Fondi i Lidhjes së Europës (CEF) i Komisionit Europian ka alokuar rreth 5 milionë euro për projektin Trans Anatolian të gazit natyror (TANAP), njoftoi kompania e projektit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kompania tha se projekti është një nga dy projektet e gazit natyror që kanë marrë mbështetje financiare nga programi CEF Energy.
CEF është instrument kyç i financimit të BE-së për inkurajimin e rritjes, punësimit dhe konkurrencës nëpërmjet investimeve në infrastrukturë në nivel evropian.
Në përputhje me programin, vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord të japin një total prej 48.4 milionë euro në vit në mbështetje të projekteve të infrastrukturës energjetike. Një buxhet i përgjithshëm prej 5.35 miliardë eurosh është ndarë për projektet e energjisë për periudhën 2014-2020.
Që nga viti 2014, TANAP ka pranuar gjithsej 15 milionë euro nga programet e BE-së.
Sipas Komisionit Europian, ai mbështet zhvillimin e rrjeteve transeuropiane me performancë të lartë, të qëndrueshme dhe efikase të ndërlidhura në fushën e transportit, energjisë dhe shërbimeve digjitale. Investimet e CEF plotësojnë lidhjet që mungojnë në energjinë, transportin dhe sektorin dixhital të Europës.
I gjatë 1.850 kilometra, TANAP u inaugurua zyrtarisht më 29 maj në një ceremoni të mbajtur në Baku me pjesëmarrjen e Presidentit të Azerbajxhanit.
TANAP, me rreth 8 miliardë dollarë investime, do të transferojë 6 miliardë metra kub të gazit të Azerbajxhanit në Turqi dhe 10 miliardë metra kub në Europë në vit. Pjesa europiane e projektit pritet të funksionalizohet në vitin 2020.
Kostoja e parashikuar e investimit ishte 11,7 miliardë dollarë në fillim të projektit, por kjo shifër u ul deri në 8 miliardë dollarë pas përditësimeve nga menaxherët e projektit.