Importet u rritën me 8.2% me bazë vjetore për shtatëmujorin e parë të vitit, në 305.5 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, duke dhënë sinjale për një rigjallërim të konsumit dhe investimeve në vend. Edhe Banka e Shqipërisw ka raportuar se për herë të parë pas shumë kohësh, gjatë këtij viti po konstatohet një rritje e konsumit të brendshëm, duke u bërë një faktor ndikues në zgjerimin e ekonomisë.
Gjatë gjithë vitit 2013, importet ishin tkurrur me rreth 2%, një tregues i qartë i frenimit të konsumit dhe investimeve.
Gjithsesi, importet kanë ngadalësuar ritmet e rritjes, teksa për gjashtëmujorin ato ishin zgjeruar me 10.2. Nga ana tjetër, me eksportet që po ngadalësohen, deficiti tregtar po përkeqësohet sërish pas një përmirësimi në 2013-n, duke u rritur me 9% në raport me shtatëmujorin e parë të vitit të kaluar, për të arritur në 15 miliardë lekë.
Pothuajse të gjitha grupmallrat kryesore shënuan rritje me bazë vjetore për periudhën janar-korrik.
Importet e mineraleve, lëndëve djegëse, energjisë u zgjeruan me 5.1%, në rreth 51.1 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e blerjeve të energjisë jashtë vendit.
Importet e makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i shtimit të investimeve në ekonomi, u shtuan me rreth 8% në rreth 54 miliardë lekë, duke u kthyer për herë të parë në grupin më madh të importuar në vend.
Importet e tekstileve e këpucëve u zgjeruan me 20%, një reflektim direkt i rritjes prej 25% të eksporteve të këtij grupmalli gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti.
Importet e materialeve të ndërtimit e metaleve u rritën me rreth 11.5% në 38.2 miliardë lekë. Më shumë sesa një gjallërim të ndërtimit, rritja e eksportit të këtij grupi i dedikohet blerjeve të materialeve të ndërtimit nga Devolli Hydropoëer, kompania që po ndërton hidrocentralet në jug të vendit.
Importet e grupmallit ushqim, pije dhe duhan janë të vetmet që kanë shënuar tendencë negative për 7 ujorin, duke u tkurrur me 0.7% me bazë vjetore, në 51.7 miliardë lekë.