte një tjetër ëndërr që do të flinte në sirtar (apo si një farsë politike, pasi sillej në vëmendje i famshmi projekti AMBO, që nuk u realizua kurrë dhe që do të sillte naftë nga Bullgaria në Shqipëri). Thotë se skuadra negociuese e ka ditur që në fillim se shanset që TAP të shpallej fitues ishin të mëdha dhe se lajmi i mirë nuk do të vononte. “Ne e dinim që në fillim se Shqipëria do të ishte në avangardë dhe do të plotësonte kushtet për të arritur këtë projekt edhe pse ishim (dhe jemi) një hallkë e vogël në këtë zinxhir të madh. Vlen të theksohet fakti se TAP është vetëm një prej segmenteve i asaj që njihet si Korridori Jugori i Gazit, dhe ku vlerat financiare flasin për shifra që i tejkalojnë mbi 40 miliardë euro, në një kohë kur investime të tilla në Europë shihen si tepër të çmuara. Duhet të kuptohet se kanë qenë të ndërthurura shumë elementë, si vlera e lartë e investimit, gjeopolitika, siguria dhe në të gjithë këtë Shqipëria ka pasur rolin e saj të vogël, por domethënës. Nuk janë të paktë punonjësit në administratën shqiptare, por edhe në politikë që kanë pasur raporte të drejtpërdrejta me aksionerët e TAP, me ndikuesit në zyrat e Brukselit, në Ankara, Azerbajxhan, por edhe në vende të tjera të Europës. Kanë pasur kurajën që ta mbrojnë çështjen e Shqipërisë. Kemi qenë optimistë edhe kur jemi ndeshur me skepticizëm, që nuk ka munguar edhe nga ana e medias”, thotë z. Duçka. Edhe lajmin e shpalljes së TAP-it si projekti fitues ndaj “Nabucco West” e mori në një nga këto tavolinat me ndikim politik. Tregon se ka qenë në një darkë private me komisionerin e Energjisë së Azerbajxhanit dhe me ish-ministrin e Jashtëm gjerman, Hans Dietrich Gencher, një nga mbështetësit e fortë të Shqipërisë. Nuk munguan edhe sinjalet jozyrtare, që sipas tij ishin telefonata nga zyrtarë të projektit TAP me qendër në Zvicër, të cilët dhanë indirekt mesazhin se shanset e fitores ishin maksimale.
Arsyet që e shpallën TAP-in fitues ishin më shumë ekonomike apo gjeopolitike?
Padyshim, që një nga arsyet kryesore mbetet rentabiliteti ekonomik i këtij projekti kundrejt rivalit “Nabucco West”. Kompanitë që janë të përfshira në këtë projekt janë të konsoliduara, janë tre gjigantë të tregut, siç është norvegjezja “Statoil”, gjermania E.ON, zvicerania “Axpo”. Nga ana tjetër, konsorciumi i Shah Deniz kishte realizuar marrëveshje me të dy projektet rivale për t’u bërë aksionere. Mund të them se ka qenë një vendim shumë i pastër ekonomik, por me vizion politik. Kjo pasi duhet të plotësoheshin edhe disa kritere politike siç ishin marrëveshjet ndërqeveritare mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë që u nënshkrua në shkurt të vitit 2013. Duhej të merrej edhe mbështetja politike, si nga Komisioni Europian ashtu edhe nga zyrtarët e SHBA-së.
Me futjen në lojë të TAP-it, si pritet të ndryshojë tregu europian i gazit, sa do të ulet varësia nga Rusia?
Rusia ka një përqindje të madhe në “tortën” e tregut të gazit natyror në Europë, që llogaritet në rreth 20%. Me futjen e gazit që do të vijë nga Azerbajxhani përmes TAP, këto pozita do të lëkunden dhe kjo vlen shumë në kohë krize. Normalisht do të rritet siguria e furnizimit me gaz në Europë, kryesisht për Italinë, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor që do të përfitojnë nga ky gaz natyror edhe përmes degëzimit tjetër, gazsjellësit IAP (Ioanian-Adriatic Pipeline). Në këtë mënyrë do të diversifikohet portofoli i energjisë, pasi gazi natyror që vjen nga Rusia është shumë herë më i madh nga ç’mund të furnizojë TAP.
Në këto kushte, çfarë do të ndodhë me IAP?
