Gjallërimi i aktivitetit tregtar ka rritur volumin e mallrave të ngarkuara e shkarkuara në porte dhe transportin përmes hekurudhave dhe transportit ajror, bëri të ditur INSTAT. Për 11 mujorin eksportet janë rritur me rreth 13%, me një përmirësim të dukshëm në krahasim me ecurinë e vitit të kaluar, kur zgjerimi vjetor ishte gati zero.
Edhe turizmi po kalon ditë të mira, çka është shoqëruar me një lëvizje më të madhe të pasagjerëve në porte e avionë.
Sipas INSTAT, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin nëntor 2017 është 342 mijë ton.
Në njëmbëdhjetëmujorin e 2017, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 3,7 mln ton, duke u rritur me 8,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Porti i Durrësit zë 93,5%, të gjithë mallrave të ngarkuara/shkarkuara në të gjitha portet gjatë periudhës Janar – Nëntor 2017.
Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 3,5 mln ton – kilometër, duke u rritur me rreth 4 herë krahasuar me nëntor 2016.
Në njëmbëdhjetëmujorin e 2017, ky volum është 24 mln ton- kilometër, duke u rritur me rreth 3 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Në muajin nëntor 2017, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 190 ton, duke u rritur 6,7%, krahasuar me nëntor 2016.
Në njëmbëdhjtëmujorin e 2017, me ajër janë transportuar 2.048 ton mallra, duke u rritur 3,5%, krahasuar me njëmbëdhjetëmujorin e 2016.
Numri i fluturimeve të kryera, në nëntor 2017, është 1.872, duke shënuar një rritje me 4,5%, ndaj nëntor 2016.
Në njëmbëdhjetëmujorin e 2017, janë kryer 22.180 fluturime, duke u rritur me 9,8 %, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin nëntor, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është 186.164, duke u rritur 5,9%, krahasuar me nëntor 2016.
Në njëmbedhjetëmujori e 2017, transporti ajror i pasagjerëve zë 61,7% të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në njëmbëdhjetëmujorin e 2017 është 2.410.997 duke u rritur me 21,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare në Nëntor 2017 është 51.749 persona, krahasuar me Nëntor 2016, ky tregues është rritur 9,1%.
Në njëmbëdhjetëmujorin e 2017, kanë udhëtuar me linjë detare 1.431.999 pasagjerë, duke u rritur me 18,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Eksportet e mallrave
Në Nëntor 2017, mallrat e eksportuara me det zënë 62,2%, me rrugë 36,3% dhe me ajër 0,5%. Mallrat e eksportuara me rrugë, në Nëntor 2017, janë rritur me 26,8 % ndërsa me det janë rritur 40,0%, krahasuar me Nëntor 2016.
Gjatë njëmbëdhjetëmujorit 2017, mallrat e eksportuara me det zënë 62,8%, me rrugë 35,9% dhe me ajër 0,5%.
Mallrat e eksportuara me rrugë, në njëmbëdhjetëmujorin 2017, u rritën 26,0% ndërsa me det u rritën 8,9%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Importet e mallrave
Në Nëntor 2017, mallrat e importuara me det zënë 48,2%, me rrugë 44,2% dhe me ajër 2,5%.
Mallrat e importuara me hekurudhë, në nëntor 2017, janë rritur me 5 herë dhe me det janë rritur me 6,0%, krahasuar me nëntor 2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.