Edhe për këtë projekt do të ketë hapa konkretë. Puna do të intensifikohet, sepse edhe vetë konsorciumi i Shah Deniz është i interesuar për të çuar gaz në rajon, në atë që quhet Unaza e Ballkanit Perëndimor. Ky projekt do të ketë një pikë lidhjeje me TAP-in në Fier dhe do të ketë një rrugëtim me dy nyje, pra ose mund të sjellë ose mund të dërgojë gaz në Kroaci drejt vendeve si Bosnja, Mali i Zi etj. Ky do të jetë një zhvillim i madh për një vend që nuk përdor gaz për të përmbushur nevojat e tij. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të shndërrohet në aktor të rëndësishëm për shpërndarjen e gazit në Ballkanin Perëndimor.
Po me TAP, cilat do të jenë hapat që do të hidhen në vazhdimësi?
Ka qenë një punë shumë e madhe dhe e vështirë në aspektin negociues në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve pritëse nga vendet pjesëmarrëse. Tani fillon puna konkrete. Këto marrëveshje në letër do të duhet të nënshtrohen në projekte të prekshme për shqiptarët. Ndërkohë është realizuar projekti i fizibilitetit, por vendi duhet të marrë masa për masterplanin e zhvillimit të gazit, pra për gazifikimin e Shqipërisë. Duhet të përgatitet i gjithë plani rregullator ligjor që do të shërbejë për trajtimin e gazit natyror që do të qëndrojë në Shqipëri. Pala shqiptare ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë E.ON dhe “Statoil”. Nga ana tjetër, duhet të evidentohen të gjitha nevojat në masterplanin kombëtar, duhet të përcaktohet se si do të jetë rrjeti shpërndarës nëse do të jepet ose jo me koncesion.
Kur nis puna në terren?
Puna për ndërtimin e TAP do të nisë në vitin 2014. Në fillim do të kryhen punime për rehabilitimin e rrugëve. Më pas do të shikohen edhe marrëveshjet me kompanitë që do të përçojnë gaz nga Italia për në Greqi.
Në këtë projekt gjigant, ne nuk do të kemi vetëm rol transit?
Padyshim që jo. Kjo ka qenë pjesë e fortë e negociatave që kemi realizuar. Në Shqipëri do të ketë një pikë dalëse nga e cila do të merren në përdorim për nevojat e tregut të brendshëm sasi gazi. Ende nuk është vendosur se ku do të jetë ajo, ndërsa në Fier do të jetë pika lidhëse me projektin IAP. Është e rëndësishme që shteti shqiptar të plotësojë kuadrin ligjor (masterplanin) për të pasur vizionin e qartë se si do të përdoret gazi natyror, për të cilin kemi negociuar me dy kompanitë ndërkombëtare. Pra, nevoja më urgjente është të përgatitet terreni për tregtimin e gazit natyror. Për këtë është e nevojshme që të shtohen burimet njerëzore pranë administratës shqiptare, të ngrihet një institucion i veçantë i cili do të ndjekë zbatimin e këtij projekti dhe do të koordinojë veprimet midis konsorciumit TAP dhe qeverisë shqiptare/lokale për realizimin sa më të shpejtë të këtij projekti.
TAP ka shprehur gatishmërinë për të drejtuar procesin e gazifikimit në Shqipëri, çfarë nënkupton kjo?
Është një vlerë e shtuar, pasi kompanitë që janë aksionere në konsorciumin TAP do të japin një ndihmë të madhe në krijimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit natyror në linjat kombëtare.
Kur do të përcaktohen tarifat që do të përfitojë Shqipëria?
Kjo do t’i takojë një faze më të vonë. Do të jetë ERE ajo që do të finalizojë këtë stad të procesit.
Si pozicionohet Shqipëria në këtë projekt kundrejt Greqisë dhe Italisë?
Ne jemi në kushte të barabarta. Kjo ishte një nga arsyet se pse u firmos një marrëveshje e përkohshme në fillim me Shqipërinë dhe u prit sa të përfundohej marrëveshja pritëse mes Greqisë dhe konsorciumit të Shah Deniz, në mënyrë që benefitet që do të kishte fqinji, t’i kishim edhe ne dhe jo më pak. Me Italinë situata ndryshon, pasi ajo është vetëm pika hyrëse dhe janë pak kilometra për t’u ndërtuar. Pra, gjendemi në kushte të barabarta.
Hapi
Është e rëndësishme që shteti shqiptar të plotësojë kuadrin ligjor (masterplanin) për të pasur vizionin e qartë se si do të përdoret gazi natyror, për të cilin kemi negociuar me dy kompanitë ndërkombëtare
Një fitore e merituar
Projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline iu desh të kalonte në një proces të ashpër “intervistimi”, ku kishte nga ata që ishin kundër dhe pro. Gara ishte e fortë për atë që tashmë do të hapë Korridorin Jugor të gazit. Parametrat dhe afatet e plotësuara ishin gjithashtu kushte. CV-të u shqyrtuan jo pak herë. Por, le të shohim se cili ia dha fitoren e merituar TAP-it. Ajo që edhe vetë drejtuesit e këtij projekti rendisin në krye ka të bëjë me karakteristikat teknike. Me rrugën që do të ndjekë tubacioni, burimet, makineritë, kohën dhe infrastrukturën. Shqyrtimi i të gjitha këtyre tregoi se TAP ishte një projekt serioz, që ishte i pari që nënshkroi një marrëveshje për mjedisin me partnerët BP, SOCAR dhe Total në gusht të vitit 2012. Ishte i pari që finalizoi një marrëveshje aksionerësh me tre anëtarët e konsorciumit në nëntor 2012 dhe një memorandum mirëkuptimi me Trans-Anatolian Pipeline (TANAP).
Rruga që TAP do të ndjekë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë është më ekonomikja për dërgimin e gazit në Europë, është më e shkurtra dhe më direkja që gazi Kaspik të arrijë tregun europian, ata që kanë më shumë nevojë për të. Duke u lidhur me Ionian Adriatic Pipeline (IAP) dhe me Unazën e Ballkanit Perëndimor, TAP sjell gaz në tregje të reja, si në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kroaci, që aktualisht varen nga një burim i vetëm ose nuk kanë fare akses ndaj gazit. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se TAP do të mund të sigurojë furnizim për Bullgarinë përmes linjës së interkonjeksionit me Greqinë (IGB) ose përmes rrjedhës së kundërt Kula-Sidirokastro. Opsioni i fundit është përdorur në vitin 2009 për të injektuar gaz në linjën Bullgari-Greqi, nga terminali grek në Revythoussa.
Përveç kësaj, “zbarkimi” i TAP në Itali ofron mundësi të shumta për transportimin e gazit natyror në veri dhe perëndim, në Zvicër, Austri, Francë, Gjermani, Belgjikë madje edhe Mbretërinë e Bashkuar. Nga ana tjetër, TAP do të ofrojë stimuj ekonomikë për vendeve të rëndësishme të Eurozonës, si dhe për Shqipërinë. Në Greqi, zbatimi i projektit do të injektojë Investime të Huaja Direkte me vlerë 1.5 miliardë euro, do të krijojë rreth 2,000 vende pune direkte dhe rreth 10,000 vende indirekte. Përveç kësaj, TAP ndihmon Greqinë për të realizuar ambiciet e saj që të bëhet një shpërndarës i energjisë për Europën Juglindore. Do të shërbejë gjithashtu si sinjal pozitiv për investitorët e huaj.
Edhe për Italinë dhe Shqipërinë janë ndërmarrë studime nga organizata të pavarura për të llogaritur kontributet ndaj PBB-së dhe mundësitë e drejtpërdrejta e të tërthorta për punësim.
Në Itali, një studim i ndërmarrë nga “Nomisma Energia” arriti në përfundimin se në përgjithësi, ndërtimi i TAP do të kontribuojë direkt në PBB-në e rajonit të Pulias me rreth 80 milionë euro në vit, gjatë katër viteve të ndërtimit (2015-2018). Në aspektin e punësimit, studimi tregon se efekti i drejtpërdrejtë do të arrijnë në rreth 150 vende pune në vit.
Në Shqipëri, TAP do të sjellë në total një investim që llogaritet në rreth 1 miliard euro, më i madhi i huaj deri më sot. Do të nxisë aktivitetin ekonomik, do të gjenerojë punësimin, do të krijojë infrastrukturë dhe do të zhvillojë zonat lokale ku do të shtrihet. Një studim i ndërmarrë nga “Oxford Economics” arriti në përfundimin se ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit është parashikuar të arrijë kulmin në vitin 2017, në të cilën ndikimi në PBB-në e vendit do të llogaritet në rreth 57 milionë euro. Parashikohet të krijohen rreth 4,200 vende pune në vit. Për më tepër, TAP do të mbështesë zhvillimin e tregut të gazit natyror të Shqipërisë me anë të bashkëpunimit në Masterplanin Kombëtar, duke vazhduar integrimin tregtar dhe fizik të vendit me Europën.
I rëndësishëm është edhe fakti se TAP nuk kërkon subvencione qeveritare, grantet nga BE dhe nuk do të marrë asnjë kontribut nga tatimpaguesit europianë, një avantazh i madh ky në kohë kur buxhetet publike janë nën presion. Aksionerët e TAP janë kompani lidere të botërore së energjisë me histori suksesi kur është fjala për shtrimin e tubacioneve. Ato kanë ndërtuar më shumë se 20.000 kilometra gazsjellës në mbarë botën.
Janë të gjitha këto që e shpallën TAP projektin fitues. Një projekt pionier teknikisht dhe ekonomikisht të fuqishëm, të adaptueshëm, të gatshëm për të transportuar gazin e Shah Deniz dhe për të diversifikuar furnizimet e energjisë në Europë.
Koha për gazifikim e Shqipërisë
Vendimi për të zgjedhur Trans Adriatic Pipeline (TAP), si projektin fitues për furnizimin me gazin azerbajxhanas nga fusha e Shah Deniz, në Europë hap për kompaninë shtetërore SOCAR mundësi të reja për zhvillimin e sistemeve të gazit në Shqipëri dhe Mal të Zi. Jo pa qëllim nga Baku, zëvendëspresidenti i SOCAR, Nasirov Elshad, deklaroi se ka marrëveshje mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë rreth pjesëmarrjes së SOCAR në krijimin e një sistemi për gazin dhe për rinovimin e depozitave ekzistuese të gazit nëntokësor. “Mali i Zi dhe Shqipëria nuk kanë gaz dhe ne jemi të interesuar për gazifikimin e tyre. Marrëveshjet konkrete do të tregojnë nëse SOCAR do të bëhet operatori i sistemit të gazit të Shqipërisë. Një sërë kompanish po tregojnë interes për këtë çështje”, tha Nasirov. Më parë, SOCAR fitoi tenderin për blerjen e paketës kontrolluese të kompanisë greke DESFA të transportit të gazit. “Transaksioni do të regjistrohet brenda disa muajve dhe do të na lejojë të rrisim të ardhurat nga furnizimi me gazin azerbajxhanas të Greqisë”, tha Nasirov. Mësohet se kjo marrëveshje kushton 400 milionë euro. Po cila është gjendja e tregut shqiptar të gazit?
Zbulimi i parë dhe prodhimi i gazit në Shqipëri daton në vitin 1960. Deri në fund të vitit 2011, nga vendburimet e gazit janë nxjerrë rreth 3.5 milionë metër kub kryesisht në zonën jugore të vendit. Kryesisht gazi i prodhuar në vend është përdorur për qëllime industriale. Rrjeti i brendshëm i transmetimit të gazit llogaritet në 400 km. Pas viteve ‘90 prodhimi i gazit ka shënuar rënie drastike nga 0.25 milionë metër kub (1990) arriti në 0.012 milionë metër kub. Për shkak të mungesës së tregut, përdorimi i gazit në Shqipëri është pothuajse i papërfillshëm. Nga ana tjetër, kërkesa për gaz e tregut është shumë e lartë. Me gazifikimin e vendit, mësohet se furnizuesit do të jenë: ata më prioritarë sektori i energjisë dhe i industrisë; të dytët sektori i shërbimeve dhe së treti konsumatori familjar. Konsumi vjetor i gazit natyror i familjarëve dhe sektorit të shërbimeve llogaritet në afërsisht 100,000 tonë. Me gazifikimin e vendit do të krijohen kushtet për lidhjet me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare; për zbulime të reja (nga kompani si “Petromanas” dhe “Bankers Petroleum”), por edhe ndërtimin e fabrikave të specializuara për trajtimin e gazit në zonën e bregdetit. Nga ana tjetër, Shqipëria është e pasur me vende për depozitimin e gazit, përfshi këtu zonën e Dumresë me kapacitet mbi 2 milionë metër kub dhe atë të Divjakës me rreth 1 milion metër kub. Zona e Dumresë ka koston më të ulët për depozitimin e gazit që llogaritet në rreth 76 dollarë/Mcm. Me lidhjen e këtyre depozitave me rrjetin ndërkombëtar të gazit, Shqipëria mund të shërbejë si vend ruajtjeje edhe për vendet e tjera të rajonit.
Deri në vitin 2020, parashikohet që në Shqipëri të prodhohet nga
1.6-2 milionë metër kub gaz.
Miratohet plani i TAP-it
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, ndër të tjera u miratua Plani Kombëtar Sektorial për gazsjellësin Trans Adriatic (projekti TAP). Kryeministri Berisha tha se TAP i jep zgjidhje përfundimtare projekteve energjetike të Shqipërisë, sepse burimi i gazit nga ky gazsjellës do të mund të mbështesë totalisht, si industritë e vendit ashtu dhe përdorimin shtëpiak, familjar për ngrohje dhe gatim dhe me një kosto shumë më të ulët sesa shpenzohet sot me energji elektrike. “Projekti TAP është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse ai do të mundësojë lidhjen e Shqipërisë me rrjetin e gazit natyror të të ashtuquajturit Korridor Jugor të Gazit, duke rritur sigurinë kombëtare dhe të përgjithshme të Europës për energji dhe duke kontribuar në diversifikimin e furnizimeve të rajonit me gaz. Projekti TAP është projekti i parë, i cili do të mundësojë kalimin transit të gazit natyror përmes territorit shqiptar dhe do të krijojë mundësinë e furnizimit me gaz natyror të tregut shqiptar. Projekti TAP do të jetë një nga investimet e huaja të drejtpërdrejta më të mëdha në Shqipëri dhe si i tillë do të gjenerojë përfitime të konsiderueshme dhe perspektiva për industrinë shqiptare dhe komunitetet lokale”, tha kryeministri.
Sipas tij, projekti ka meritën e madhe për shqiptarët sepse i furnizon ata me gaz nga një vend mik, me një miqësi tradicionale me lidhje të hershme. “Historianët do ta gjejnë koincidencën se si Kaukazian Albania po e sjell gazin në Ballkan Albania, pra ky projekt i lidh dy Albanitë, Albaninë e dikurshme të Kaukazeve me Albaninë e përjetshme në Ballkan. Dhe kjo ka një vlerë, ka një rëndësi”, tha kryeministri.
Sipas tij, projekti gjeneron të ardhura për buxhetin e shtetit. Studimet tregojnë se ai do të gjenerojë për Shqipërinë rreth 150 milionë dollarë të ardhura në vit. Me ndërtimin e tij, duke filluar nga shpronësimet deri tek punësimet janë dhjetëra, mijë familje shqiptare që përfitojnë në të gjitha aspektet. Në trajektoren e tij do të ndërtohen shume biznese mbështetëse.
“Projekti TAP është një ogur i bardhë për rezervat e mëdha të gazit që mesa duket ka Shqipëria, rezerva që janë në eksplorim e sipër, kështu që në rast se nesër fusha thelbësore të gazit do të zbulohen në Shqipëri, gazi i këtyre fushave do të mund të bashkohet ose do të mund të përdoret nga TAP për t’u shpërndarë drejt Europës. Dhe së fundi, Shqipëria ka një rol kyç sepse është një nga epiqendrat e shpërndarjes së tij”, tha kryeministri.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt rajonal i gazit natyror, i cili do të transportojë gaz natyror nga rezerva e fushës Shah Deniz II në Azerbajxhan, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik dhe do të dalë në breg në Italinë e Jugut dhe më tej në tregjet europiane.
Gjurma e TAP-it do të jetë afërsisht 870 kilometra e gjatë (përafërsisht: Greqi 548 km; Shqipëri 209km; seksioni detar në detin Adriatik 105 km; Itali 4 km). Pika më e lartë e gazsjellësit TAP do të jetë 1800 metra në malet e Shqipërisë, ndërsa pika e tij më e thellë në seksionin detar do të jetë 810 metra nën nivelin e detit. Gazsjellësi është projektuar për të zgjeruar kapacitetin e transportit nga 10 në 20 mmk gaz natyror në vit, në varësi të prodhimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.